04 11 2019

PZAP shpërfilli Gjykatën Supreme dhe të drejtën e votës së bashkëatdhetarëve

Sot, Lëvizja VETËVENDOSJE! ushtroi sërish ankesë në Gjykatën Supreme lidhur me pakot me fletëvotime nga bashkëatdhetarët tanë që i dërguan me kohë fletëvotimet e tyre.

Gjyqtarët Gyltene Sylejmani, Nenad Llazic, Afjete Sada-Gllogjani, Kymete Kicaj, Zyhdi Haziri, Rrustem Thaqi, Ferki Xhaferi, Faton Ademi dhe Adnan Konushevci, të PZAP-së shpërfillën Aktgjykimin e Gjykatës Supreme duke e shpalluar me 3 nëntor ankesën tonë të pabazuar, dhe ia mohuan sërish të drejtën votuesve nga jashtë Kosovës që t’i numërohet vota.

Pas Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, të gjithë prisnin që të finalizohej çështja e fletëvotimeve nga mërgata dhe të zbatohej plotësisht ky aktgjykim. Por siç dihet Sekretariati i KQZ-së nuk i mori parasysh të gjitha dërgesat e bashkëatdhetarëve, plot 1806 pako me fletëvotime, ndaj ishte e nevojshme të ushtrohej sërish ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa nga ana jonë më 1 nëntor 2019.

Ndaj sot ne ia drejtuam sërish Gjykatës Supreme për të njëjtën çështje si edhe në rastin e mëhershëm.

Është e paprecendent që vendimet e Gjykatës Supreme të shpërfillen në mënyrë të sinkronizuar qoftë nga KQZ qoftë nga PZAP. Ata me këto veprime prej 12 tetorit po kontribuojnë aktivisht në shtyrjen e çertifikimin e rezultatit final dhe në tentativën për t’ia mohuar votuesve nga jashtë Kosovës të drejtën e tyre për të zgjedhur.

Në pritje të vendimit nga Gjykata Supreme, i njoftojmë bashkëatdhetarët tanë votues në këto zgjedhje se të tilla praktika e nëpërkëmbje të të drejtave të tyre do të bëjmë çmos që mos të përsëriten më në të ardhmen.

4 nëntor 2019
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo