22 09 2016

Qeveria e stenteve uzurpon dhe kompetencat e odave të mjekëve

Gjendja e shëndetësisë në Kosovë është e mjerueshme. Përkundër premtimeve nga qeveria për modernizim të këtij sektori, gjendja vijon përkeqësimin.

Deputetja dr. Besa Baftiu dhe Drejtuesi i Komitetit për Shëndetësi, prof. Jusuf Ulaj, adresuan sot në konferencë për media dy nga problemet në këtë sektor, siç janë uzurpimi i kompetencave të Odave të mjekëve dhe zhvatja e buxhetit të shtetit e të pacientëve për referimet QKUK – spitale private.

Prof. Ulaj tha se një nga arsyet e regresit në këtë fushë është mosfunksionalizmi i Odave të profesionistëve shëndetësorë, që duhej të funksionalizoheshin katër muaj pas miratimit të Ligjit, saktësisht 4 muaj pas majit të 2013-së. Ai deklaroi se Ministri aktual i Shëndetësisë vijon të thotë shumë të pavërteta, duke tentuar të hedh fajin mbi vetë Odat.

“Nuk kuptohet ende ku po bazohet Ministria e Shëndetësisë dhe vet ministri që vijon të shkelë të gjitha normat ligjore dhe procedurale sa i takon bartjes së kompetencave dhe lejimit të funksionimit bashkë me financat autonome të këtyre institucioneve kaq të rëndësishme për punonjësit mjekësor. Është viti 2016 dhe në vendin tonë paditet Ministria e Shëndetësisë sepse nuk pranon t’u lëshojë kompetencat që i kanë me ligj profesionistët shëndetësor”, është shprehur Ulaj.

Ai më tej ka shtuar se Ministria vazhdon t’i trajtojë profesionistët shëndetësor si vartës të saj si dhe i ka rikujtuar ministrisë përgjegjësinë për kontroll ndaj institucioneve shëndetësore, për dërgimin në ndjekje penale të keqbërësve dhe për hartimin e politikave që lehtësojnë punë. E, që ministria asnjë nga këto nuk po i realizon, teksa i mban të uzurpuara kompetencat e odave të profesionistëve shëndetësorë, duke mbajtur nën kontroll kësisoj avancimin dhe karrierën e tyre.

Ende pa mbaruar procesi gjyqësor për rastin e tmerrshëm “Stenta” Ministria vijon bashkë me QKUK-në referimet tek privatët meqë aparaturat kryesore ekzaminuese nuk janë funksion.

Doktoreshë Baftiu tha në mjekësinë publike mungojnë barnat e materiali shpenzues, aparaturat nuk funksionojnë, e për këtë, pacientët shtrëngohen të shkojnë në spitale private duke paguar sigurisht shumë shtrenjtë.

“Ka më shumë se 2 muaj që aparati i koronarografisë është jashtë funksionit. Çdo ditë referohen nga 3-4 raste, dhe vetëm prej 1-15 shtator janë referuar 35 pacientë, ku një rast kushton 4000-5000 euro. I bie që rreth 250.000 euro në muaj, Ministria e Shëndetësisë paguan për spitalet private, ndërsa një koronarograf i ri kushton 300.000 euro”, theksoi deputetja Baftiu, duke shtuar se në klinikën e kardiologjisë ekziston material i skaduar që kap vlerën prej 200.000 euro.

Baftiu konstatoi po ashtu se CT në emergjencë është gjysmëfunksionale, aparati për thyerjen e gurëve në veshkë dhe fiberebronkoskopi në pulmologji janë jashtë funksionit, si dhe tha që ka mungesë të morfinës në kardiologji e që testet e hepatitit nuk kryhen në QKUK.

Doktoreshë Besa Baftiu ka deklaruar se ka dallim të madh në mes të programit për shëndetësi moderne të premtuar nga qeveria, dhe gjendjes që mbizotëron aktualisht në këtë sektor. Ajo ka thënë se problemet po shtohen çdo ditë, veçanërisht në institucionet shëndetësore që menaxhohen nga Ministria e Shëndetësisë, sekondare e terciare.

Si përfundim, u tha që këtu kushte persekutojnë mjekun dhe u kërkua implementimi i ligjit për Odat, për funksionimin normal të tyre.

Komiteti për Shëndetësi
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo