15 04 2015

Kryetari i Lëvizjes, Visar Ymeri, i reagon zv.kryeministrit Hashim Thaçi:

“Me deklaratën e tij kërcënuese, zv.kryeministri Thaçi, e tregoi planin e Qeverisë për të shtypur protestat paqësore. Paralajmërimi i vetëm për protesta të dhunshme, po vjen nga Qeveria. Kjo pra flet për planet e qeverisë dhe aspak për planet e subjekteve opozitare.
Siç e kemi thënë deri tash, protesta e së shtunës do të jetë paqësore dhe po organizohet për realizimin e këtyre kërkesave:

– Të shfuqizohen vendimet e ZRrEE-së për shtrenjtim të energjisë elektrike,
– Trepça të shpallet me ligj ndërmarrje publike me status të veçantë,
– Të shkarkohet Hajredin Kuçi,
– Të dorëhiqet Enver Hasani,
– Të shkarkohet menaxhmenti i RTK-së dhe
– Të ndalet krijimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe

Kërkojmë nga Qeveria e Kosovës të distancohet nga deklaratat e tilla të zv.kryeministrit Thaçi, që kanë për qëllim shtypjen me dhunë të protestave paqësore.
Në vend që Qeveria e Kosovës t’i kërcënojë qytetarët me dhunë, ajo duhet të kujdeset për mirëqenien e tyre dhe t’iu garantojë siguri gjatë protestave.”

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

10 04 2015

Policia hesht krimin urbanistik, arreston Drejtorin që po e lufton këtë krim

Policia e Kosovës ka arrestuar sonte Drejtorin për Urbanizëm, Ndërtim dhe Mbrojtje të Mjedisit në Komunën e Prishtinës, Liburn Aliun, lidhur me rastin për të cilin u akuzua sot.

Me këtë akt, dëshmohet edhe njëherë instrumentalizimi i Policisë së Kosovës për interesa të politikave ditore të partive në pushtet, që arrestojnë kësisoj njeriun i cili po e lufton krimin urbanistik në Komunën e Prishtinës, krim ky tradicional përgjatë 15 viteve të udhëheqjes së LDK-së me këtë Komunë. Për më tepër, arrestimi i Drejtorit Liburn Aliu i del në mbrojtje provokatorëve të cilët për interesat e tyre të ngushta personale e partiake, duan që krimi urbanistik të vazhdohet edhe më tutje në Komunën e Prishtinës.

I bëjmë thirrje Policisë së Kosovës që ta lirojë menjëherë Drejtorin Aliu, dhe që bashkë me gjykatat t’i hetojnë dhe t’i arrestojnë sa më parë të gjithë të përfshirët nëpër dosjet që tashmë Liburn Aliu i ka dorëzuar para organeve kompetente, dhe që lidhen direkt me kaosin urbanistik të cilin po e lufton ai. Luftën ndaj krimit urbanistik në Komunën e Prishtinës, nuk mund ta ndal më askush.

10 prill 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

09 04 2015

Kushtetuta e Republikës së PDK-së

Me Enver Hasanin si kryetar të Gjykatës Kushtetuese, Kushtetuta e Republikës së Kosovës është shndërruar në instrument që i hap rrugën dhe e legalizon praninë e Serbisë në Kosovë, por edhe i zgjatë jetën pushtetit të PDK-së. Enver Hasani i ka shërbyer PDK-së kur ka bërë interpretimin për grupin më të madh parlamentar, i ka shërbyer edhe kur ka interpretuar mbi mandatarin e Qeverisë, por kulmi i skandaleve të tij është falsifikimi i kuorumit që ka bërë me rastin e zgjatjes së mandatit mbi gjyqtarët ndërkombëtarë. Me këtë rast nuk po flasim për shkelje procedurale, por kemi të bëjmë me vepër penale.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

09 04 2015

Në mbështetje të protestave të universitarëve në Tiranë

Lëvizja VETËVENDOSJE! shpreh mbështetjen e saj ndaj qytetarëve dhe universitarëve të organizuar në Tiranë rreth Lëvizjes “Për Universitetin”, të cilët po vazhdojnë protestat kundër komercializimit të arsimit të lartë në Shqipëri.

Këto protesta po vijnë duke u zgjeruar, për shkak të drejtësisë së çështjes, por edhe për shkak të sinqeritetit në organizim, dy elemente thelbësore për të ngritur një reagim politik qytetar.

Në alternativën e saj qeverisëse Lëvizja VETËVENDOSJE! parasheh një Universitet më të fortë Publik. Ne jemi për lidhjen e Universitetit me ekonominë, por jo për shndërrimin e Universitetit në treg. Logjika autoritare e tregut do të diktonte mbi Universitetin synime të palidhura me dijen, dhe do të kthente përfitimin në shkak lëvizës për gjithë aparatin universitar, ndërkohë që i vetmi shkak lëvizës i pranueshëm do të duhej të qe thjesht e vetëm dëshira për t’iu përkushtuar dijes.

Lëvizja “Për Universitetin” në Tiranë është duke i bërë jehonë organizimeve të ngjashme të cilat në vitet e fundit po ndodhin në shumë vende të botës, kundër zbatimit të dogmës neoliberale dhe kundër privatizimit në një prej terreneve më të rëndësishme publike, siç është universiteti.

Lëvizja VETËVENDOSJE! kërkon nga autoritetet vendimmarrëse në Shqipëri, të marrin parasysh kërkesën e aktivistëve, qytetarëve dhe të universitarëve, e të mos imponojnë në dëm të së mirës publike një reformë jodemokratike, e cila do të rriste çmimin e arsimit të lartë apo do të shpërndante të ardhurat publike në universitetet private të cilave u ndërrohet veç emërtimi. Protestuesit kanë të drejtë.

9 prill 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

08 04 2015

NGA DEKLARATA PËR DITËN NDËRKOMBËTARE ROME

Romët sot kanë nevojë për shkolla, për kultivim të gjuhës së tyre e të gjuhës së shumicës, për mësim të profesioneve, e mbi të gjitha për punësim e për jetë dinjitoze. Por pushteti shpesh i trajton ata thjesht si një shkronjë, pjesë e akronimit “RAE”, e i braktis në mëshirë të fatit, pasi vëmendjen e ka tek minoritete “më të rëndësishme”.

Këtë deklaratë të plotë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! mund ta gjeni në linkun e mëposhtëm:
http://www.vetevendosje.org/…/deklarate-per-diten-nderkomb…/

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

06 04 2015

Takim në Ambasadën e Sllovenisë në Kosovë

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Visar Ymeri, dhe Anëtari i Kryesisë, Belgzim Kamberi, u pritën sot në takim nga Ambasadori i Sllovenisë, Miljan Majhen, për të diskutuar rreth situatës politike në Kosovë dhe marrëdhënies mes dy shteteve.

Kryetari Ymeri shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen që shteti slloven i ka dhënë Kosovës ndër vite. Më tej, ai u ndal te rëndësia e zbatimit të parimit të reciprocitetit në raport me dialogun me Serbinë. Gjithashtu, ai paraqiti kritikat e Lëvizjes VETËVENDOSJE! ndaj programit qeveritar, si dhe alternativën për ta transformuar situatën e rëndë socio-ekonomike që është krijuar. Duke folur për planet e ardhshme, Kryetari Ymeri shpjegoi edhe arsyet për organizmin e protestës së datës 18 prill dhe rëndësinë e saj për qytetarët e Kosovës.

Ambasadori Majhen bëri një shpjegim të modelit se si shteti slloven ka zhvilluar marrëdhëniet me shtetet fqinje, si dhe trajtimin që i ka bërë privatizimeve. Më tej ai shprehu mirëkuptim për disa prej shqetësimeve të ngritura nga përfaqësuesit e Lëvizjes VETËVENDOJSE! dhe gatishmërinë e tij për ta zhvilluar më tej bashkëpunimin në të ardhmen.

6 prill 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

04 04 2015

Thirrje për protestë

Mjerimi në Kosovë po rritet, por veprimet dhe programet e qeverisë nuk na japin shpresë për zbutjen e varfërisë e uljen e çmimeve. Për njerëzit e thjeshtë është bërë shumë e vështirë që të sigurohet punë, ndërsa pushteti po dëshiron t’i punësojë vetëm njerëzit e vet duke e fryrë ekzekutivin. Qytetarët më të varfër në Evropë po i paguajnë faturat më të shtrenjta të energjisë elektrike. Drejtësia në Kosovë është uzurpuar, po ashtu televizioni publik është kthyer në zëdhënës të Qeverisë. Ndërkohë, Kosovës po i ndodh një erozion i vazhdueshëm i sovranitetit dhe integritetit territorial për shkak të qasjes së Qeverisë sonë ndaj negociatave me Serbinë e cila na e solli Asociacionin e Komunave serbe si një entitet brenda shtetit tonë. Këto kanë qenë disa prej arsyeve që Glauk Konjufca, kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! ka dhënë në lidhje me thirrjen për protestë më 18 prill 2015, ora 14:00.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

03 04 2015

REAGIM NGA QENDRA E VETËVENDOSJE!-s NË SKENDERAJ

Ne anëtarët e Grupit Punues dhe aktivistët e tjerë të Qendrës së Skenderajt, distancohemi nga deklaratat e pabaza të znj. Ajnishahe Halimi. Fillimisht, VETEVENDOSJE! në Skenderaj, ka pasur zyre edhe para ardhjes së znj. Ajnishahe. Transferimi i zyrës në pronën e saj është bërë për arsye të përfitimit personal dhe çdo vendim i tillë jo i drejtë, neve aktivistëve të Qendrës, na është transmetuar duke thënë “e di unë çka bëj, sepse kam folur edhe me Prishtinën për këtë”, deri atëherë kur ne e kemi kuptuar që kjo është një e pavërtetë dhe se ajo asnjëherë nuk është konsultuar me nivelin qendror të Lëvizjes. Është e pavërtetë që na kanë larguar nga zyra e mëparshme, por ndryshimi i zyrës është bërë me vendim të znj. Ajnishahe, për interes të saj. Pronari i zyrës së kaluar, Jeton Murtezaj, është ende i gatshëm të na e lëshoj zyrën e njëjtë.

Ne e kundërshtojmë tendencën që znj. Ajnishahe Halimi ka pasur në vazhdimësi që tërë aktivitetin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Skenderaj t’ia atribuoj vetes së saj, duke e mohuar dhe duke mos e përmendur punën e palodhshme të gjithë atyre aktivistëve që janë angazhuar tash e 10 vite në Lëvizjen VETËVENDOSJE! në Skenderaj.

Në fund, znj. Ajnishahe ka vazhduar keqpërdorimet edhe këto ditë. Në një reagim të lëshuar dje gjoja nga Grupi i Punës i Qendrës së VETËVENDOSJE!-s në Skenderaj, znj. Halimi është thirrur në emra të aktivistëve që nuk janë pyetur fare për këtë reagim, dhe kjo është bërë pa njoftimin e tyre. Pra janë keqpërdorur nënshkrimet e tyre në mënyrë shumë jokorrekte. Konkretisht, Avni Ramadani dhe Imer Halili, në emrat e të cilëve është thirrur dje znj. Ajnishahe, nuk e kanë mbështetur deklaratën e lëshuar dje dhe nuk janë dakord me të.

Ne kemi raportuar për shkeljet dhe keqpërdorimet e Ajnishahe Halimit, dhe jemi të kënaqur që Lëvizja VETËVENDOSJE! ka marrë masat e duhura për t’i ndaluar këto keqpërdorime, prandaj e mbështesim fuqishëm vendimin e fundit për përjashtimin e saj nga anëtarësia e VETËVENDOSJE!-s.

Nga 8 anëtarët e Grupit Punues të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Skenderaj, 6 prej tyre janë plotësisht dakord me këtë vendim të VETËVENDOSJE!-s. Më poshtë i gjeni emrat tonë dhe të aktivistëve të tjerë që e dërgojnë këtë deklaratë:

Avni Ramadani – Anëtar i Grupit Punues dhe përgjegjës për financa

Hysni Mehani – Anëtar i Grupit Punues dhe përgjegjës për media

Florim Musliu – Anëtar i Grupit Punues

Besa Baliu – Anëtare e Grupit Punues dhe Koordinatore e Nënkomiteteve

Leonora Kadriu – Anëtare e Grupit Punues dhe përgjegjëse për Depart. e Votës

Imer Halili – Anëtar i Grupit Punues

Arton Dani – Delegat në Këshillin e Qendrës

Fitim Musliu – Koordinator i Pikës në fshatin Klinë e Poshtme

Blerim Dani – Koordinator i Pikës së fshatit Ticë

Hamide Zabeli – Aktiviste

Bahri Zabeli – Delegat nga Rezalla në Këshillin e Qendrës

Fidan Zabeli – Aktivist

Vjollca Ramadani – Aktiviste

Besart Ahmeti – Delegat nga Likovci në Këshillin e Qendrës

Abedin Fetahu – Aktivist

Granit Halili – Aktivist

3 prill 2015

Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra Skenderaj

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

02 04 2015

NJOFTIM

Sot, pas pranimit të një letërankese është mbledhur Komisioni Disiplinor, me ç’rast ka shqyrtuar letërankesën ndaj anëtarëve Ajnishahe Halimi dhe Arben Gecaj. Të njëjtët janë thirrur, por nuk i janë përgjigjur ftesës së Komisionit.

Më tej, Komisioni ka vazhduar punën lidhur me shqyrtimin e pretendimeve të përfshira në letërankesën e parashtruar. Me këtë rast Komisioni erdhi në përfundim se:

– Anëtarja Ajnishahe Halimi, duke abuzuar me detyrat e besuara ka krijuar favore financiare në kundërshtim me detyrat e saj, me ç’rast ushtrimi i këtyre detyrave është bërë nën rrethanat e konfliktit të interesit.

– Po ashtu, Anëtarët Ajnishahe Halimi dhe Arben Gecaj me paraqitjet e tyre publike kanë shkelur Nenin 24, paragrafi 1, Pikën c të Statutit përkitazi me respektimin e parimeve, dokumenteve themeltare të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Pikën ç lidhur me pranimin e vendimeve të shumicës dhe respektimin e mendimit ndryshe dhe pikën e, lidhur me mospërfshirjen në aktivitete apo sjellje që janë komprometuese për Lëvizjen VETËVENDOSJE! që e cenojnë imazhin e saj;

Për shkak të këtyre arsyeve, Komisioni duke u mbështetur në dispozitat e Nenit 88, Paragrafi 10 të Statutit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! mori vendim që këtyre dy anëtarëve t’iu shqiptohet masa disiplinore nga Neni 88, Paragrafi 11, Pika ë: përjashtimi i plotë nga organet dhe anëtarësia e Lëvizjes VETËVENDOSJE!

2 prill 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

01 04 2015

Reagim me fakte ndaj shpifjeve të reja të znj. Halimi

Lëvizja VETËVENDOSJE! reagon sërish ndaj shpifjeve të reja të Ajnishahe Halimit në lidhje me gjoja keqpërdorime në Lëvizjen VETËVENDOSJE!.

Lëvizja VETËVENDOSJE! është subjekti më transparent dhe më korrekt në Kosovë sa i përket aspektit financiar. Të gjitha financat e Lëvizjes VETËVENDOSJE! janë të publikuara me kohë dhe sipas afateve e kritereve të përcaktuara nga KQZ-ja gjë për të cilën ne jemi cilësuar si subjekti më transparent dhe korrekt në aspektin financiar, nga organizatat e shoqërisë civile të cilat kanë bërë hulumtime në fushën e financave të subjekteve politike në Kosovë.

Për të dëshmuar me fakte se deklarimet e znj. Halimi janë tërësisht të pavërteta dhe qëllimkëqija, në këtë reagim po ua bashkëlidhim dy dokumente:

1. Dokumenti që dëshmon pagesën e rregullt të qirasë për zyrën qendrore të Lëvizjes VETËVENDOSJE! për të cilën znj. Halimi shpifë se nuk paguajmë qira dhe se qenka donacion.

2. Listën e pagave që i paguan Lëvizja VETËVENDOSJE, përmes bankës, ku po ashtu dëshmohet se pagat në Lëvizjen VETËVENDOSJE! jepen në mënyrë transparente dhe në përputhje të plotë me ligjin, për të cilat paga znj. Halimi prapë shpifë duke thënë se në Lëvizjen VETËVENDOSJE! administratorët paguhen në kesh e jo përmes xhirollogarisë.

Në çdo deklaratë të saj, Ajnishahe Halimi po e përgënjeshtron veten, duke tentuar që t’i ikë përgjegjësisë për keqpërdorimet e saj përmes shpifjeve joserioze si këto që po i shohim sot.

1 prill 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

28 03 2015

Në përkujtim të rënies së 10 anëtarëve të familjes Rama nga Kastrioti

Në përkujtim të rënies së 10 anëtarëve të familjes Rama nga Kastrioti, deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Rexhep Selimi, tha se ashtu siç e mbrojtën nderin kombëtar dëshmorët e kombit, ashtu edhe ne të gjallët duhet ta mbrojmë luftën dhe idealin e tyre. “Mbrojtja e luftës së drejtë të tyre sot mbetet sfidë përballë gjykimeve të padrejta. Ne duhet ta mbrojmë luftën e pastër çlirimtare. Kujtimi më i mirë për dëshmorët është mbrojtja e idealit, flamurit dhe atdheut për të cilin ata ranë”, tha ndër të tjera Selimi.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

26 03 2015

Homazhe në Viti

Sot, me datë 26 mars, një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Viti, bëri homazhe tek varrezat e dëshmorëve të mbarë trojeve shqiptare në Viti.

Deputeti, Salih Salihu, në prononcimin e tij për këtë ngjarje tha se “26 marsi i vitit 2001 na përkujton një betejë të ashpër me forcat armike serbe si dhe luftën e Komandantit Njiazi Azemi (Komandant Mjekrra) që ra dëshmorë në njërën nga betejat dhe ngjarjet më të rëndësishme të luftës së UÇPMB-së.”

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

07 03 2015

Prizren: Kundër degradimit të arsimit!

Sot, më 7 mars, në ditën e mësuesit, Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prizren së bashku me “Qytetarët aktivë”, Shoqatën e Veteranëve të Arsimit dhe subjektet tjera opozitare ka organizuar protestë kundër degradimit të sektorit të arsimit në Prizren.

Edhe pas 128 viteve nga hapja e mësonjëtoreve të para shqipe, qytetarët e Prizrenit nuk mund të kërkojnë arsimim të mirëfilltë pa pasur problem me pushtetin. Përmes frikësimeve, shantazheve dhe kërcënimeve që ka bërë dhe po i bënë punëtorëve të arsimit, pushteti aktual me të gjitha mekanizmat e vetë po vazhdon ta luftoj çdo përpjekje për shprehje të pakënaqësisë qytetare për një jetë më të mirë dhe shërbime publike më të dinjitetshme. Drejtoria e Arsimit, drejtorët e shkollave dhe sindikatat e kapura të arsimit janë vënë në veprim për t’i zmbrapsur punëtorët e arsimit që të marrin pjesë në këtë protestë. Kjo gjë vendin tonë e kthen 128 vite prapa, kur kërkesa për arsimim konsideroj krim.

Drejtoria e Arsimit në Prizren është njëri nga sektorët më të kriminalizuar të qeverisjes së Ramadan Mujës. Që nga trashëgimi i pozitave nëpër shkolla deri tek punësimi jashtë kritereve, që nga abuzimi me paranë publike deri tek shitja e vendeve të punës, që nga punësimet partiake e deri tek punësimet me porosi nga lartë, ky sektor falë qeverisjes kriminale të këtij pushtetit ka arritur pikën më të lartë të degradimit te tij, me cilësi më të keqe në 50 vite të fundit, dhe standard me të ulët se sa në vitet 90’ta.

Skandalet e publikuara së fundmi flasin qartë për gjendjen e pashpresë në arsim, degradimi i së cilës kulmoi në menaxhimin e drejtorit Nexhat Çoçaj. Artan Abrashi nga Lëvizja VETËVENDOSJE! në Prizren shprehi habinë për mosveprimin e organeve të drejtësisë pas publikimeve të shumta të parregullsive në këtë sektor. Sipas legjislacionit në fuqi, Prokuroria e shtetit duhej te vepronte me automatizëm, sipas detyrës zyrtare, sa herë që flitet për vepra të cilat cenojnë ligjet në fuqi. Gjithashtu Këshilli Prokurorial i Kosovës duhej të vepronte sa here që ndonjë prokuror nuk i përmbahet funksionit të tij zyrtar. Mirëpo këto gjëra nuk po ndodhin edhe pse Prokuroria Publike e Qarkut në Prizren ka zgjedhur heshtjen dhe dorëzimin para krimit. Rrjedhimisht kemi një situatë ku organet e ndjekjes nuk ndjekin keqbërësit, dhe organet e drejtësisë nuk ndajnë drejtësi për abuzimet e pushtetarëve.

Përgjegjësia kryesore për degradimin e arsimit në Komunën e Prizrenit bie mbi Nexhat Çoçajn dhe pushtetin që përfaqëson ai. Ky pushtet i ardhur me blerje dhe vjedhje të votës, me sistemin e tij shtypës dhe abuziv po e bënë atë që nuk mundi ta bënte asnjë okupatorë, ta shkatërrojë arsimin prizrenas. Andaj, Lëvizja VETËVENDOSJE! konsideron se largimi i kësaj qeverisjeje të keqe tashmë paraqet kusht ekzistencial për një të ardhme më proesperuese të shoqërisë sonë.

7 mars 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra në Prizren

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

27 02 2015

Albin Kurti, pret në takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, z. Ditmir Bushatin

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Albin Kurti, i shoqëruar nga Puhie Demaku, Sekretare për Marrëdhënie me Jashtë dhe Glauk Konjufca, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, kanë pritur sot në zyrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, delegacionin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, prirë nga Ministri z. Ditmir Bushati, Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, Drejtori i Kabinetit të Ministrit, Pirro Vengu, Drejtor i lartë në Ministri, Bashkim Rama, e të tjerë .

Në takimin e përbashkët u diskutua për aktualitetin politik në Kosovë dhe për qëndrimet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në raport me këtë aktualitet politik. Kurti tha se temat që do të kryesojnë agjendën politike në Kosovë për muajt e ardhshëm janë Trepça, Gjykata Speciale, Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe dhe energjia e ndërtimi i termocentraleve te reja.

Temë e veçantë e takimit ishte bashkëpunimi në mes Kosovës dhe Shqipërisë në disa fusha, si institucionale, politike, ekonomike, arsimore, sociale etj, ku të dyja vendet do të mund ta plotësonin njëra tjetrën.

Z. Kurti e njoftoi Ministrin Bushati edhe për ndryshimet brenda Lëvizjes VETËVENDOSJE! si organizatë dhe për sfidat që e presin lidershipin e ri të Lëvizjes, si dhe rolin që Lëvizja VETËVENDOSJE! e luan në zhvillimet politike si opozita kryesore në vend, brenda Kuvendit dhe jashtë tij.

27 shkurt 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

25 02 2015

Gjyqi politik i zgjat paraburgimin aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Sot pushteti kishte urdhëruar mbajtjen e seancës gjyqësore për aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! të arrestuar për protestën e zhvilluar në 25 gusht 2009, kundër EULEX. Në këtë seancë u prunë para gjyqit aktivistët e arrestuar, Dardan Molliqaj, Frashër Krasniqi, Fatmir Kurtaj, Glauk Konjufca, Kasim Uka, Kujtim Kosumi, Kushtrim Zeqiri, Pajtim Demaj dhe Skënder Mërturi.

Për shkak të mospjesëmarrjes së dëshmitarëve, të cilët janë zyrtarë të Policisë së Kosovës, u vendos që seanca të shtyhet për datën 16 mars 2016, ndërsa për aktivistët u vendos që të mbahet e njëjta masë sigurie, pra paraburgimi. Arsyeja pse u zgjat paraburgimi për aktivistët është thjesht politike. Me mbajtjen e tyre pushteti synon të dobësojë Lëvizjen VETËVENDOSJE!, e cila tashmë është pjesë e organizimit të protestave gjithëpopullore që kërkojnë të ndalin bërjen president të Hashim Thaçit dhe dorëheqjen e qeverisë antikushtetuese. Kurrë më shumë se në këtë seancë nuk është vënë re anshmëria politike e gjyqësorit.

Ky gjyq i padrejtë është i urdhëruar politikisht. Prania e EULEX në Kosovë vazhdon të ketë një natyrë koloniale, pasi EULEX nuk e njeh pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës. Po ashtu EULEX nuk ka ndihmuar për të sjellë drejtësi në Kosovë. Përkundrazi, nën mbikëqyrjen e EULEX, ashtu si edhe më përpara në mbikëqyrjen e UNMIK, drejtësia e Kosovës ka dështuar, është korruptuar edhe më shumë, dhe nuk ka mbërritur të vërë para përgjegjësisë fajtorët për krime të mëdha të cilët janë të veshur me pushtet politik dhe ekonomik. Siç raportohet nga mediet dhe nga persona të brendshëm të EULEX, korrupsioni i drejtësisë vendore nuk ka mbetur pa prekur edhe vetë EULEX-in. Pra protesta jonë e vitit 2009 ishte e drejtë. Drejtësia nuk importohet. Sistemi vendor i drejtësisë e i gjyqësorit, së bashku me vlerat politike e shoqërore që e mbështesin, mund të ndërtohen vetëm si pasojë e një ideali demokratik e atdhedashës.

Glauk Konjufca, kryesuesi i Grupit parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, i arrestuar edhe pse me imunitet parlamentar, mbajti një fjalim para trupit gjykues ku tha se qëllimi kryesor i dërgimit në burg të aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE është drejtpërdrejtë i lidhur me qëllimin për t’i izoluar ata prej ngjarjeve politike të rëndësishme që po ndodhin në Kosovë, dhe jo për të bërë drejtësi. “Kjo çka po e përjetojmë ne është dëshmi që shefi juaj i vërtetë nuk është Kushtetuta por kryeministri, pasi po të mos ishte kështu, ne nuk do të ishim në sallë. Arsyeja kryesore pse jemi këtu është sepse jemi kundërshtarë të Zajednicës. EULEX ka dështuar në qëllimet e veta, që ishin sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit. Kështu që ky rast duhet të hidhet poshtë, kjo aktakuzë e padrejtë duhet të hidhet poshtë”, tha Konjufca.

Edhe Dardan Molliqaj, sekretar organizativ i Lëvizjes VETËVENDOSJE! e mbajti një fjalim përpara trupit gjykues. Ai kërkoi lirimin e menjëhershëm të të gjithë aktivistëve, një pjesë e madhe e të cilëve janë arrestuar një ditë përpara protestës gjithëpopullore të 17 shkurtit, me qëllim që të dobësohej protesta dhe që të provokohej masa. Molliqaj ka thënë se gjyqtarët dhe policia po kontrollohen me urdhëra të drejtpërdrejtë politikë, dhe se po bëhen vegël e pushtetit. “Sapo të lirohemi nga burgu do të bëjmë publike të gjitha rastet e korrupsionit dhe të marrjes së mitos që kanë bërë prokurorët dhe gjyqtarët e Kosovës. Këto raste janë të shumta, dhe po na i tregojnë vetë të burgosurit që po i takojmë në burgjet e ndryshme të Kosovës ku po mbahemi”.
Lëvizja VETËVENDOSJE! proteston kundër këtyre proceseve të padrejta gjyqësore, të cilat nuk janë asgjë tjetër përveçse përndjekje e opozitës dhe persekutim politik. Gjyqësori dhe prokuroria në një shtet të së drejtës do të duhej të merreshin me hajnat e mëdhenj dhe me korrupsionin qeveritar që po e mbyt krejt ekonominë e Kosovës. Ne kërkojmë lirimin e menjëhershëm të aktivistëve, dhe ndaljen e përndjekjes.

25 shkurt 2016
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

23 02 2015

Përfaqësuesit e VETËVENDOSJE!-s presin në takim deputetët shqiptarë në Parlamentin e Serbisë

Përfaqësuesit e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, Visar Ymeri, Ismajl Kurteshi, Hydajet Hyseni dhe Belgzim Kamberi, pritën sot në takim deputetët shqiptarë nga Lugina e Preshevës, z. Riza Halimin dhe z. Shaip Kamberin.

Në këtë takim u diskutua për pozitën e rëndë politike dhe socio-ekonomike të shqiptarëve në Preshevë Medvegjë dhe Bujanoc, si dhe rolin të cilin duhet ta kenë Republika e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës në përmirësimin e pozitës dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve atje.

Z. Halimi dhe z. Kamberi i njoftuan përfaqësuesit e Lëvizjet për problemet e vazhdueshme me të cilat ballafaqohen shqiptarët atje që prej diplomave të fakulteteve të cilat nuk u pranohen nga Serbia e deri te mungesa absolute e përfaqësimit proporcional në gjyqësi dhe polici. Presheva si komunë me shumicë dërmuese të popullsisë shqiptare nuk ka fare gjykatë themelore, edhe pse një të tillë e ka pasur më herët, ndërkohë që prokuroria për tërë rajonin gjendet në Vranjë. Në kuadër të Gjykatës ka12 gjykatës prej të cilëve vetëm tre janë shqiptarë, ndërsa 9 janë serb. Dy vendet e lira, sistematizim të përcaktuara për gjykatës shqiptarë, për gati dy vite, nuk janë plotësuar.

Kjo është në shpërputhje të plotë me koncesionet të cilat Qeveria e Republikës së Kosovës po i bën në këtë fushë, sikur në fushat tjera, ndaj Serbisë. Asnjëherë Qeveria e Republikës së Kosovës nuk e ka ngritur në Bruksel shtypjen dhe diskriminimin që Serbia ua bën shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Lëvizja VETËVENDOSJE! do të mbetet e përkushtuar që t’i ndihmojë përfaqësuesit e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës në kërkesat e tyre politike, si dhe të kërkojë përgjegjësi nga Qeveria e Republikës së Kosovës për angazhimin e tyre institucional në të mirë të shqiptarëve atje.

23 shkurt 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

23 02 2015

Rezultatet paraprake të votimit për zgjedhjet e brendshme

Rezultatet paraprake të votimit për zgjedhjet e brendshme

Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm i Lëvizjes VETËVENDOSJE! ka pranuar të dhënat me rezultatet paraprake nga të gjitha vendvotimet e hapura brenda dhe jashtë Kosovës për zgjedhjet e brendshme. Në këto zgjedhje u votua për dy çështje: (1) për Kryetar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, dhe (2) për ndryshimin statutor në lidhje me mekanizmin e vendimmarrjes sa i përket koalicioneve në nivel lokal, për ta kaluar këtë kompetencë nga anëtarësia e gjerë te Këshilli i Përgjithshëm. Në vijim janë paraqitur rezultatet paraprake për këto dy votime që u mbajtën në datat 21 dhe 22 shkurt 2015:

Votimi për Kandidatin për Kryetar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Visar Ymeri:

Për: 96.42%
Kundër: 1.88%
Abstenim: 1.32%
Të pavlefshme: 0.37%

Votimi për ndryshimin statutor:

Për: 87.57%
Kundër: 9.07%
Abstenim: 3.00%
Të pavlefshme: 0.35%

Rezultatet përfundimtare të këtij votimi do të shpallen ditën e diel, më 1 mars, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

23 shkurt 2015
Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

21 02 2015

Nisë votimi për zgjedhjet e brendshme të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Në ora 10:00 të mëngjesit ka nisur sot votimi për zgjedhjet e brendshme të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Në këto dy ditë anëtarët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! do të votojnë sipas parimit një anëtar një votë në mbi 200 vendvotime të hapura anembanë Kosovës, si dhe në 6 shtete të Evropës.

Kryetari aktual i Lëvizjes VETËVENDOSJE! ka qenë ndër anëtarët e parë që ka votuar këtë mëngjes. Pas votimit ai dha prononcimin në vijim:

VETËVENDOSJE! është jo vetëm lëvizja politikisht më aktive në Kosovë, jo vetëm subjekti konceptualisht më i thellë në Kosovë, por njëkohësisht është organizata përmbajtësisht më demokratike në Kosovë.

Sot dhe nesër, pra me 21 dhe 22 shkurt të vitit 2015 po mbajmë zgjedhje të lira, të ndershme e demokratike brenda Lëvizjes VETËVENDOSJE!, për Lëvizjen VETËVENDOSJE!, dhe jo vetëm për Lëvizjen VETËVENDOSJE! për shkak se me procesin tonë demokratik, ne me shembullin tonë tregojmë se si duhet të ndërtohet demokracia edhe në mbarë Republikën e Kosovës. Me këtë rast, në më shumë se 200 vendvotime anë e mbanë Kosovës po organizohen zgjedhjet për Kryetar të ri të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, dhe më pas do e kemi edhe kryesinë e re në mbledhjen e ardhshme të organit më të lartë të lëvizjes sonë, i cili është Këshilli i Përgjithshëm.

Me këtë rast, unë iu bëj thirrje të gjithë anëtarëve të VETËVENDOSJE!-s që të votojnë dhe ta shprehin lirshëm vullnetin e tyre, ta deklarojnë zgjedhjen e tyre në këto votime të lira, të cilat po i organizon Lëvizja VETËVENDOSJE!.

21 shkurt 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

20 02 2015

Protestuesit u sulmuan me vrushkuj uji nga cisterna

Në ditën e katërt të protestës para kompanisë “Pastrimi” përkrahja e punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje po rritet. Kjo dëshmohet edhe me informacionin që ata sot i kanë dhënë protestuesve se uzurpatori Feim Salihu do të përpiqet të futet në ndërtesë.

Kësisoj, me një skenar të paramenduar, dy punëtorë filluan kinse pastrimin e oborrit të ndërmarrjes dhe hapësirës së vendit ku qëndronin protestuesit. Ata pa asnjë paralajmërim filluan të lagnin protestuesit me vrushkuj uji nga cisterna. Kjo shprehte qëllimin e qartë të tyre për provokimin e situatës dhe pengimin e protestës.

Duke qenë se Policia e Kosovës ishte e pranishme dhe nuk mori asnjë hap, protestuesit u detyruan që të mbrohen nga sulmi i paramenduar.

Gjatë këtyre ditëve të protestës, komunikimi i protestuesve me punëtorët e ndërmarrjes Pastrimi ka qenë i vazhdueshëm. Asnjë punëtor përgjatë këtyre katër ditëve nuk është penguar në punën e tij dhe ata kanë qarkulluar vazhdimisht me makinat përkatëse përpara protestuesve.

20 shkurt 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

19 02 2015

Gjykata Speciale minon shtetin e së drejtës në Kosovë dhe e sulmon moralisht luftën tonë çlirimtare

Dokumenti për formimin e Gjykatës Speciale, i sjellë nga Ministria e Drejtësisë në Komisionin Parlamentar për Legjislacion, përmban 2 amendamentet kushtetuese dhe një projektligj për krijimin e dhomave të veçanta dhe themelimin e prokurorisë speciale. Është tërësisht e padrejtë që të kërkohet që i njëjti të mbahet konfidencial, dhe është në shpërputhje të plotë me ligjet e aplikueshme mbajtja konfidenciale e këtij dokumenti. Me ligjin për klasifikimin e dokumenteve, dokumentet që mbahen shumë sekrete ose konfidenicale janë vetëm dokumentet që cenojnë ose rrezikojnë sigurinë shtetërore. Aq i madh dhe urgjent është interesi i qytetareve për t’u informuar sa më shumë dhe sa më parë me këtë çështje kaq të rëndësishme, sa që është e domosdoshme që ta publikojmë këtë material menjëherë.

Procedurat nëpër të cilat do të kalojë ndërtimi i këtij sistemi të plotë paralel të gjyqësisë në Kosovë nga ana e Gjykatës Speciale është guri i fundit i atij pak sovraniteti e pavarësie që kishte Kosova. Me këtë proces nuk mbetet më asgjë nga shteti i së drejtës, në një republikë të pavarur.

Mbikëqyrja e punës së kësaj gjykate dhe zyra e prokurorit nuk i nënshtrohen asnjë mbikëqyrjeje nga Këshilli Gjyqësor, gjyqtarët pa përjashtim që të gjithë janë ndërkombëtarë dhe të njëjtit nuk emërohen sipas procedurave të parapara me legjislacionin në fuqi. Kontrolli ligjor dhe kushtetues kalon nëpër fazat procedurale tërësisht të pavarura me rregullimin aktual.

Dhomat do të kenë selinë edhe në Kosovë krahas edhe një vendi tjetër, por ku, nuk specifikohet në ligj. Për zyrën e prokurorit është vënë opsionale që selia të jetë në Kosovë. Pra, në parim selia e prokurorisë është jashtë vendit.

Ndër veçoritë më të rëndësishme është se me ndryshimet kushtetuese, gjykatës do t’i jepet mundësia që të lidh marrëveshje të karakterit ndërkombëtar, pa kaluar procedurat për ratifikim siç është paraparë me Nenin 19 të Kushtetutës. Kemi të bëjmë me precedent në të drejtën ndërkombëtare, kur një gjykatë e fut një shtet të pavarur në obligime ndërkombëtare, qofshin ato bilaterale apo multilaterale.

Sa i përket dënimeve dhe gjykimeve, të gjitha gjykimet dhe dënimet do të mbahen dhe ekzekutohen jashtë territorit të Republikës së Kosovës. Kjo paraqet një problem në kuptimin e përgjithshëm, sepse Kuvendi është dashur që me një vendim të veçantë të njoh të drejtën e ekstradimit të qytetarëve të vet, e jo përmes një pakoje të kategorisë kushtetuese të njihet e drejta e ekstradimit dhe ekzekutimit të dënimeve ndaj shtetasve të një shteti të pavarur në këtë mënyrë. Dënimi më i lartë që mund ta shqiptojë kjo Gjykatë është dënimi me burgim të përjetshëm.

Sa i përket kontrollit kushtetues, që i përket trajtimit të respektimit të të drejtave të njeriut në procedurë, për këtë do të vendosin vetëm tre gjyqtarë ndërkombëtarë në Gjykatën Kushtetuese. Tre gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese përjashtojnë nga vendimmarrja të gjithë gjyqtarët të tjerë të saj dhe vendimi i tyre është ekuivalent me çdo vendim tjetër të Gjykatës Kushtetuese. Propozim-Amandamentet kushtetuese garantojnë përzgjedhjen edhe për një mandat tjetër të këtyre gjyqtarëve ndërkombëtarë në Gjykatën Kushtetuese.

Sa i përket përbërjes së dhomave, ato përbëhen nga gjyqtarët ndërkombëtarë që zgjidhen me një konkurs ndërkombëtar e që përzgjidhen nga një panel i veçantë, i përbërë prej tre anëtarëve. Pas përzgjedhjes së tyre, emërimi i tyre bëhet nga Shefi i Misionit të EULEX-it.

Në Kapitullin 1 , neni 1.2 specifikohet qartë qëllimi i Gjykatës Speciale: fushëveprimi i saj ka të bëjë me pretendimet e Raportit të senatorit zviceran Dick Marty. Raporti i Dick Marty u prezantua në KiE, në dhjetor të vitit 2010 dhe është kurorëzim i një iniciative ruse e serbe dhe dështim mjaft serioz i politikës sonë qeveritare, i diplomacisë sonë pasive, si dhe i “miqve tanë ndërkombëtarë”. Ky raport arriti që të bëhet madje edhe Rezolutë e Këshillit të Evropës. Raporti i Martyt bazohet në pretendimet e ish kryeprokurores së Gjyqit të Hagës, Karla del Ponte. Sipas këtij raporti UÇK-ja ka bërë trafikim të organeve.

Gjykata Speciale po krijohet edhe përkundër faktit që 3 instanca të rëndësishme ndërkombëtare, kanë përfunduar hetimet e tyre pa gjetjen e ndonjë fakti relevant. Së pari këto pretendime e hetoi UNMIK-u më 2002, 2003 dhe 2004. Pastaj një ekip investigues i kryeprokurores del Ponte dhe së fundi edhe Taskforca Speciale e EULEX-it, më 2009 e 2010. Të tri këto institucione nuk gjetën ndonjë fakt që do të përbënte material të mjaftueshëm për padi dhe gjykime. Dhe nga ky prizëm duhet të kuptohet edhe intervista e saj e vitit të kaluar, në të cilën ajo shprehi befasinë e saj se si institucionet e Kosovës me aq lehtësi e pranuan krijimin e një gjykate ndërkombëtare për UÇK-në. Përgjatë kësaj kohe, kanë qenë konstante presionet e Serbisë dhe Rusisë në Kombet e Bashkuara dhe nëpër institucione të ndryshme evropiane siç është KiE, që të themelohet Gjykatë Ndërkombëtare për Krimet e supozuara të UÇK-së.

Prandaj krijimi i kësaj Gjykate enkas për UÇK-në është një dështim kapital me pasoja të pallogaritshme kombëtare, për popullin dhe interesat tona. Ky dështim është i barasvlershëm me çarmatosjen e UÇK-së, dhe ky proces i dëmshëm pa dyshim që simbol të vetin politik e ka ish kryeministrin Thaçi. Pasi UÇK-ja u çarmatos e u shkatërrua, pasi ajo u shporr nga vlerat tona institucionale e kushtetuese, tash po i nënshtrohet kapitullit të fundit të ndëshkimit moral e politik.

Edhe një herë po vërtetohet që fuqizimi i shtetit, funksionimi i Republikës dhe ngritja e kombit tonë është në kundërthënie të pa kompromis me pushtetin e garniturave politike qeverisëse të korruptuara dhe servile, të cilët duhet t’i heqim sa më parë ashtu që ta shpëtojmë veten dhe interesin tonë nacional.

19 shkurt 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT

18 02 2015

Uzurpimi i ndërmarrjes KRM “Pastrimi” në Prishtinë dhe përpjekja për çlirimin e saj

Kompania Regjionale e Mbeturinave (KRM) “Pastrimi” është një ndërmarrjeve tejet e rëndësishme për qytetarët e Prishtinës pasi ajo kryen një shërbim të domosdoshëm për mirëmbajtjen e pastërtisë. Në të janë të punësuar rreth 500 punëtorë, dhe ajo shtrihen në 7 komuna, por Komuna e Prishtinës është aksionari kryesor me 77.4% të aksioneve, dhe vendos për Kryesuesin e Bordit të KRM “Pastrimi” dhe për drejtimin e kësaj ndërmarrjeje.

Më 26 shkurt 2014 Komuna e Prishtinës cakton Komisionin e ri Komunal të Aksionarëve të KRM “Pastrimi”.
Pas 8 muajve probleme dhe moszbatim detyrash të Bordit, ky Komision shkarkon anëtarin e Bordit që përfaqësonte Komunën, Shaujb Mehmeti.
Më 9 nëntor shpallet konkurs 15 ditor për zëvendësimin e këtij anëtari, dhe në pozicionin e Kryesuesit të Bordit shpallet Prof. Ass. Dr. Bardhyl Noci.
Prof. Noci mban më 30 dhjetor mbledhjen e parë të Bordit. Mbledhjen përpiqen ta pengojnë Feim Salihu, Kryeshefi Ekzekutiv i KRM “Pastrimi”, me 20 persona të tjerë të drejtuar nga Besnik Salihu, shef i sigurimit të KRM “Pastrimi” dhe djali i axhës i Feim Salihut. Kjo bandë sulmon Prof. Nocin fizikisht, e ofendon dhe e kërcënon me jetë.
Më 5 janar 2015 Prof. Noci bën kallëzim penal në prokurori ndaj Feim Salihut, Besnik Salihut dhe 20 personave që ushtruan dhunë mbi të për të penguar mbledhjen.
Më 9 janar 2015 Bordi i KRM “Pastrimi” mban mbledhje dhe shkarkon Feim Salihun.
Më 13 janar 2015 hapet rasti për Feim Salihun pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë për mënyrën se si a është punësuar dhe për keqpërdorimin e detyrës.
Më 16 janar 2015 Gjykata Themelore në Prishtinë merr vendimi për t’ia ndaluar menjëherë Feim Salihut ushtrimin e detyrës së tij. Vendimi i përcillet Policisë.
Gjatë komunikimit të Policisë me Komunën, më 21 janar 2015 Policia refuzon t’i respektojë vendimet e Bordit të KRM “Pastrimi” dhe vendimin e Gjykatës. Disa policë tregojnë që Skender Hyseni, Ministri i Punëve të Brendshme, po e pengon ndërhyrjen e Policisë.
Më 27 janar 2015, Prof. Noci, Kryeseusi i Bordit të KRM “Pastrimi”, njofton bankat për vendimin e Bordit dhe të Gjykatës dhe ia heq Feim Salihut autorizimin për të kryer veprime bankare të KRM “Pastrimi”.
Më 16 shkurt 2015, mbi 30 ditë pas vendimit të Bordit dhe të Gjykatës, dhe pas refuzimit të policisë për të zbatuar ligjin, Asamblistë të Prishtinës, aktivistë dhe qytetarë dolën në protestë kundër Feim Salihut, dhe nuk e lejuan të hynte në ndërmarrje. Ndërhyri Policia për të larguar protestuesit dhe lëshoi fletarrest për Ylli Hoxhën, Asambleist në Komunën e Prishtinës, me akuzën “pengim i personit zyrtar”, duke ju referuar Feim Salihut. Por, me vendim Bordi e Gjykate, Feim Salihu nuk është person zyrtar.
Më 18 shkurt 2015, Asamblistët e Prishtinës, aktivistët dhe qytetarët dolën sërish në protestë kundër Feim Salihut. Policia e Kosovës duke mos ndërmarrë asnjë hap për zbatimin e vendimit të Bordit dhe Gjykatës, arrestoi Asamblistin e VETËVENDOSJE!-s Ylli Hoxha përderisa shkonte në mbledhjen e Komitetit për Politikë dhe Financa në Komunë.

Protestat kundër uzurpatorit Feim Salihu, do të vazhdojnë deri në largimin e tij.

18 shkurt 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT