22 08 2015

Dëmet që ia shkakton “Zajednica” Mitrovicës

Formimi i “Zajednicës” e dëmton edhe më rëndë qytetin tashmë e ndarë të Mitrovicës. Dëmet do të vërehen në cenim të territorit, ekonomi e siguri. Ndarja e formalizuar e qytetit në dy komuna me Planin e Ahtisaarit po betonohet me duke ia dhënë Zajednicës komunën e veriut të Mitrovicës.

Territorit të Mitrovicës, pjesës ku kanë qasje shqiptarët i kanë mbetur 350 km2. Ndërkaq në pjesën e Mitrovicës së veriut janë edhe 11 km2 të tjera, të shkëputura nga ndarja etnike. Tutje në veri të Ibrit bëjnë pjesë edhe Zveçani me 122.4 km2; Zubine Potoku 335 km2; Leposaviqi 750 km2; Vetëm pjesa veriore i ka 1218 km2. Me formimin e “Zajadnicës” mbesin jashtë 6 fshatra shqiptare (Kelmend, Boletin, Zhazhë, Bistricë, Cerajë dhe Koshtovë e Vllahisë)

Mitrovica në pjesën veriore dhe perëndimore kufizohet me “Zajednicën”: 8 km në perëndim fillon komuna e Zubin Potokut.

Po ashtu, “Zajednica” drejtpërtësëdrejti ndikon në zhvillimin ekonomik të Mitrovicës edhe ashtu të varfër. Ajo do ta kontrollonte gjysmën e Trepçës, (minierat deri në Leposaviq, rezervat e mëdha të mineraleve si dhe infrastruktura e vjetër e Kombinatit që përfshin shkritoren, rafinerinë, tymtarin, Trepça commerce, Trepça bank dhe drejtorinë). Gjithashtu ka mbi 1200 punëtorë dhe drejtorinë e vet.

“Zajednica” do të kishte kontroll komplet mbi liqenin e Ujmanit dhe hidrocentralin e Ujmanit (19 MW) duke përfshirë edhe hidrosistemin Ibër – Lepenc që furnizohet nga liqeni dhe i cili përdoret për ftohe në Obiliq dhe ujitje të tokave bujqësore. Ajo do të prekte edhe shpërndarjen e energjisë elektrike për Mitrovicën meqë në Zveçan ndodhet trafostacioni i Vallaqit nga ku vjen rryma nga Obiliqi.

“Zajednica” mund ta ketë edhe kontrollin e kufirit dhe të doganave. Impianti për pastrimin e ujërave të zeza planifikohet që të ndërtohet në Zveçan

Me formimin e “Zajednicës” do të kishte shumë pika neurologjike si: Ura e Ibrit, Lagjja e Boshnjakëve, Lagjja e Doktorëve, Kroi i Vitakut, Suhadolli, fshati Vidimriq. Kurse, në shërbime / kompani elektroenergjetike, telekomunikacion, furnizim me ujë ka paqartësi të shumta. “Zajednica” do të ketë të drejtën e planifikimit hapësinore që përfshin edhe rindërtimin e shtëpive dhe kthimin e shqiptarëve të dëbuar.

Nga aspekti i sigurisë pos Policisë së Kosovës që përbëhet kryesisht nga ish – policë të Serbisë akoma funksionon Civilna Zastita dhe po ashtu mbetet e paqartë se si do të funksionojë FSK-ja në veri.

Dëmet që po i shkaktohen Mitrovicës duhet të ndalen. “Zajednica” është e papranueshme. Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Mitrovicë e kundërshton ashpër “Zajednicën” dhe do ta pengojë atë me tërë kapacitetin e saj dhe iu bën thirrje edhe mitrovicasve që të bashkohen në mbrojtje të Mitrovicës dhe Kosovës nga “Zajednica” e Beogradit.

22 gusht 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra Mitrovicë

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

08 08 2015

Lirojini veteranët!

Lëvizja VËTËVENDOSJE! reagon kundër arrestimit të veteranëve të luftës dhe mbajtjes së tyre padrejtësisht në paraburgim. Ky pushtet pasi e ka dëshmuar moskujdesin për vite të tëra për këtë kategori, po e përdor aparatin shtetëror të dhunës për t’ua mohuar edhe protestën, si mjet demokratik i domosdoshëm përmes të cilit veteranët e luftës po i kërkojnë të drejtat e tyre.

Persekutimi i veteranëve të luftës vjen me një kohë kur padrejtësitë ndaj tyre po rriten në proporcion të drejtë me rritjen e pasurisë së pushtetarëve që shfrytëzuan maksimalisht luftën e tyre për përfitime personale.

Ky pushtet në vend se t’i trajtojë siç duhet veteranët e luftës, i ka varfëruar e përçmuar, po i rrahë, po i arreston, po iu formon edhe “gjykata speciale”, për t’i frikësuar e shtypur edhe më tej, në mënyrë që t’i shuajë kështu zërat e pakënaqur të kësaj kategorie.

Kërkesat e tyre janë të drejta. Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të të gjithë veteranëve të arrestuar!

8 gusht 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

15 07 2015

Reagim

Lëvizja VETËVENDOSJE! reagon kundër arrestimit të aktivistit Kushtrim Dakaj i cili u arrestua me urdhër të EULEX-it, në lidhje me aksionet e mëhershme politike. Ky arrestim konfirmon mungesën e drejtësisë në Kosovë dhe prirjet totalitare të pushtetit në vendin tonë. Përndjekjet ndaj protestuesve nuk po ndalen, ndërkohë që krimi e korrupsioni i pushtetarëve po rritet. Në vend që drejtësia të merrej me këta të fundit, prokuroritë e gjykatat tona janë vënë në shërbim të autokracisë që po tentohet të instalohet në Kosovë, duke arrestuar e përndjekur ata që kritikojnë dhe kundërshtojnë padrejtësinë.

Lëvizja VETËVENDOSJE! kërkon lirimin e menjëhershëm të aktivistit Kushtrim Dakaj dhe ndaljen e përndjekjes së aktivistëve të tjerë të VETËVENDOSJE!-s.

15 korrik 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

11 07 2015

VAZHDOJNË TAKIMET E Z.YMERI, ME KONGRESMENË NË SHBA

Në vazhdën e takimeve me përfaqësuesit e Legjislativit në ShBA, delegacioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, i përbërë nga kryetari Visar Ymeri, dhe anëtari i Këshillit të Përgjithshëm Florin Krasniqi, është pritur nga kongresmeni Reid Ribble, anëtar i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë, si dhe kongresmeni Jim McGovern, Bashkëdrejtues i Komitetit për të Drejtat e Njeriut dhe anëtar i Grupit të Çështjeve Shqiptare (“Albanian Caucus”) në Kongresin e SHBA-së. Kryetari Ymeri dhe zoti Krasniqi po ashtu u pritën në zyrën e kongresmenit Paul Cook, që shërben në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë dhe në atë të Forcave të Armataosura në Kongresin e ShBA-ve.

Gjatë këtyre takimve u diskutuan zhvillimet e fundit politike dhe ekonomike në vend. Delegacioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE! e vuri theksin te rëndësia e sovranizimit të Republikës së Kosovës në rrafshin politik, ekonomik dhe në gjyqësor, të gjitha këto të dëmtuara nga negociatat me Serbinë, tentim-themelimi i Gjykatës Speciale, dhe keqtrajtimi dhe uzurpimi i vazhdueshëm i burimeve ekonomike të Kosovës për interesa të veçanta. Po ashtu kryetari Ymeri i shtjelloi qëndrimet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! karshi procesit shtetndërtues në Kosovë, duke u përqendruar në domosdoshmërinë e ndërtimit të Republikës së barazisë për qytetarët, moslejimin e formalizimit dhe zgjerimit të ndikimit të Serbisë në Kosovë përmes krijimit të “Zajednicës”, funksionalizimin dhe çlirimin nga kapja e sistemit të gjyqësorit për të garantuar barazi para ligjit për të gjithë qytetarët, dhe vendosjen e burimeve minerare dhe strategjike të Kosovës në funksion të mirëqenies së qytetarëve.

Delegacioni i VETËVENDOSJE!-s po ashtu kërkoi nga kongresmenët që ta mbikëqyrin punën e Departmentit të Shtetit në Kosovë që të sigurohen që Republika e Kosovës me sovranitet të plotë, e njohur nga ShBA-të, të jetë baza e partneritetit mes ShBA-ve dhe Republikës së Kosovës.

11 korrik 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

30 06 2015

DEKLARATË E PËRBASHKËT E TRI SUBJEKTEVE OPOZITARE, Lëvizja VETËVENDOSJE!, AAK DHE NISMA

Vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës për refuzimin e ndryshimeve kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale, i datës, 26 qershor 2015 është përfundimtar dhe i pakthyeshëm. Qeveria e Republikës së Kosovës duhet t’i nënshtrohet këtij vendimi.

Çdo tentativë për ta përmbysur këtë vendim të deputetëve të Kuvendit të Republikës të shprehur lirshëm me votë të lirë, gjoja në emër të procedurave, është tendencë për ta përmbysur rendin institucional dhe demokratik në vend.

