18 08 2020

Prokuroria të jetë aktive dhe e vëmendshme dhe të mos lejojë fshehjen e gjurmëve për rastin e vrasjes së Astrit Deharit

Po bëhen katër vite dhe ende nuk ka drejtësi për Astritin. Vrasësit dhe nxitësit ende nuk kanë dalur para drejtësisë. Dëshmitarët kryesorë të rastit ose janë falur e liruar nga burgu pavarësisht veprave të rënda për të cilat kanë qenë të dënuar, ose nuk janë më gjallë, si rasti i të ndjerit Naser Makolli. Ndërkohë këto ditë presidenti i ka lehtësuar dënimin për tre vite e gjysmë Luz Allakajt, të dënuar për vrasje të një fëmije, por që i njëjti është edhe dëshmitar në rastin e Astrit Deharit.

Prokuroria Speciale po heshtë për rastin. Nuk ka asnjë informacion. Çfarë po ndodhë me rastin, deri ku kanë shkuar hetimet? A janë marrë në pyetje të gjithë ata që kanë mundësuar lirimet e dyshimta nga burgu të dëshmitarëve për të hetuar edhe rrethanat tjera që qojnë në zbardhjen e së vërtetës?

Ndërkohë, mundësitë për hetimin e vërtetë të rastit po pluhurosen e fshihen edhe qëllimisht nga dita në ditë. Së fundi, pas lirimit me kusht të njërit dëshmitar të rastit, presidenti i vendit ia fali edhe 3 vite e gjysmë dëshmitarit tjetër të rastit Luz Allakaj i cili ishte i dënuar për vrasje të dyfshitë, ku njëra prej vrasjeve ishte e një të mituri 13 vjeçar.

Dje deputetët tanë kërkuan nga zyra e presidencës dosjen e kërkesës, raportin dhe arsyetimin për faljen e dënimin në këtë rast, jemi në pritje të tij. Ndërkohë i bëjmë thirrje prokurorisë që të jetë aktive dhe e vëmendshme për këto veprime të secilës instancë që po provon t’i fsheh gjurmët për rastin e vrasjes së Astrit Deharit, përfshirë edhe presidentin që rastin e Astrit Deharit e ka deklaruar si vrasje.

Po të merrej prokuroria me provat e rastit, dëshmitarët dhe palët ndërhyrëse në këtë proces me zellin e njëjtë që merrej ndaj Lëvizjes dhe aktivistëve të saj do të përafrohej drejtësia më herët dhe rasti do të zgjidhej.

Drejtësia për Astritin është drejtësia për gjithë shoqërinë.

Kontribo