23 04 2018

Politikat favorizuese për librin janë platformë e zhvillimit kombëtar

Sot, në ditën ndërkombëtare të librit, Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti konferencë për media lidhur me çështjen e politikave për librin në përgjithësi dhe mospërkrahjen institucionale për të. Po ashtu delegacione të Lëvizjes VETËVENDOSJE! nëpër komunat e Kosovës kanë organizuar vizita në bibliotekat e qyteteve si dhe kanë dhuruar libra për fëmijët e familjeve në nevojë.

Anëtari i Kryesisë dhe deputeti Sami Kurteshi u shpreh në lidhje me shqetësimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për mohimin e të drejtës së qytetarëve për qasje të lirë në librin.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! është e brengosur dhe jashtëzakonisht e shqetësuar me mohimin e të drejtës së qytetarëve, sidomos rinisë studentore dhe fëmijëve për qasje në librin”, tha Sami Kurteshi.

Ai gjithashtu foli edhe për gjendjen tepër rëndë të bibliotekave nëpër komunat e Kosovës duke u nisur nga infrastruktura e dobët, mospërditësimi i fondit të librave, mungesa e hapësirave të leximit e deri te mungesa e rrjetëzimit të këtyre bibliotekave.

“Shqetësimi tjetër i Lëvizjes është edhe mungesa e fondit për librin. Buxheti i Kosovës nuk ka kod buxhetor të dedikuar për librin. Ka subvencione, por libri dhe dija nuk mbahen me subvencione ad-hoc. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës fondi i gjithmbarshëm i librave në Kosovë është rreth 1 milion e 793 mijë që i bjen më pak se një libër për banorë”, shtoi Kurteshi.

Për rëndësinë, edhe vetëm në nivel formal, tregon edhe qasja që qeveritë kanë pasur ndaj librit duke e e lënë atë vetëm si Divizion, dhe jo Departament, në Ministrinë e Kulturës. Nga ky mosinteresim institucional për librin kemi edhe rezultatet e dobëta nëpër teste ndërkombëtare siç ishte ai i PISA-s dhe rritja gjithnjë e më shumë e analfabetizimit absolut e atij funksional.

Qasja në fondet publike të librave siç janë bibliotekat komunale dhe ato të shkollave përbëjnë një domosdoshmëri marrë parasysh situatën ekonomike të familjeve në Kosovë.

Hapësira shqipfolëse e kryesit Kosova dhe Shqipëria ende kanë “kufi” për librin. Ndonëse në 2014 reciprokisht u hoq TVSH-ja për librat, periodikët e gazetat ende sot botuesit e të dy vendeve hasin probleme të mëdha më shpërndarjen e librit shqip. Kjo gjendje vështirësohet tepër shumë për shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit.

Lëvizja VETËVENDOSJE! kërkon që të rritet buxheti në Kosovë për fondin e librit dhe botimet në Kosovë, të hiqet TVSH-ja nga të gjitha veprimet që kanë të bëjnë me librin si dhe të krijohet një fond i veçantë Kosovë – Shqipëri për përkthime të librit.

Kontribo

LAJMET E FUNDIT