Gjithashtu, i thërrasim të gjithë akterët të përfshirë në këtë proces, qofshin “për” apo “kundër”, ta respektojnë vendimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Visar Ymeri
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Ramush Haradinaj
AAK

Fatmir Limaj
NISMA

30 Qershor 2015,
Prishtinë

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

28 05 2015

VAZHDOJNË ARRESTIMET E AKTIVISTËVE TË VETËVENDOSJE!-s

Sot, rreth orës 08:00 të mëngjesit, Policia e Kosovës ka arrestuar aktivistin e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Lirim Gashi, për, siç i kanë thënë, një akuzë në lidhje me aksionet tona kundër produkteve të Serbisë. Ndërkohë, po sot, Policia e Kosovës i ka kërkuar për t’i arrestuar edhe disa aktivistë të tjerë të Lëvizjes, për të njëjtat aksione.

Qeveria e Kosovës po duket se nuk e ka ndërmend të ndalet në përndjekjen e opozitës gjë kjo e cila flet pikërisht për brishtësinë e qeverisë. Një qeveri që përdor pareshtur policinë, për të shtypur zërat që e kundërshtojnë, është qeveri që ka humbur çdo legjitimitet për të qeverisur me vendin dhe krejt çka i ka mbetur është forca policore. Prej themelimit të kësaj qeverie, përgjigjja që vazhdimisht i është dhënë kërkesave dhe nevojave të drejta të qytetarëve, ka qenë dhuna policore.

Lëvizja VETËVENDOSJE! kërkon me ngulm lirimin e menjëhershëm të aktivistit Lirim Gashi, dhe ndaljen e menjëhershme të përndjekjes që po i bëhet aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

24 05 2015

Lëvizja VETËVENDOSJE! e kundërshton ndarjen etnike të vendit, dhe në këtë linjë edhe ndarjen etnike të Forcave të Armatosura të Kosovës.

Ne jemi për një shtet unik dhe funksional, ku të gjitha minoritetet janë të sigurta, gëzojnë të drejtat e tyre të pamohueshme dhe kanë mirëqenie të barabartë. Por ajo që po ndodh në Kosovë, dhe që do të kundërshtohet fuqishëm nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, është zgjerimi i planeve agresore të Serbisë, në emër të gjoja zgjerimit të të drejtave për minoritetin serb. Serbia, përmes Listës Serbe dhe në marrëveshje me Qeverinë e Kosovës, po synon shndërrimin e Kosovës në një shtet të ndarë, jofunksional dhe të dështuar.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

20 05 2015

LAJMI QË GLAUK KONJUFCA ËSHTË SHPENZUESI I DYTË MË I MADH NË KUVEND, ËSHTË I PAVËRTETË!

Lëvizja VETËVENDOSJE! reagon fuqishëm kundër shpifjes së fundit ndaj Drejtuesit të Grupit tonë Parlamentar, z. Glauk Konjufca, se gjoja ky i fundit paska shpenzuar më së shumti derivate të paguara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, duke bërë gjoja 6 mijë e 17 kilometra me veturë zyrtare.

Fillimisht Glauk Konjufca nuk ka qenë nënkryetar i Kuvendit gjatë muajit mars, kështuqë nuk mund të ngarkohet për tre muajt e parë të vitit 2015 por vetëm për 2 muaj.

E dyta, gjyma e këtyre kilometrave, janë të bëra gjatë muajit mars, nga nënkryetarja e re e Kuvendit të Kosovës, znj. Aida Dërguti, meqë ajo jeton jashtë Prishtinës (në Vushtrri) dhe është e detyruar të udhëtojë për çdo ditë Vushtrri – Prishtinë – Vushtrri.

E treta, deputeti Konjurca, ka bërë rreth 1400km për 2 vizita zyrtare në Tiranë dhe një në Shkup, si përfaqësues i Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe jo më shumë se 650km në tërësi, për aktivitetet e tjera zyrtare brenda territorit të Republikës së Kosovës gjatë muajve janar dhe shkurt.

E katërta, matja e shpenzimeve me kilometra është tendencioze ngase kjo nuk flet për shpenzimet e përkthyera në para, të cilat shumë deputetë i kanë më të larta. Lëvizja VETËVENDOSJE! që kur ka hyrë në Kuvendin e Kosovës, është përcaktuar që të zgjedh makinën më ekonomike që e posedon Kuvendi dhe ka refuzuar kategorikisht që të shfrytëzoj çfarëdo makine të shtrenjtë që ka shpenzime të larta. Aktualisht, makina që është shfrytëzuar nga z. Konjufca dhe tash znj. Dërguti, është e tipit SHKODA RAPID (1.6) dhe shpenzon mesatarisht 5l/100km, pra 3 herë më pak se sa gjipat që shfrytëzohen nga deputetët e partive të tjera.

Lajmi i plasuar në media se gjoja Glauk Konjufca është shpenzuesi i dytë më i madh nga deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, është i pavërtetë dhe tendencioz duke e keqcituar qëllimisht edhe raportin e fryer dhe po ashtu tendencioz të komisionit përkatës të Kuvendit të Kosovës.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

06 05 2015

PAKËNAQËSIA QYTETARE NUK HESHTET ME ARRESTIMIN E OPOZITËS

“Shiheni se çfarë sistemi kanë ndërtuar këta monopolizuesit e shtetit: nëse je në VETËVENDOSJE!, je duke shkuar për një tubim me bashkatdhetarë, arrestohesh nga policia e pushtetit pse ke protestuar në prill të vitit 2013 kundër Marrëveshjes me Serbinë, dhe përfundon në Deçan për ta paguar gjobën e komunikacionit.

Kurse nëse je në PDK, ke zhvatur tenderë, ke marrë reket, ke kërcënuar e ke rrahë njerëz, të hapen edhe portat edhe aeroportat, policia nuk të sheh, bëhesh i padukshëm, i kapërcen të gjitha shtetet e BE-së dhe përfundon në Suedi si Xhabir Zharku. Zonja dhe zotërinj, ky është modeli i shtetit të qeversisë së kaluar, të cilën me shumë zell po e vazhdon qeveria aktuale.” – Glauk Konjufca

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

27 04 2015

3 muaj nga protesta gjithëpopullore e 27 janarit

3 muaj nga protesta gjithëpopullore e 27 janarit, dhe ende asnjë polic nuk u ndjek penalisht për dhunën e shfrenuar që përdorën kundër protestuesve. Zelli i madh i Prokurorisë për të urdhëruar arrestimet e qytetarëve dhe për të nisur procedura penale ndaj tyre, si dhe mungesa absolute e vullnetit për të ndjekur penalisht policët që ushtruan dhunë ndaj protestuesve të 27 janarit, flasin për tendencën e pushtetit që t’i bëjë të dënueshme protestat paqësore, kurse në anën tjetër ta inkurajojë dhunën e Policisë atëherë kur protestat ndodhin. Kjo gjë është tipike për regjimet autoritare, të cilat duke qenë të vetëdijshme se planet dhe veprimet e tyre janë në kundërshtim me interesin publik, i frikësohen shumë pakënaqësisë qytetare dhe bëjnë çmos që ta parandalojnë dhe shtypin atë.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

25 04 2015

CITIMI I DITËS:

“Shqiptarët në Maqedoni janë politikisht të shtypur, ekonomikisht të shfrytëzuar, kulturalisht të diskriminuar dhe institucionalisht të nënpërfaqësuar. Në anën tjetër, ata nuk po ndjehen të përfaqësuar as nga partitë politike shqiptare që veprojnë në institucionet e sistemit.

Nuk mund të mbijetojnë edhe Gruevski edhe Maqedonia. Prandaj është e domosdoshme që shqiptarët të organizohen në mënyrë paqësore dhe të jenë aktivë. Mirëpo, jo edhe të bëjnë veprime të armatosura të cilat pastaj do të shndërroheshin në pretekst të përsosur për Gruevskin që me një gur ti vrasë dy zogj: edhe opozitën maqedonase por edhe shqiptarët në Maqedoni.” – Albin Kurti

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

22 04 2015

Kohëve të fundit kemi parë edhe eksponentë të pushtetit, konkretisht të PDK-së, që flasin për kapjen që ua ka bërë SHIK-u institucioneve shtetërore. Para disa javësh kemi parë Bajram Rexhepin që deklaroi se ShIK-u e ka kapur PDK-në e përmes PDK-së shtetin, ndërkaq mbrëmë erdhi deklarata nga deputeti Rrustem Mustafa që njëherit ishte edhe komandant i Zonës Operative të Llapit. Edhe deputeti Mustafa e përmendi ShIK-un si organizatë ilegale që ka shtrirë ndikimin e saj në ndërmarrjet publike.

Pas këtyre dy deklaratave do të duhej që Prokuroria e Shtetit të nisë menjëherë hetimet ex-officio për këtë organizatë. Këto deklarata vijnë nga njerëz që kanë pasur pozita të rëndësishme udhëheqëse shtetërore e partiake. Për më tepër, që të dy janë figura të PDK-së, që në fakt është mbulesa politike e kësaj organizate kriminale, andaj edhe mund ta krijojnë bazën e mjaftueshme për nisjen e këtyre hetimeve.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

18 04 2015

Sot në protestë, Kryetari i Lëvizjes, Visar Ymeri mbajti këtë fjalim:

“Organizimi i protestave është e vetmja mënyrë për ta ndaluar keqbërjen e kësaj qeverie. Me protestat kemi krijuar një traditë të re, demokratike, një mënyrë të re e të suksesshme për të mundësuar realizimin e nevojave dhe të kërkesave tona, të qytetarëve të Kosovës. Protestat e janarit sollën sukses të matshëm, e hoqën ministrin fashist. Protestat e prillit kanë për t’i hequr drejtuesit që po abuzojnë me çmimet e energjisë, që abuzojnë me televizionin publik, dhe që e kanë kapur gjyqësinë e shtetin.

Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa në javën e fundit kanë lëshuar deklaratat më të forta në jetën e tyre. Këta dy persona që nuk guxuan kurrë të flasin fjalë të forta as përballë mafisë dhe uzurpatorëve të pronës publike, as përballë Serbisë në negociata, as përballë çfarëdo kërkesë të cilitdo ndërkombëtar, tash flasin me kwrcwnim dhe frikwsim kundër qytetarëve të tyre që protestojnë. Prandaj këta në të vërtetë nuk janë burra shteti, por burrecë pushteti.

Demokracia jeton në radhë të parë në sheshe në mes të popullit, e jo thjesht në objekte institucionesh. Këta po duan ta ngujojnë demokracinë brenda zyrave të tyre, ku kryejnë aferat milionëshe që zhvatin qytetarët e varfërojnë Kosovën. Këta po duan t’ia bëjnë varrin demokracisë. Por ky popull nuk është dorëzuar përballë asnjë shtypësi e përballë asnjë diktature. Nuk do të dorëzohemi as përballë këtij pushteti mini despotësh.

Ne nuk jemi kundër anëtarëve të PDK-së e të LDK-së. Ata janë qytetarë si të gjithë ne, me meritat dhe problemet e tyre. Por ne nuk do të tolerojmë që elita e PDK e LDK ta kapë shtetin, për të ndërtuar në Kosovë një pushtet autoritar, kleptokratik e mashtrues. Shik-at dhe agjentët e tyre, nuk do të lejohen më të frikësojnë, shantazhojnë, të vjedhin e të kërcënojnë. Ne kemi për t’i hetuar ata, dhe kemi për t’i gjykuar, sipas ligjit demokratik dhe republikan. Me hetimin e ShIK-ut do të nisë çlirimi i shtetit nga zaptimi.

Ne nuk jemi kundër pronës private dhe kapitalit privat. Por asnjë kompani private nuk mund të abuzojë me nevojat tona jetike duke përfituar nga korrupsioni i pushtetarëve tanë. Privatizimi i ndërmarrjeve, sikur ky i KEDS-it na e solli papunësinë e mjerimin. Shtëpitë që i ka pllakosur varfëria, tash po i pllakos edhe terri. Ne nuk mund të lejojmë në shekullin XXI që terri të rikthehet në shtëpitë e Kosovës. Çmimi i energjisë duhet të jetë i përballueshëm për të gjithë, e jo luks për disa. Dhe këtë nuk e ofron dot një kompani private, aq më pak një kompani që ka kryer një proces korruptiv privatizimi.

Ne nuk jemi kundër fuqizimit të institucioneve të Kosovës, por institucionet nuk mund të forcohen kur përdoren për pasurim privat. E vetmja mënyrë që të forcohen institucionet, është që ato të jenë vërtet demokratike, përfaqësuese, politike, profesionale. Të zhduket prej tyre lokalizmi, nepotizmi, klanizimi dhe klientelizmi. Me nepotizëm nuk ka institucione. Me hajna nuk ka shtet! Me PDK e LDK nuk ka shtet!

Nuk ka zhvillim e përparim pa punësim. Nuk ka Kosovë të fortë pa punësim. Nuk ka drejtësi pa punësim. Nuk ka shoqëri pa punësim. Nuk ka shtetformim pa punësim. Sot ne kërkojmë ndryshimin e politikave qeveritare, shkëputjen prej shtetit të papërgjegjshëm, ndaljen e korrupsionit, dhe fillimin e politikave me synim kryesor punësimin. Protestat tona nuk do të ndalen, për sa kohë Kosova të vazhdojë të jetë një shtet krejtësisht tregtar, dhe me papunësinë më të lartë në kontinent. Me këtë politikë ekonomike qeveria po na tregon se ekspertët e saj janë thjesht injorantë, keqbërës, që nuk kanë asnjë ndjeshmëri për të papunët e për të varfërit në Kosovë.

Drejtues të EULEX po e pranojnë sot atë që ne kemi thënë dje, që misionet ndërkombëtare në Kosovë kanë bërë një eksperiment. Sot po e pranojnw atë që ne kishim parashikuar: që ky eksperiment është i padrejtë dhe i dështuar. Kosova nuk mund të zhvillohet me eksperimente e pabarazi. Ne nuk mund të sovranizohemi me Asociacione të Serbisë brenda. E të pazhvilluar e pa sovranitet nuk mund të jemi të pavarur. Ne duhet t’i japim fund këtij eksperimenti, për të krijuar një shtet të qëndrueshëm e funksional, një drejtësi të ndershme, një politikë demokratike e republikë të qytetarëve. Dhe që nga ky shesh të bashkuar këmbëngulim: nuk pranojmë ndarje të territorit përmes Asociacionit, nuk pranojmë ndarje të institucioneve përmes kompetencave ekzekutive për Asocioacionin, nuk pranojmë varfërim të buxhetit të qytetarëve përmes fondit për Asociacionin, nuk pranojmë polici e gjyqësi të veçantë për Asociacionin.

Kryeministri në hije, Hashim Thaçi para disa ditësh tha se në demokraci pushteti merret me votë. Por ai nuk tha se në Kosovën e tij vota blihet me pare, e paret vidhen me dhunë e me korrupsion prej këtij populli. Kjo lloj demokracie nuk është asgjë tjetër përveçse feudalizmit. Dhe ne nuk mund të pajtohemi me feudalizmin. Ne jetojmë në shekullin XXI, kemi kërkesa si të popujve të tjerë, kemi misionin, forcën dhe vullnetin për t’i realizuar këto kërkesa. Nuk do të ndalemi me protestat dhe organizimet tona, derisa të mbërrijmë që ta bëjmë Kosovën të barabartë me fqinjët e saj. Nuk do të ndalemi pa e realizuar ëndrrën e atyre që dhanë gjakun për Kosovën, bashkimin kombëtar, zhvillimin ekonomik, barazinë dhe demokracinë.

Sot ne gjendemi përballë dy alternativave: ose protestën, ose mjerimin; ose protestën, ose terrin; ose protestën ose ShIK-un; ose protestën, ose papunësinë; ose protestën ose Klanin Pronto; ose protestën ose vjedhjen; ose protestën ose indiferencën; ose protestën ose rrenat; ose protestën ose padrejtësinë; ose protestën ose ndarjen. Ne zgjedhim protestën, sepse ne duam punën, duam bashkimin kombëtar, duam drejtësinë, duam mirëqenien, duam barazinë, duam të vërtetën!”

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

18 04 2015

Në protestën e sotshme të subjekteve opozitare, morrën pjesë mbi 20 mijë protestues.

Në protestën e sotshme të subjekteve opozitare, morrën pjesë mbi 20 mijë protestues. Policia e Kosovës në vazhdën e gënjeshtrave që kanë filluar 2-3 ditë më herët, sot vlerësoi se në protestë ishin rreth 2500 protestues. Njësoj, sikur që kishin thënë “ne kemi informacione të sakta se subjektet opozitare do të jenë të dhunshme”, tash po thojnë se në protestë paskan marrë pjesë dhjetëfish më pak njerëz, se sa që janë në realitet.

Atë çka Policia e Kosovës nuk arriti ta bëjë përmes kërcënimeve, po mundohet ta bëjë përmes shpifjeve dhe shifrave absurde: pra zvogëlimin e pjesëmarrjes në protestë.

Por, duke falenderuar mediat që sot e përcollën drejtpërdrejt protestën, i gjithë populli i Kosovës mund vërejë se sa njerëz ishin në protestë dhe se sa absurde janë deklaratat e policisë së kapur, e cila tash po shërben edhe si makinë propagande.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

17 04 2015

Nga takimi i sotshëm i tri subjekteve të opozitës:

“Për këtë zaptim të shtetit nuk po flasim vetëm ne si subjekte opozitare, por të gjithë qytetarët e Kosovës, madje edhe vetë Kryeministri, i cili përveç se nuk po bën asgjë për ta hequr këtë zaptim, është vendosur si mburoje e këtij zaptimi. Kur vetë Qeveria e zapton shtetin dhe nuk lejon që shteti të funksionojë në bazë të interesave të qytetarëve, atëherë është obligim i qytetarëve që të angazhohen politikisht për ta çliruar shtetin nga zaptimi.”

