10 09 2014

Deklarimi për gazetarët, i Kryetarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti pas nënshkrimit të marrëveshjes

Pas takimit me kryetarët dhe përfaqësuesit e LDK, AAK dhe NISMA, në përgjigjet për pyetjet e gazetarëve Kryetari Kurti tha:

“Ne në Lëvizjen VETËVENDOSJE! kur të vijë puna tek formimi i Qeverisë së re e cila do ta ndryshojë Kosovën si në aspektin politik ashtu edhe në atë socio-ekonomik, do ta mbajmë referendumin brenda Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Ajo që kemi bërë sot, me rastin e tremujorit të fillimit të bisedimeve tona, është që Lëvizja VETËVENDOSJE! bashkë me koalicionin LAN jemi marrë vesh që Kosovën ta hedhim në binaret e drejtësisë, zhvillimit, barazisë, të luftimit të krimit dhe korrupsionit, ndërkaq formimi i Qeverisë dhe pjesëmarrja në qeveri do të jetë një marrëveshje e ardhshme.

Theksi i kësaj marrëveshjes është zhvillimi ekonomik, qeverisja parimore, reformat institucionale, mirëqenia sociale, dhe natyrisht që në këtë marrëveshje ne kemi përfshirë edhe çështjet e dialogut ku ne së pari e kemi përmendur dialogun me Bashkimin Evropian, me Komisionin Evropian, për anëtarësimin e Kosovës në BE, me institucionet e BE-së, pastaj e kemi gjithsesi dialogun me serbët e Kosovës për integrimin e tyre në shoqëri dhe gjithashtu kemi edhe dialogun në përgjithësi i cili gjithsesi do të jetë parimor sikurse qeverisja e ardhshme.

Me sot po fillon një ndryshim i madh në Kosovë. Pas pamundësimit të ripërtëritjes së regjimit të vjetër me një qeveri të re, tash ne po e mundësojmë një qeveri të re pa regjim, ku qytetari i Republikës do të jetë në qendër të vëmendjes. Në tekstin e marrëveshjes të cilin do t’ua shpërndajmë në formën e nënshkruar dhe aty do të keni tërësisht të qartë se për çfarë jemi marrë vesh. E në fakt, nuk është se ju nuk e dini.

Pra, teksti i marrëveshjes është i qartë dhe nuk ka nevojë për komente shtesë. Funksionimi i institucioneve, shtetndërtimi demokratik në Kosovë, nuk do të vazhdojë gjurmëve të qeverive të mëparshme. Ky është një zhvillim i ri për të mirën e Kosovës. Ky zhvillim nënkupton se ne po vendosim Kosovën dhe qytetarët në binarët e progresit, drejtësisë, të parimeve, gjë që nuk ka qenë rasti deri tash.

Andaj, jam optimist se ashtu siç e kemi arritur këtë marrëveshje, do ta kemi në të ardhmen edhe marrëveshjen tjetër për programin qeverisës dhe për çështjet e përgjegjësive në ekzekutiv. Asisoj, Kosova në këtë shteg të ri të shtetit republikan, të zhvillimit ekonomik, të mirëqenies sociale, reduktimit të krimit dhe korrupsionit, do të ec drejt dhe sigurt, e për këtë është garanci bashkëpunimi ynë i vazhdueshëm.

Duhet t’i përmbaheni tekstit të marrëveshjes që vazhdimisht vë në spikamë zhvillimin ekonomik, sundimin e ligjit, shtetin e së drejtës dhe mirëqenien sociale. Kosova ka nevojë për një agjendë të re në mënyrë që të ndryshojë për të mirë.”

Prishtinë, 10 shtator 2014
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

28 08 2014

Gjykata kushtetuese – E nxone, PDK

Sot aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! organizuan një aksion simbolik në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Ky aksion erdhi pas Aktgjykimit arbitrar të gjashtë , prej gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, pra Enver Hasani, Arta Rama, Ivan Cukaloviq, Altay Suroy, Almiro Rodrigues dhe Snezhana Botusharova, të cilët me vendimin e tyre kanë cenuar rendin demokratik në vend.
Pas këtij aksioni për mediet u deklarua Zgjim Hyseni, anëtar i Këshillit të përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, cili tha se: “Gjykata Kushtetuese përmes vendimit të fundit, duke interpretuar Kushtetutën e ka ndryshuar atë. Ky fakt në vetvete nuk përbën problem. Kushtetuta jonë edhe ashtu ka shumë pika ku duhet ndryshuar. Në shumë pika të saj ajo ka kufizime e barriera të cilat populli i Kosovës domosdo do t’i tejkalojë.
Problemi është që këto ndryshime nuk po bëhen për të zgjeruar fushën e të drejtave që u takojnë qytetarëve, dhe rritur mundësitë që këto të drejta të realizohen, por pikërisht e kundërta. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese e ka bërë vetë Kushtetutën mjet pushteti. Në vend se të ishte formalizimi juridiko-politik i vullnetit popullor, përmes vendimit të fundit, Kushtetuta po përdoret si instrument për ta shtypur këtë vullnet e për t’i dhënë formë legale sundimit jodemokratik. Ai sundim autoritar që braktis vullnet popullor, por ushtrohet përmes procedurave ligjore quhet tirani.
Ky aksion simbolik që kemi organizuar sot ka për qëllim protestën dhe kundërshtimin e këtij vendimi. Kjo kurorë varri tregon se çfarë i ka bërë Gjykata Kushtetuese demokracisë parlamentare në Kosovë: e ka varrosur. E ndërsa grafiti që shkruam në murin e saj, “E nxone- PDK” shpërfaq realitetin e këtyre gjyqtarëve.
Por, ka diçka që duhet t’i kujtojmë kësaj Gjykate sot. Në krye të çdo vendimi të Gjykatës jo më kot kemi shprehjen “në emër të popullit”. Ka një gjykatës që është edhe mbi ju”.

28 gusht 2014
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

21 08 2014

E shkreta kredi… të shkretat këste

Hua për bukën e përditshme, borxh te shitorja e mëhallës dhe kredi për të larë kredinë. Derisa e dyta është për të larë të parën, e para është marrë për t’i gjetur një strehë kokës, për të paguar studimet e fëmijëve, kredi për t’u martuar, kredi për t’u shëruar, kredi për t’i rregulluar dhëmbët, kredi për rroba pune, për libra, për syze me dioptri, pa dioptri, për pushime, për smartphone natyrisht, kredi për të blerë një lopë, kredi për farë, për ta mbjellë arën, për ta lëvruar (kreditë rurale kanë normë të interesit më të lartë sesa ato urbane), kredi konsumi, konsumi… Kredi kudo që je dhe për çfarëdo halli që nuk po të ndahet. Dhe dimë se kreditë e këqija janë të ulta vetëm në Kosovë, derisa rajoni lulëzon prej tyre.

Ndoshta e keqja e vërtetë duhet parë nga këndvështrimi i huamarrësit dhe atëherë konkluzioni do të jetë tjetër. Por, terminologjia është vendosur nga zoti i pareve, bankës.

Ka kohë që fitimi i bankave në një vend me varfëri të madhe duket absurd. Por, pikërisht kjo e bën të vërtetë gjithë historinë e fitimit.

Nuk ka hapësirë për çudi që në vendet e pazhvilluara bankat fitojnë më shumë sesa në vendet e zhvilluara, ama kjo nuk duhet marrë si e mirëqenë e pakritikueshme. Secila bankë në Kosovë është më fitimprurësja në grupin e saj ku bëjnë pjesë banka të vendeve shumë më të zhvilluara.

Ndërkohë bankat tona (territorialisht tonat) mbesin të pashqetësuara, të paktën nga justifikimi i detajuar, derisa jeta e shifrave të bankierëve mbetet mister i pazbërthyeshëm prej popullit që duke zgjatur duart shumanshëm, arriti të marrë mallin më të kërkuar në Kosovë, kredinë.

Sipas një llogaritjeje të bërë për një hulumtim të botuar vitin e kaluar, pasi ProCredit kishte larguar nga puna me forma të sofistikuara me dhjetëra punëtorë (disa raportuan mbi 100 punëtorë) del se ProCredit në Kosovë, megjithëse ka banka në vende shumë të zhvilluara, në vendin e pazhvilluar Kosovë, operon me një fitim shumë të lartë.

Në bilancin e gjendjes, të publikuar në faqen zyrtare te PCB-së në Kosovë, kjo bankë në fund të vitit 2012 ka pasur një fitim të përgjithshëm shumën prej 15 milionë eurosh, saktësisht 15,101,00.00 euro. Kurse, në raportin e publikuar në faqen e ProCredit Group (pasqyrat e konsoliduara financiare) për periudhën janar – shtator 2012, fitimi total i grupit është 36 milionë euro.

Duhet pasur parasysh që ProCredit Group përbëhet nga 21 banka në vende të ndryshme të botës (operon në tri kontinente), që do të thotë se, nëse PCB në Kosove ka pasur 27% të fitimit të përgjithshëm, mesatarja e fitimit për të gjitha bankat e mbetura është 3.6%.

Pothuaj secila bankë në Kosovë, është më fitimprurësja në grupin e saj të bankave të tjera. E, si do të ishte ndryshe me kamatat deri në 14 përqind dhe brengën e madhe të bankierëve për të mos rrezikuar asgjë në Kosovë? Apo bankierët tonë kanë mjaftueshëm kredi, por nuk kanë besim (lat. credo, prej nga vjen ‘credit’) Pra, këto janë bankat, me përfitime 700 mijë euro përfitime në ditë (Zëri, 18 gusht 2014) që mbahen në kurriz të njerëzve që miellin e marrin hua, e paguajnë lartë për qira.

Ndërkohë, raporti kredi-depozita është 72 përqind. Norma mesatare e interesit në depozita në tremujorin e parë, 2014 u zvogëlua në 2.13 përqind, nga 3.61 përqind sa ishte në periudhën e njëjtë, 2013. Po kjo si justifikohet? Ndoshta me diplomaci strucësh mund edhe të justifikohet, por me çfarë të paguhet kësti?

Ndoshta kur shtrëngimet e sofrës nuk mjaftojnë dikush mund të shesë gjak për të shuar etjen e bankierëve që mbajnë mesataren e normës së interesit në kredi 13.2 përqind. Sigurisht se prej bankave që lëshojnë kredi e që bëjnë kërdinë, nuk pritet të sillen sipas politikave për barazi shoqërore.

Ata vështirë se mund ta kuptojnë Ajtene Krasniqin e cila zbuloi ilaçin që shëron bakterin e ushqimit escherichia coli dhe refuzoi që patenta për këtë të jipet në Gjermani ku i ishin ofruar asaj miliona euro për këtë gjetje. Zonja Krasniqi, sipas funksionit të intelektualit, nuk mund ta shohë zbulimin e saj jashtë përdorimit të popullit. Ajo po vazhdon ta prodhojë këtë ilaç te shtëpia e saj në Prizren dhe ta shesë me çmime lehtësisht të përballueshme.

Sikur ajo të kishte pranuar që t’ia jepte licencën shtetit gjerman për këtë, të prekurve nga ky bakter do t’u mbetej të mburreshin me vlerat simbolike të tipit “një shqiptare e ka zbuluar ilaçin”. Kurse në atmosferën e saj të përditshme sigurisht që përballet edhe me mirënjohjen për ilaçin që ua mundëson të shërohen brenda Kosovës dhe krenarinë që po shërohen nga zbulimi shqiptar (tog fjalësh i rrallë).

E meqë te bankat nuk presim në vullnetin e mirë e mohimin financiar imediat si të zonjës Ajtene, duhen zgjidhur ato dreq lëndësh në gjykata, qofshin të sistemit financiar, apo të çfarëdo natyre. U duhet hequr ky argument bankave që i bëjnë ato t’i mbajnë kreditë kaq të larta. Duhet hapur edhe një bankë publike. Duhet ndërhyrë aq sa është e mundshme që t’i hiqet laku nga fyti qytetarëve.

Po nuk deshëm që të kemi kthim ironik të gjërave duhet të mos e injorojmë si problem. Është plaçkitje dhe si e tillë duhet demaskuar. Bankat duke qenë përcaktuese si problemi dhe zgjidhja e shumë çështjeve nuk duhen injoruar.

Nëse nuk duam t’i trembin bankierët që e meritojnë, duke iu cituar Brehtin kur thotë se çka është plaçkitja e një banke në krahasim me themelimin e saj, atëherë bile ta kemi parasysh Nonda Bulkën kur përshkruan bankat: “Financa qeveris, financa udhëheq, financa firmon paqe, shpall luftëra, përpilon ligje, ngre dhe shtie qeveri, emëron ministra dhe financa vepron nën dhe. Asnjeri s’e merr vesh. Asnjëri s’e provon dot. Megjithatë, ashtu është”.

PS. Nuk duhesh me qenë “e fushës” për ta parë vështirësinë e papërballueshme për ta larë kredinë dhe domosdonë për të.

Prishtinë, 21 gusht 2014

Kontribo

14 07 2014

Albin Kurti – Konferenca e Ambasadorëve, Tiranë 6 korrik 2014

Të dielën, më 6 korrik 2014, me ftesë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti mori pjesë në panelin e organizuar në kuadër të Konferencës katër ditore të Ambasadorëve, “SHQIPËRIA NË RAJON – NGA PERIFERI, NË QENDËR.

Të ftuar të tjerë në panel ishin z. Pëllumb Xhufi, historian dhe ish Zëvendësministër i Jashtëm, z. Qemal Minxhozi, Ambasador i RSH-së në Kosovë dhe z. Bashkim Rama, ish Ambasador.

Konferenca e Ambasadorëve shërben si një platformë për shkëmbimin e informacioneve dhe ideve, si dhe ngre për diskutim disa prej çështjeve që lidhen me vendet tona, rajonin dhe arenën ndërkombëtare.

Në këtë Konferencë, ishin të ftuar si panelistë për të ndërvepruar me diplomatët, anëtarë të kabinetit qeveritar të Republikës së Shqipërisë, individë nga shoqëria civile, analistë të pavarur dhe përfaqësues të botës akademike, si nga hapësira shqiptare ashtu edhe ajo ndërkombëtare, me qëllim diversifikimin e opinioneve dhe ideve mbi zhvillimet aktuale të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Kontribo

14 07 2014

VDEKJA E PUNËTORËVE NË KAZAKISTAN RËNDON MBI TË GJITHË ATA QË E KANË VARFËRUAR KOSOVËN

Sot ka ndërruar jetë edhe qytetari i katërt nga Kosova që po punonte në Astana të Kazakistanit. Lëvizja VETËVENDOSJE! i shprehë ngushëllimet familjeve dhe njëkohësisht shpreh shqetësimin për humbjen e jetës së qytetarëve të cilët janë detyruar të mërgojnë për sigurimin e ekzistencës.

Kosova është nga vendet e rralla në botë që e sheh të zbatuar aq pastër skllavërinë neoliberale. Në Kosovë eksportohen njerëzit, importohen produktet për t’u eksportuar edhe paratë pastaj. Gjuha e ftohtë e ekspertëve na thotë se këto janë kushtet e tregut. Ata bile ishin të lirë të zgjidhnin nëse duan të shkojnë ose jo. Por ja që “kushtet e tregut” janë kushtëzuar nga faktorë konkret subjektivë ku mund të ndikojmë dhe jo nga natyra objektive e gjërave apo fuqitë mbinatyrore mbi të cilat s’mundemi as të gjykojmë.

Konkretisht, Kosova është bërë treg i fuqisë së lirë punëtore por edhe pre e biznesmenëve matrapazë sepse ajo lëngon nga papunësia, varfëria e moszhvillimi. E, të gjitha këto vijnë nga politikat e zbatuara ekonomike tash e 16 vjet. Politika që shkatërruan potencialin prodhues, i lanë njerëzit buzë ekzistencës dhe shkatërruan shoqërinë. Nga politikanë si Isa Mustafa e Hashim Thaçi që premtojnë qindra-mijëra vende pune e kur fillojnë qeverisjen s’bëjnë gjë tjetër veçse zgjerimin e klientelës, zhvatjes së buxhetit e koncesione Serbisë.

Ky rast tragjik është thirrje që na fton për angazhim e na thërret në përgjegjësi për ta ndërtuar perspektivën këtu dhe jo të krenohemi me projektet që degdisin qytetarët jashtë vendit siç bën Qeveria.

14 korrik 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

30 06 2014

Aida Dërguti e Glauk Konjufca në nderimin e Fan Nolit për 100-vjetorin e meshës së parë në gjuhën shqipe

Gjatë ditës së dielë, një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! i përbërë nga Aida Dërguti e Glauk Konjufca morën pjesë në ceremoninë e vendosjes së bustit të Fan S. Nolit në Kishën e Shën Mërisë në qytetin e Elbasanit.

Kjo ceremoni së bashku me veprën artistike të skulptorit Idriz Balani u realizuan në kuadër të 100-vjetorit të meshës së parë në gjuhën shqipe në trojet tona, e cila është mbajtur në kishën e Shën Spiridonit në Durrës më 1914.

Me këtë rast, At Nikolla Marku këtë të diel ka mbajtur edhe një meshë përshpirtje në nderim të themeluesit dhe frymëzuesit të mëvetësisë së Kishës ortodokse shqiptare dhe shqipërimit të teksteve të shenjta, figurës së shquar të Fan Nolit, bashkëthemeluesit të Kishës Autoqefale Shqiptare.

29 qershor 2014
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

08 06 2014

Çdo votë ka peshë


Lëvizja VETËVENDOSJE! e vlerëson procesin zgjedhor deri më tash si një proces të rregullt në përgjithësi. Ka pasur probleme përgjithësisht të vogla, por jo në masë shqetësuese. Deri më tani vëzhguesit dhe komisionerët e kanë bërë punën e tyre në mënyrë të kënaqshme, dhe shpresojmë që në bashkëpunim me gjithë institucionet, procesi të vazhdojë i rregullt deri në fund.

Ne bëjmë thirrje që secili qytetar të shfrytëzojë maksimalisht çdo minutë të mbetur deri në orën 19:00 e cila është ora kur përfundon orari zyrtar i zgjedhjeve. Midis opsioneve zgjedhore ata duhet të zgjedhin çka besojnë se është më e mira, dhe duhet të aktualizojnë vullnetin e tyre. Kjo është një detyrë qytetare ndaj demokracisë e ndaj republikës në Kosovë.

Lëvizja VETËVENDOSJE! është duke e ndjekur procesin me shumë kujdes, dhe do të monitorojë deri në fund për të shmangur çdo parregullsi apo pengesë eventuale e për ta bërë sa më të lehtë procesin e votimit për secilin votues. Shpresojmë që këtë ta bëjnë edhe partitë e tjera.

8 qershor 2014
Shtabi Zgjedhor
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

28 05 2014

Albin Kurti, 28 maj 2014

“Qeveria e Kosovës nuk ka punuar për klasën e mesme dhe as atë të varfër: nuk ka vende të reja pune për ata që s’e kanë mbiemrin e duhur, nuk ka pensione që s’janë lëmoshë, kurse nga asistenca sociale del pse të përjashtojnë e jo pse je fuqizuar e aftësuar. Çka na duhet ne një qeveri e tillë? Asgjë. Kujt i duhet kjo qeveri? Vetvetes”

Kontribo

27 05 2014

Albin Kurti, sot:

“Ata që i kanë investuar në bujqësi vetëm 2% të buxhetit të shtetit nuk janë në tokë të bukës. Më shumë se çereku i buxhetit të Bashkimit Evropian i dedikohet bujqësisë. Ata që i lejuan bankat komerciale ta dominojnë tregun financiar me kamata prej mbi 18% për bujqësi nuk janë qeveri e jona. Bashkimi Evropian ka bankë për zhvilim në Kosovë (BERZh-i), kurse Kosova nuk e ka një të tillë për vete.”

Kontribo

26 05 2014

Albin Kurti, sot:

“Republika presidenciale mund t’i përngjajë kollaj monarkisë. Republika qeveritare i përngjan edhe më kollaj aristokracisë. Republika parlamentare i afrohet më së shumti demokracisë. Prandaj, qeverisje demokratike në Republikën e Kosovës është mu ajo që e forcon parlamentin, e jo thjesht pushtetin e vet. Buxheti vjetor për Kuvendin e Kosovës ishte 10 milionë euro, ndërkaq për zyrën e Kryeministrit ndaheshin 12 milionë euro.”

Kontribo

19 05 2014

Albin Kurti, sot:

“Mirëqenia e njeriut është ushqim, veshmbathje, ngrohje, higjienë e strehim, por mirëqenia e qytetarit të Republikës është arsim, shëndetësi, punësim, kulturë dhe pension i dinjitetshëm. Pa të dytën e humbet edhe të parën. Pra, kur nuk ke mirëqenie si qytetar, shpejt mbetesh pa mirëqenie edhe si njeri.” Tash #meLëvizjen

Kontribo

09 05 2014

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Albin Kurti, po qëndron për një vizitë në Britani të Madhe.

Më 10 maj 2014, me ftesë të Kolegji St. John, Universiteti i Oxfordit, ai do të jetë pjesë e panelit në konferencën me titullin “Pajtimi dhe drejtësia në Ballkanin Perëndimor” që organizohet po nga ky kolegj. Në këtë konferencë, ai është i ftuar të flasë mbi temën “Paqja pa ndarje”.

Përpos pjesëmarrjes në këtë konferencë, z.Kurti do të takojë edhe bashkatdhetarë që jetojnë në Britani të Madhe.


Lëvizja VETËVENDOSJE!
Sekretariati për Media dhe Komunikim

Kontribo

04 05 2014

Komunikimi

Poqese shfletojmë fjalorin, fjala komunikim që rrjedh nga gjuha latine, nënkupton shkëmbim mendimesh me dikë, bisedim, marrëveshje me dikë. Natyrisht, në këtë rast nevojiten të përfshihen palët të cilat kanë interesa të caktuara për të arritur një marrëveshje.

Kur bëhet fjalë për komunikimin në mes të subjekteve politike, praktika e komunikimit mes tyre duhet të jetë përmes shefave të grupeve parlamentare gjatë kohës sa janë në Kuvend, apo përmes kërkesave zyrtare në adresë të subjekteve. Mirëpo, shumica e partive politike nuk praktitojnë një formë të tillë. Ashtu siç ishte dikur zakoni i këtij vendi,  që bajraktarët merrnin vendime nëpër oda, edhe sot vazhdon. Shumicën e liderëve të partive, i kemi parë shumë herë që të anashkalojnë institucionet dhe vendimet e rëndësishme t’i marrin diku tjetër dhe njëkohësisht të keqinformojnë publikun. Tashmë me avansimin e teknologjisë, jemi mësuar që udhëheqësit qeveritar por edhe të partive, të përdorin Facebook-un. Mirëpo, shfrytëzimi i kësaj hapësire për të shprehur propozime opozitës, të cilët nuk i ka as miq në Facebook, nuk është serioz, për të mos thënë se është  qesharak.

Mik pas miku, më rastisi të shoh postimin e kryetarit të LDK-së Isa Mustafës në Facebook, ku kritikon Qeverinë për krizën politike dhe institucionale në Kosovë. Në fund, iu bën thirrje partive opozitare dhe koalicionit qevererisës që të bashkohen për ta shpërbërë Kuvendin. Pra, Isa Mustafa kërkon ta ndëshkojë Kuvendin, për punën e keqe të Qeverisë. Adresimi i problemit dhe propozimi për zgjidhje, kanë një problem të thellë logjik. Për sa kohë Isa Mustafa konstaton se Qeveria është fajtore për situatën e krijuar, pse kërkon shpërbërjen e Kuvendit? Mbase edhe kjo është pjesë e marrëveshjes, që mos t’ia jap ndëshkimin e merituar PDK-së, të cilën planifikon ta ketë partner të ardhshëm të koalicionit. Prandaj, as neve dhe as opinionit le të mos përpiqen të na shesin dushk për gogla. Po të ishte LDK e interesuar që ta ndal keqqeverisjen dhe të mbronte interesat e vendit, do të pranonte formimin e bllokut opozitar të propozuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE! qysh vitin e kaluar.

Puna e mbrapshtë e kësaj Qeverie është parë qysh në ditët e para të qeverisjes së saj dhe kriza e parë institucionale është parë me zgjedhjen e presidentit, me ç’rast u anashkaluan institucionet dhe u bë një marrëveshje ‘bajraktarësh’ në mes të liderëve të PDK, LDK dhe AAK, për ta tejkaluar ngërçin e parë institucional. Kësi lloj marrëveshjesh u bënë sa herë që kishin nevojë të kontrabandonin në Kuvend ndonjë vendim që është në dëm të interesave të qytetarëve dhe të vendit. I kemi parë të qeverisin e të bashkëqeverisin, por ndryshimi asnjëherë nuk ka ndodhur. Reciklimi i keqqeverisjes edhe për katër vite, do të jetë fatkeqësia më e madhe e këtij vendi.

Kontribo

18 04 2014

Deklarimi i Albin Kurtit gjatë homazheve në varrezat e dëshmorëve në Prishtinë

Sot jemi këtu që të kujtojmë dëshmorët e komunës së Prishtinës. Dëshmorët janë dëshmi e sakrificës dhe e vetëmohimit, kontributit e luftës, rezistencës e kryengritjes tonë dhe njëkohësisht këta janë edhe dëshmi që Serbia ishte agresore, okupatore, shtypëse, shfrytëzuese dhe prandaj, në Ballkan për të pasur paqe dhe drejtësi do të duhej të kishim një tribunal për Serbinë e kurrsesi për Kosovën.

Kryeministri i Kosovës po tregon që ka kapitulluar dhe prandaj tash po vjen tribunali. Pra, kapitullimi që e përjetoi në Bruksel gjatë negociatave me Daçiqin e Vuçiqin, po kurorëzohet me një tribunal kundër Kosovës. Tribunali i këtillë, të cilin po e mirëpret kryeministri, ndonëse po e din që është i padrejtë, në fakt është shtruar edhe nga deklaratat e tij se ai ka qenë larg fronteve të luftës. Me fjalë të tjera, ai tha se “shokët e mi që kanë qenë në front të luftës merrni lirisht, ndërkaq unë isha shumë larg atyre”. Dhe, e fundit është që një tribunal i këtillë për Kosovën, apo gjykatë e veçantë siç po quhet, në fakt është ekstradim edhe i pavarësisë, edhe i luftës çlirimtare, është dorëzim jashtë vendit tone i këtyre gjërave që janë aq themeltare e aq thelbësore, sa që na bëjnë ata që jemi.

Kryeministri i Kosovës po pajtohet me qëndrimet e VETËVENDOSJE!-s se ai e ka bishtin e zënë me derë. Ai po thotë se tribunal është i padrejtë, mirëpo duhet të votohet pikërisht sepse është i shantazhuar. Ky është konfirmim i shantazhit ndaj Kryeministrit.

18 prill 2014
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

10 04 2014

Takimet e Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga Albin Kurti

Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga Albin Kurti, kryetar i Komisionit, gjatë vizitës zyrtare në Bruksel, ka zhvilluar takime te ndara me disa deputetë të Parlamentit Evropian.

Anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme u takuan me z. Elmar Brok, kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian, z. Hannes Swoboda, anëtar i Konferencës së Kryetarëve të Parlamentit Evropian, dhe me znj. Ulrike Lunacek, anëtare e Komisionit për Pune të Jashtme e PE-së.

Në këto takime u diskutuan çështje të rëndësishme siç janë zgjedhjet, kërkesa për monitorimin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, diplomacia parlamentare, mungesa e transparencës lidhur me Tribunalin/Gjykatën për krimet e luftës, situata e sigurisë në Mitrovicë, mandati i ri i EULEX-it, si dhe gjendja e minoriteteve në Kosovë.

Kryetari i Komisionit, z. Kurti, ua dorëzoi deputetëve të Parlamentit Evropian, një raport me vërejtjet e Komisionit për Punë te Jashtme të Kuvendit të Republikës së Kosoves, lidhur me rezolutën e Parlamentit Evropian për procesin e integrimit evropian të Kosovës.

Kontribo

04 04 2014

Modeli i ri qeverisjes – zhvillim i ri për Prishtinën

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, së bashku me ekipin qeverisës, prezantuan sot raportin e punës të 100 ditëve të para të qeverisjes në Komunën e Prishtinës. Puna gjatë 100 ditëve të para të qeverisjes, paraqet rrugën në të cilën niset një qeverisje e re, dhe rrugën të cilën ajo do ta ndjek në 4 vitet e mandatit.

Gjatë këtyre 100 ditëve, kemi instaluar një model të ri të qeverisjes për gjithë Republikën e Kosovës. Kjo mendësi e re e trajton ndryshe postin publik, paranë publike dhe qasjen ndaj qytetarit.

Për ne, qeverisja nënkupton shërbim. Ne jemi shërbyes ndaj qytetarëve, i shërbejmë interesit publik. Jemi këtu që ta ruajmë interesin e Komunës dhe ta rrisim vlerën e Komunës.

Kemi zhvilluar me mijëra takime me qytetarë, nëpër të gjitha drejtoritë e i jemi përgjigjur të gjitha kërkesave të qytetarëve, edhe pse i kemi pasur mbi 75 mijë të tilla, që kanë kërkuar shërbime të ndryshme nga Komuna.

Shumë qytetarë na janë falënderuar, për shkak të trajtimit të barabartë që po ia bën tani Komuna e Prishtinës. Kryetari i Komunës dhe drejtorët e drejtorive janë Kryetar dhe drejtorë të të gjithë qytetarëve të Prishtinës. E kjo barabarësi, përveç që vërehet në takimet që kemi me secilin prej tyre pa dallim, vërehet edhe tek mënyra e punësimit.

Qasja ndaj postit publik dhe parasë publike, është tërësisht tjetër në këto 100 ditë. Komuna na takon të gjithë neve. Kemi bërë transparente të gjitha vendimet, do t’i bëjmë transparente të gjitha raportet buxhetore. Buxheti është i qytetarëve të Prishtinës, dhe iu takon atyre, prandaj ne e kemi për detyrë ta menaxhojmë, ta ruajmë, e ta shpërndajmë në mënyrë të drejtë e të barabartë.
Takimet që kanë kërkuar bizneset individualisht, për të diskutuar për tenderë të caktuar, nuk i kemi mbajtur. Nuk ka nevojë për takime të tilla. Ata që duan të punojnë drejt dhe mirë, e kanë Komunën mbështetësin më të madh. Ata që duan të punojnë mbrapshtë, e kanë Komunën armikun më të madh. Kurdo që ka tender, ose do t’i takojmë të gjitha bizneset e interesuara përnjëherë dhe do ta diskutojmë tenderin, ose nuk do ta takojmë asnjërin.

Në këtë 100 ditësh, po e instalojmë rendin dhe ligjin në Komunën e Prishtinës. Në fillim na thoshin se “nuk do të mund t’i ndalni ndërtimet pa leje”, tani po na thonë se “i keni ndalur shumë ndërtimet pa leje”. Prishtina nuk do të rregullohet pa u instaluar ky rend dhe ligj.

Në këtë mënyrë, kemi ndërtuar dhe forcuar institucionin, dhe kështu do t’i forcojmë edhe marrëdhëniet institucionale. Nuk hezitojmë t’i shkruajmë secilit zyrtar publik, në secilin institucion publik, nga cilido subjekt që është, gjithnjë në mbrojtje të interesit të qytetarëve të Prishtinës, duke forcuar kështu komunikimin institucional, e jo takimet joformale prapaskenave. Kështu ka ndodhur edhe me lëndët e dorëzuara në prokurori, ku të gjitha kanë qenë publike, me ç’rast është ngritur edhe presioni publik mbi prokurorinë që të veprojë më shpejt.

Për këto 100 ditë kemi vendosur themele të shëndosha. Por, kjo nuk përbën vetëkënaqësi, ngase ka hapësirë për t’u përmirësuar.

Ne do të mbajmë ritëm të e lartë e dinamikën do ta shtojmë, duke u angazhuar edhe më shumë, për të realizuar projekte të ndryshme që përmirësojnë jetën e qytetarëve të Prishtinës.

Me këtë rast, falënderojmë mediat dhe shoqërinë civile, për monitorimin e përditshëm, për pyetjet e përditshme, për presionin e vazhdueshëm, duke na ndihmuar kështu në gjetjen e defekteve dhe problemeve të shumta të qytetit, me ç’rast reagimi jonë ka qenë më i shpejtë në përmirësimin e tyre.

Në vegezën më poshtë mund ta gjeni raportin e plotë të 100 ditëve të para të qeverisjes së re në Komunën e Prishtinës, ku përfshihen:

çështja e ujit; transparenca radikale; lufta ndaj sjelljeve korruptive; ndalimi i parregullsive dhe jokonformiteteve; planifikimi urban; largimi i luksit nga qeverisja komunale; infrastruktura; përfshirja në vendimmarrje; përmirësimi i cilësisë në shërbimet mjekësore; ngritja e mirëqenies sociale; Prishtina e të gjithë qytetarëve; Komuna në shërbim të qytetarëve; dinamika e re e bashkëpunimit; si dhe qasja e lehtë dhe e barabartë në aktivitetet kulturore publike.

http://kk.rks-gov.net/…/Modeli-i-ri-qeverisjes—zhvillim-i…


Komuna e Prishtinës
Zyra për Marrëdhënie me Publikun

Kontribo

26 03 2014

Takimi me Ambasadorin e Mbretërisë së Suedisë

Sot kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Albin Kurti, dhe nënkryetarja Aida Dërguti, pritën në takim z. Mats Staffanson, Ambasadorin e Mbretërisë së Suedisë, për Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni të shoqëruar nga drejtuesi i Misionit të Suedisë në Kosovë z. Henrik Nilsson.

Gjatë këtij takimi u diskutua për situatën dhe zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe rajon.

Vëmendje e veçantë iu kushtua sundimit të ligjit dhe drejtësisë e po ashtu dhe çështjeve të reformës zgjedhore me theks në zgjedhjet parlamentare që priten të mbahen gjatë këtij viti.

Gjatë diskutimit në këtë takim u cekën disa nga prioritetet e programit qeverisës të Lëvizjes VETËVENDOSJE! si dhe u diskutua për nevojën e bashkëpunimit konkret të mëtejshëm duke intensifikuar takimet mes të dyja palëve.

26 mars 2014
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

15 03 2014

AAK tha që s’do të bëjë koalicion me PDK-në. Sa kollaj e thotë këtë AAK, aq vështirë e besojmë ne!

Ta bësh sovranitetin për Kosovën përmes dialogut me Serbinë, është si të hash shpageta me lugë.

Qasja e BE-së dhe e faktorëve tjerë ndërkombëtarë: Serbinë të mos e hidhërojnë shumë dhe shqiptarët të mos i gëzojnë shumë.

Serbia e madhe po realizohet përmes shumë serbive të vogla.

Kontributi personal i Thaçit në vitet e ’90-ta për largimin e Serbisë nga Kosova është më i vogël sesa ky në tri vjetët e fundit për kthimin e saj në Kosovë.

Për pakicat duhet integrim në shoqëri përmes barazisë dhe jo integrim në institucione përmes privilegjeve.

Me këso Qeverie e qeverisjesh, në Kosovë është më kollaj të jeshë hajn sesa njeri i ndershëm. Me qeverisjen e LVV do të vlejë e kundërta…

Ne kemi nevojë për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe BE-së dhe jo midis Kosovës e Serbisë. Me dialogun Thaçi-Daçiq po ndodh veçse normalizimi i marrëdhënieve Serbi-BE.

Albin Kurti, TV21!

Kontribo

13 03 2014

Nga takimi me Ministrin e punëve të jashtme të Republikës së Shqipërisë

Mbrëmjen e së enjtes Albin Kurti, kryetar i VETËVENDOSJE!-s dhe Visar Ymeri, drejtues i Grupit parlamentar i VETËVENDOSJE!-s patën takim me Ministrin e punëve të jashtme të Republikës së Shqipërisë, Ditmir Bushati. Në takim mori pjesë dhe Ambasadori i ri i Republikës së Shqipërisë, Qemal Minxhozi si dhe këshilltarët e Ministrit të punëve të jashtme.

Gjatë takimit u diskutua për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërshtetëror si dhe për situatën politike e ekonomike të shqiptarëve në rajon. Më pas temë e takimit qe dhe dinamizimi i bashkëpunimit në fushën e ekonomisë si dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura deri më tash midis Kosovës e Shqipërisë.

13 mars 2014
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

21 09 2013

“DHURO PËR NDRYSHIMIN!”

Në prag të zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit, 2013, Lëvizja VETËVENDOSJE! është angazhuar e gjitha për ndryshimin e komunës në Kosovë si koncept, si politikë, si administrim dhe si e drejtë për ta përmirësuar veten duke përmirësuar hapësirën dhe mënyrën e jetesës. Ne i kemi bashkuar konceptit tonë politik kandidatët më të mirë për secilën komunë, të cilët janë votuar përmes procesit të demokracisë së brendshme. Koncepti dhe alternativa që po çojnë përpara kandidatët dhe aktivistët tanë përbëjnë një avantazh, por kjo nuk e siguron fitoren.

Duhet pasur parasysh se kjo është një garë e pabarabartë. Në njërën anë qëndron pushteti që mungesën e programit e kompenson me para të vjedhura dhe me shantazhe. Në anën tjetër qëndron koncepti i Lëvizjes VETËVENDOSJE! i shpalosur në alternativat për qeverisjen lokale. Për ta përmbysur pabarazinë e kësaj gare nevojitet ndihma e të gjithë atyre që besojnë se ky pushtet duhet t’i ketë ditët e numëruara. Nevojitet ndihma dhe kontributi juaj. Kjo ndihmë do të përdoret për të mbuluar shpenzimet për transport, për komunikim, për printimin e alternativave qeverisëse lokale, për aktivitet që po zhvillohen në 32 komuna në Kosovë dhe për ushqimin e mijëra vullnetarëve që po punojnë pa pushim.

Në këto ditë të mobilizimit të përgjithshëm të gjithë mund të ndihmojmë:

1. Duke depozituar ose transferuar para në llogarinë bankare të Lëvizjes VETËVENDOSJE!:
Procredit Bank Kosova
INICIATIVA QYTETARE LEVIZJA VETEVENDOSJE
Nr. i llogarisë: 1189-001551-0001-36
SWIFT CODE: MBKORS22

2. Duke ofruar mallra dhe shërbime falas pranë një Qendrë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Komunën tuaj,
3. Duke blerë produktet e Levizjes VETËVENDOSJE! në faqen e internetit: https://vitrina.vetevendosje.org/, ose duke telefonuar në numrin: +377 (0) 44 650 894

Secila dhuratë është e vlefshme dhe ajo mund të jetë në shumën 5, 10, 20, 50, 100 e deri në shumën 1,000 Euro në ditë (sa e lejon edhe ligji). Çdo dhuratë do të shpenzohet drejtpërdrejtë për këtë fushatë në mënyrën më transparente. Lëvizja VETËVENDOSJE! është i vetmi subjekt politik në Kosovë që financat e saj i ka bërë publike përmes publikimit në faqen zyrtare të internetit.

Ne mund ta ndryshojmë së bashku secilën komunë, dhe nuk kemi nevojë ta durojmë këtë gjendje. Ky ndryshim, do të jetë hapi më i sigurt përpara drejt realizimit të aspiratave tona të përbashkëta.

Kontribo

13 09 2013

Nr. 25 i gazetës “Përballja”

Sot, më 13 shtator, doli nr. 25 i gazetës “Përballja” të cilën mund ta gjeni në të gjithë Kosovën. Ju ftojmë ta merrni gazetën e cila qëndron për gjatë gjithë javës në zyrat e Qendrave të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në gjithë Kosovën.

Në këtë numër do të gjeni këta tituj:

• Pushteti në Malishevë e zhvesh arsimin nga misioni, e shndërron në fole të partisë
• Takime në fshatrat Studençan dhe Dvoran të Therandës
• Prishtina, qytet edhe për mësues e mjekë
• Takim me të rinjtë në Gjakovë
• Lagjet Dardania 1 dhe 2 në Gjilan shprehin kërkesat e tyre ndaj pushtetit lokal
• Takime në Bresalc të Gjilanit
• Vizitë në Llapushnik të Drenasit
• Vizita tek disa sipërmarrës të komunës së Lypjanit
• Xhemshit Vokrri, kandidat për kryetar të komunës së Besianës
• Aktivitetet e Qendrës në Drenas
• Qendra e Prishtinës: Sërish vërshime pranë “Rrugës B”
• Qendra e Gjilanit: Lagjja “Arbëria” shfaqi shumë shqetësime
• Alban Krasniqi viziton institucione, fshatra dhe lagjet e Komunës
• Prishtina, Komunë e Hapur
• Festivali i Rrushit, Verës, Ushqimit dhe Kulturës – Rahovec (Shkodran Hoti, Arlind Manxhuka)
• Takimet e delegacionit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Zvicër
• Nga tubimi i Delegacionit të VETËVENDOJE!-s në Zyrih
• Nga vizita e Delegacionit të VETËVENDOSJE!-s në Hagen të Gjermanisë
• Qendra e Lypjanit: Ne do ta mbrojmë votën
• Bujqit e Prishtinës të lënë në mëshirën e fatit
• Aktivitete të Qendrës në Ferizaj
• Gjilan: Pogragja pa ujë të pijshëm
• Vërejtje të përcipta për një program të përciptë (Arlind Qori)
• Logoja (Glauk Konjufca)
• Alternativa (Albin Kurti)
• Shthurja (Aida Dërguti)
• Dhuna Hyjnore: Çka nuk 137shtë… (Slavoj Zizek)


Lëvizja VETËVENDOSJE!
Sekretariati për Media dhe Komunikim

Kontribo