08 11 2018

Shpend Ahmeti zgjodhi qyqarllëkun në vend të përballjes

Lëvizja VETËVENDOSJE! organizoi konferencë për mediat me drejtorët dhe asambleistët e Lëvizjes në Komunën e Prishtinës si reagim ndaj qyqarllëkut politik të Kryetarit Ahmeti dhe shkarkimit të tij televiziv të mbrëmshëm të drejtorëve tanë. Në konferencë folën Drejtori i Shëndetësisë Arben Vitia, Drejtoresha e Kadastrës Nora Kelmendi dhe Drejtori i Kulturës Ylli Rugova.

Pesë vitet e fundit, nëpërmjet qeverisjes tonë lokale kemi ndryshuar konceptin e qeverisjes në Prishtinë. Megjithatë, kryetari Shpend Ahmeti, pasi ishte pjesë e këtij ndryshimi, jo vetëm që devijoi nga Lëvizja, por tani po tregon se po devijon edhe nga modeli i qeverisjes së Lëvizjes. Mbrëmë, në një emision televiziv që u shfrytëzua kundër VETËVENDOSJE!-s, pa njoftuar apo biseduar paraprakisht me drejtorët respektivë, Shpend Ahmeti deklaroi se po i shkarkon nga detyra drejtorët nga radhët e VETËVENDOSJE-s.

Vitia që është edhe Kryetari i Qendrës së Prishtinës së LV-së, tregoi se Ahmeti ka muaj që nuk komunikon thuajse fare me drejtorët e Lëvizjes për punët e domosdoshme të Komunës.

“Kjo qeverisje u fitua me besimin dhe votën e qytetarëve, por edhe me angazhimin e mijëra aktivistëve dhe vullnetarëve në Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Tashmë është e qartë se Kryetarit, pas fitimit të mandatit të dytë, nuk i bëhet vonë as për besimin e qytetarëve dhe angazhimin e aktivistëve, por fatkeqësisht as për premtimet me të cilat e fitoi këtë mandat”, tha Arben Vitia.

Nora Kelmendi deklaroi se Kryetari Ahmeti nuk ka guxim të ballafaqohet sy-më-sy me drejtorët nga radhët e Lëvizjes dhe tashmë ka mbetur përfundimisht qyqar në drejtimin e institucionit. Vazhdimisht po i shmanget Lëvizjes, madje edhe largimin prej saj, më herët, e pati bërë të ditur përmes një deklarate në rrjetet sociale.

Ndërkaq, Yll Rugova përsëriti qëndrimin e tij të djeshëm se edhe ai do të largohet nga detyra e Drejtorit, edhe pse Ahmeti pati thënë se—ndryshe nga dy të tjerët—nuk po e shkarkon atë.

Po ashtu, Drejtorët e Lëvizjes me rastin e largimit falënderojnë të gjithë qytetarët, aktivistët, stafin e komunës, personalin e shëndetësisë dhe komunitetin artistik e kulturor, gazetarët dhe mediat e vendit për mbështetjen e madhe dhe kritikat e vyera të tyre. Pa ta puna e bërë në qeverisjen lokale nga Lëvizja VETËVENDOSJE! do kishte qenë e pamundur.

Kontribo