02 04 2019

Përvjetori i demonstratave të vitit 1981

Sot, me 2 prill, në përvjetorin e demonstratave të vitit 1981 një delegacion i LVV-së i prirë nga Kryetari Albin Kurti dhe deputetë e veprimtarë politik bënë homazhe para pllakave përkujtimore të dëshmorëve të pranverës së vitit 1981.

Me datë 2 prill, 1981 rrugët e Prishtinës, por edhe të qyteteve tjera në Kosovë, u vërshuan nga protestuesit që e hapën pranverën politike duke e hapur çështjen shqiptare. “Republikë-Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë”, “Jemi shqiptarë, nuk jemi jugosllavë”, “Bashkim-Bashkim”, “Trepça punon Beogradi fiton” e parulla tjera të ngjashme mbaheshin nga duart e mijëra studentëve dhe qindra punëtorëve që dolën në përkrahje të demostratës që kërkonte të drejta e liri, çlirim e bashkim, nga një regjim që shfrytëzonte shqiptarët për të qëndruar.

2 prilli i vitit 1981 renditet në vazhdimësinë e përpjekjeve që u intensifikuan në mars, e që vazhduan edhe gjatë prillit, pra të një kryengritjeje të përgjithshme që në përmbajtje si diçka të re barte edhe avancimin e çështjes shqiptare nga segmente të demonstratës te ato të luftës së armatosur. Studentë, militantë që kërkonin transformimin e gjendjes që i mbante shqiptarët të shtypur nën Jugosllavi, bashkë me punëtorë që iu bashkuan atyre në kërkesa, përcaktuan fillet e një ndryshimi të madh politik asokohe.

Pushteti jugosllav, duke parë këtë situatë, përdori armatën e saj për t’i shtypur këto demonstrata. Më 2 dhe 3 prill të vitit 1981 në demonstratën më të madhe të parë ndonjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva, si dy të rinj që qëndronin në ballë të demonstratës me flamuj, u qëlluan nga oficer ushtarak që ishin fshehur në një objekt banke para demonstruesve. Bashkë me ta, dëshmorë në këtë demonstratë ranë edhe Xhelal Maliqi, Salih Abazi, Salih Zeka, Ruzhdi Hyseni, Rizah Matoshi, Sherif Frangu dhe Nesimi Dervishdana. Të gjithë pra, të rinj që me trupat e tyre, po e ngrinin zërin për liri e barazi kombëtare, për drejtësi e progres shoqërorë – u qëlluan me gjakëftohtësi nga regjimi i asaj kohe. Po atë ditë kur ndodhi ky krim, regjimi jugosllav shpalli edhe “Gjendjen e Shtetrrethimit” ku u ndalua takimi i më shumë se tre vetëve, dhe qarkullimi nga ora 20:00 deri në orën 6:00 të mëngjesit. Kësisoj, veprimtarët, por edhe një popull që kishte dalë në demonstratë kaloi në një segment të dytë të organizimit, në një segment të tillë ku oficerët e fshehur nuk e panë më vetëm duarthatë.

Kontribo