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

17 04 2015

Dostat klientelist dhe mafioz të Hashim Thaçit nëpërmjet Hajredin Kuçit kanë mundur t’i ikin drejtësisë ende dhe sot, si Ramadan Muja, Xhabir Zharku, Djemtë e Adem Grabovcit, paraburgimi dhe skandali me Sami Lushtakun, leja për t’u futur në burg dëshmitari në rastin Tolaj. Ndërsa me manovra e ndikime kanë dalë të pafajshëm pas stërzgjatje së proceseve të gjitha për vepra penale për vjedhje të parave publike dhe pronave ose për vepra të dobëta, Nexhat Demaku, Bajram Mulaku, Begzad Sinani, Nexhmedin Arifi,Salim Jenuzi të gjitha kryetarë komunash nga PDK. E ndërsa rasti që ende sot vazhdon hetimet e që prej kohësh u zvarrit dhe u bënë përpjekjet maksimale të heshtet është ai i 1.2 milionë eurove të pasaportave ku përgjegjësi kryesor Bajram Rexhepi është vetëm dëshmitar e jo i pandehur.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

17 04 2015

Kryetari Visar Ymeri i reagon kryeministrit Mustafa:

Shteti është i kapur. Ky është fakt. Është kapur nga ShIK-u, agjentët e të cilit, gjithnjë nën udhëheqjen e Kadri Veselit e Hashim Thaçit, kontrollojnë secilin segment të shtetit. Dhe po, janë krijuar rrjete të cilat e kanë kthyer hapësirën publike në hapësirë për vete, duke e uzurpuar kështu atë. Uzurpimi është zaptim. Zaptimi kapje. E zaptuesit kanë emër.
Por emër kanë edhe apologjetët e këtij zaptimi. Apologjet është Isa Mustafa. Tash prej se është bërë kryeministër është shndërruar edhe në shërbim të kapjes. Ç‘është e vërteta, gjithnjë me prospektin e kapjes së ardhshme të shtetit. Që nga marrëveshja e koalicionit me PDK-në ku ishin dakorduar që kapjen ta ndajnë në dysh 50% me 50% sikur dikasteret qeveritare.
E pritshme. Dëshmitë po dalin që ky kishte interes që të bëhej pjesë e kësaj kapjeje. Dje në Kuvend e pranoi se për të më dosjet për korrupsion e shkelje të ligjit e procedurave në Prishtinë nuk kanë ndikim. Tash i quan spektakle. Sepse kështu e duan këta shtetin: hapësirë spektakli për qytetarët për ta fshehur të vërtetën prapa tij. E e vërteta është e vërtetë e kapjes së shtetit, që e pengon hetimin e gjykimin e rasteve të korrupsionit, të zhvatjes, uzurpimit, haraçit… Isa Mustafa po e pranon që është shndërruar në të paprekshëm. E qartë: I është bashkuar Thaçit e Veselit, në këtë vallen e të paprekshmëve.
Ka një transformim të thellë të profilit publik të Isës. Nga kryetar i Prishtinës që e akuzonte ShIK-un për duar të përgjakura, në kryeministër të Republikës së Kosovës në bashkëpunëtorin më të ngushtë të kreut të ShIK-ut. Për Isën ShIK-ut iu paskan pastruar duart. Tash pyetja këtu është kush ia pastroi?

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

16 04 2015

Orët digjitale = Hajni qytetarëve

Aksioni i sotëm u organizua për t’i kundërshtuar fuqishëm keqpërdorimet që po i bën korporata KEDS me faturat e qytetarëve duke i vjedhur ata nëpërmjet orëve digjitale. Qeveria e kaluar na tha se shitja e rrjetit të energjisë elektrike dhe shpërndarjes do të çrrënjosë korrupsionin dhe do të furnizonte qytetarët me energji elektrike pa pengesa.

Institucionet e Kosovës po heshtin para këtij krimi që po i ndodh popullit të Kosovës, por kur institucionet heshtin atëherë flet populli.

Andaj i bëjmë ftesë të gjithë qytetarëve të cilët janë zhvatur nga KEDS-i që të shtunën më 18 prill, ora 14:00 t’i bashkohen protestës sonë kundër kapjes së shtetit .

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

16 04 2015

Përkrahje protestës kundër humbjes së territorit të Kosovës

Lëvizja VETËVENDOSJE! përkrah protestën kundër humbjes së territorit të Kosovës në procesin e demarkacionit me Malin e Zi. Ne e konsiderojmë të dretjë protestën e sotme të banorëve që i kanë pronat në kufi me Malin e Zi, kundër demarkacionit të padrejtë me këtë shtet, me ç’rast padrejtësisht po humben pronat e këtyre banorëve e rrjedhimisht edhe territori Kosovës.

Lëvizja VETËVENDOSJE! ka tërhequr vëmendjen me kohë se Kosovës disa herë i është marrë territori në këtë pjesë. Në vitin 1996 regjimi i Millosheviqit e zhvendosi kufirin me Malin e Zi 8 kilometra në brendësi të Kosovës me ç’rast janë humbur 2900 hektarë. Ndërkaq, në vititn 1999, në vend se të kthehen këto, KFOR-i e ka sjellë vijën kufitare te “piramidat e betonit”, edhe 5 kilometra të tjera në brendësi të Kosovës, gjë që bëri të humben edhe 3.700 hektarë të tjerë. Kësisoj, Kosova rrezikon të humbë mijëra hektarë.

Kërkojmë që të merret si pikë reference harta e ish Jugosllavisë të vitit 1974, e cila qartë e përcakton kufirin e Kosovës me Malin e Zi, ashtu siç e potencojnë edhe banorët lokalë. Por, e përkrahim edhe kërkesën për shkarkimin e Komisioni shtetëror për demarkacion të kufirit me Malin e Zi duke qenë se nuk ka bërë asgjë në lidhje me këtë. Nëse kjo nuk realizohet deri nesër, bëjmë thirrje që protestuesit për këtë çështje të bashkohen në protestën e 18 prillit.

16 prill 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

15 04 2015

Protestën e 18 prillit, deri tash e kanë mbështetur këto organizata:

– Sindikata e Pensionistëve dhe të Moshuarëve të Kosovës
– Federata Sindikale e Bujqëve të Kosovës
– Sindikata e Pavarur e “Fabrikës së Amortizatorëve”
– Këshilli grevist i punëtorëve të ish-ndërmarrjes “Ballkani” nga Theranda (Suhareka)
– Perfaqesuesit e punëtorëve të Fabrikës së Gypave
– Këshilli i Veprimit Rinor Lokal – Ferizaj
– Lëvizja e Re Demokristiane

Gjatë ditëve në vijim, protestës do t’i bashkohen edhe shumë organizata të ndryshme.

Mobilizimi qytetar për protestën e së shtunës tregon se kërkesat e protestës janë kërkesa të qytetarëve, për përmbushjen e të cilave do të protestohet fuqishëm dhe masivisht.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

15 04 2015

Më 18 prill – kundër kapjes së RTK-së

Aktivistët të tri subjekteve opozitare kanë realizuar një aksion simbolik tek ndërtesa e Radio Televizionit të Kosovës. Ata kanë kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të menaxhmentit të RTK-së dhe kanë kërkuar zbatimin e menjëhershëm të rekomandimeve të dala nga seanca e Kuvendit. Nga aty, po ashtu është bërë thirrje për protestë më 18 prill, në ora 14:00.

“Në bazë të ligjit, transmetuesi publik, Radiotelevizioni i Kosovës ka mision informues, edukues, kulturor e argëtues, është i pavarur në shërbim të qytetarëve e jo në shërbim të interesave të caktuara partiake”, ka thënë anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE! Marigonë Drevinja.

Radiotelevizioni i Kosovës nuk është thjesht një nga institucionet publike – ai është media e vetme publike në Kosovë dhe mbanë përgjegjësi të lartë sa i përket informimit të drejtë dhe të paanshëm të qytetarëve.

Tashmë është bërë e qartë që Radiotelevizioni i Kosovës anon dhe është në shërbim të Qeverisë, pra, është shndërruar në zëdhënës të saj – apo nëse shikojmë pak më hollësisht, mund të themi madje se është tërësisht në shërbim të PDK-së.

“Animi politik nuk është problemi i vetëm i këtij institucioni. Logjika qeverisëse e keqpërdorimeve financiare, punësimeve familjare e partiake, ndëshkimit të kundërshtarëve është bartur edhe tek transmetuesi publik”, shtoi Drevinja.

Përpjekja për shtypjen e çdo lloj iniciative sindikaliste në interes të punëtorëve dhe të transmetuesit publik nga ana e menaxhmentit, e posaçërisht drejtorit Mentor Shala, është e papranueshme.

Me këtë menaxhment dezinformimi i qytetarëve do të vazhdojë, prandaj ne kërkojmë shkarkimin e menjëhershëm të këtij menaxhmenti, dhe kërkojmë zbatimin e menjëhershëm të rekomandimeve të dala nga seanca e Kuvendit.

Kjo është edhe njëra prej kërkesave të protestës të së shtunës në të cilën i ftojmë gjithë qytetarët që të marrin pjesë.

15 prill 2015

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT