08 10 2016

RTK – MINISTRIA E PROPAGANDËS INSISTON NË REFUZIMIN E VETËVENDOSJE!-s

Ministria e Propagandës, pra RTK-ja, përmes shërbyesit të saj, Xhymret Veliu, ka thënë sot se intervista me kryetarin Visar Ymeri do të bëhet kur RTK e vlerëson. Pra, nuk ka afat. Nuk ka plan. Nuk ka vullnet. Ka refuzim. Nëse deri sot, Veliu ka thënë se po e shqyrtonte realizimin e kësaj interviste, sot në një komunikimin me aktivisten e zyrës së mediave së Lëvizjes VETËVENDOSJE! e ka përdorur futbollin si pretekst për mosrealizimin e intervistës.

Thuajse është normale që një medium ta pezullojë të gjithë transmetimin, sidomos pjesën politike, për hir të të sektoreve të tjera – sportit. Kjo bisedë është realizuar pasi aktivistja Tinka Kurti e ka thirrur autorin e emisionit “Monitor”, Ngadhnjim Kastratin që t’i propozojë intervistimin e z. Ymeri në atë emision. Pas kësaj, Veliu e ka thirrur znj. Kurti për ta dhënë përgjigjen se nuk po e konsideron njëherë ta bëjë këtë intervistë. Në këtë komunikim skandaloz, Veliu e përmend edhe Korenë e Veriut.

Është koha që ky shërbyes i pushtetit ta pranojë se Koreja e Veriut dhe mungesa e demokracisë kudo shoqërohet pikë së pari me mohimin e fjalës për opozitën. Me këtë bashkërendim të aktiviteteve me Qeverinë dhe Policinë, kjo ministri e zellshme e Qeverisë, po tenton ta mohojë fjalën e kryetarit të subjektit më të madh opozitar, pikërisht sepse është e vetëdijshme si ai ka shumë material për të thënë në atë intervistë.

Ne nuk do të ndalemi deri në çlirimin e këtij institucioni. Deri në kthimin e tij, nga ministri e Propagandës në medium publik e në shërbim të qytetarëve ashtu siç është në natyrën e punës së institucionit.

Kontribo