04 03 2018

Privatizimi e rriti mungesën e energjisë

Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka trajtuar problemin me mungesën e energjisë elektrike dhe faturat e papërballueshme për qytetarët. Në një konferencë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në të cilën folën deputetja Albulena Haxhiu dhe përfaqësuesi i Komitetit për Energjitikë Naim Hoxha treguan për reduktimet e ashpra të energjisë dhe u njoftua se do të kërkohet interpelancë qysh nesër në Kuvendin.

Deputetja Haxhiu tha se në vitin 2012, nga Qeveria Thaçi, humbëm një aset publik si pasojë e privatizimit. Rrjeti i Shpërndarjes dhe kompania publike në atë kohë KEDS u privatizuan me vetëm 26.3 milionë euro. Kontrata ishte nënshkruar pavarësisht kundërshtimeve dhe protestave të Lëvizjes. Aso kohe thuhej se do të ketë investime që do të garantojnë furnizimin me energji si dhe punëtorët e KEK-ut nuk do ta humbnin punën.

Gjashtë vite pas privatizimit orët e ndërprerjes së energjisë elektrike në të gjithë territorin e vendit nuk janë ulur, përkundrazi në periudhën e pikut orët e ndërprerjeve janë rritur.

Ulja e humbjeve teknike dhe komerciale nuk ka asnjë përmirësim përkundrazi raportimet zyrtare të Zyrës së Rregullatorit tregojnë për raporte në favor të periudhës kur kompania ishte publike.

Fatura e mospagimit, vjedhjes së energjisë ende sot i shpërndahet paligjshmërisht çdo konsumatori që paguan në mënyrë të rregullt energjinë.

Komunat veriore ende nuk e paguajnë drejtpërdrejtë energjinë, atë KEDS i drejtuar nga Limak-Çalik ua faturon të gjithë shqiptarëve e të tjerëve në komuna të tjera të Kosovës.

Në këto 6 vite çmimi i energjisë elektrike sipas kërkesës së konsorciumit privat është rritur 4 herë nga Zyra e Rregullatorit. Kjo me arsyetimin fals të mbulimit të kostove nga defektet në gjenerimin e energjisë.

Situata lidhur me punëtorët dhe përjashtimet e tyre nga puna është tepër shqetësuese. Janë 95 punëtorë të larguar vjeshtën e vitit 2015 dhe, 75 të tjerë të larguar në maj të vitit 2016. 40 punëtorë janë larguar përmes presioneve e shantazheve për ta lënë vendin e punës dhe mbi 200 punëtorë të tjerë iu është komunikuar vendimi për largim. Çdo ditë në këtë konsorcium përgatiten taktika për t’iu shmangur kontratës dhe Ligjit të punës dhe për të demotivuar ata punëtorë që kanë kontrata të përhershme për t’i zëvendësuar më një numër më të vogël punëtorësh të rinj më të keqpaguar.

Gjendja energjetike sot në Kosovë është e rëndë. Përveç në Prishtinë, qytetarët po ballafaqohen me mungesë të energjisë në secilin qytet e fshat dhe në këto ditë të ftohta dimri kjo gjendje është e papërballueshme, Mungesa e energjisë elektrike më së shumti i prek familjet në kushte të vështira ekonomike dhe zonat e thella.

Me gjithë këto probleme, deri më tani nuk kemi dëgjuar asnjë përgjigje nga qeveria për mungesën e energjisë elektrike, faturat e fryra, dhe largimin e punëtorëve. Po ashtu ende askush nuk ka dhënë përgjegjësi për mashtrimin dhe vendimin e paligjshëm të ZRRE-së, i cili shpenzimet e qytetarëve të Kosovës të nacionalitetit serb, ia faturonte qytetarëve të tjerë.

Andaj, qysh nesër, do ta dërgojmë kërkesën për interpelancë ndaj Kryeministrin Haradinaj, për të dhënë sqarime për ketë gjendje të rënduar.

Ndërkaq, prof. Naim Hoxha nga Komiteti për Energjitikë paraqiti hapat që duhen marrë për të dalë nga kjo situatë. Ai theksoi se në terma afat shkurtër duhet:

1. Të ngrihet niveli i vigjilencës dhe kujdestarisë në të gjitha strukturat e sistemit energjetik.

2. Apel dhe vetëdijësim qytetarëve në përdorimin e energjisë me qëllim kursimin.

3. Kontraktimi i importit të energjisë, si për shembull nga Shqipëria për të vendosur nën kontroll situatën.

Ndërsa në terma afatgjatë:

4. Inicimi sa më i shpejtë i rindërtimit të TC “Kosova A”,

5. Përshpejtimi i planit për remontin e TC “Kosova B”

6. Kontraktimi i energjisë elektrike me Shqipërinë për periudhë më afatgjatë.

7. Stabilizimi i prodhimit të qymyrit – sanimi i ndërtimit të kundërligjshme në Shipitullë

8. Heqja dorë nga projekti më i shëmtuar i TC “Kosova e Re”. Po të ketë arsye për ndërtim të një Termocentrali të ri mbi bazën e linjitit tonë është nëse ai termocentral e prodhon energjinë më të lirë.

9. Të përpilohet sa më shpejt strategjia afatmesme dhe afatgjatë zhvillimore e Kosovës për t’i nxjerrë strategjitë të përkatëse të energjetikës.

10. Dizajnimi i Termocentralit të ri pas kësaj strategjie dhe kontraktimi i tij.

11. Përcjellja e rrjedhave në gjeneratorët alternative e posaçërisht të asaj elektrovoltaike.

Lëvizja VETËVENDOSJE! do të paraqesë sërish në javët në vijim propozimet për ta adresuar këtë krizë energjitike të paralajmëruar nga specialistët e energjitike e edhe nga Komiteti e Grupi parlamentar i Lëvizjes prej disa vitesh.

4 mars 2018

Kontribo