19 04 2016

Skema mashtruese për sigurimet shëndetësore

Sot Komiteti për Shëndetësi mbajti një konferencë për media lidhur me një problem të rëndë në sektorin e shëndetësisë i cili prek të gjithë popullatën e Kosovës.

Në konferencë foli doktor Mirsad Shkreta i cili solli në vëmendje se qytetarët në Kosovë po bien pre e një zinxhiri të gjatë e të komplikuar që po pengon pajisjen e qytetarëve me sigurim shëndetësor publik.

Shkreta tha se “në mars kemi mbajtur një konferencë në lidhje me mosimplementimin e Sistemit informativ Shëndetësor dhe keqpërdorimet financiare për një pjesë të projektit siç është kontrata e nënshkruar nga Ymer Shahini, (i afërmi i Enver Hoxhajt) në emër të kompanisë “PRINTEC”. Po ashtu kemi shprehur shqetësimin rreth dëmit financiar (keqpërdorimit të parasë publike) dhe dëmit në sistemin shëndetësor.

Ne kemi pritur këto javë reagimin nga Ministria e Shëndetësisë apo organe të tjera shtetërore të cilat kanë detyrimin ligjor të përgjigjen. Si ndodhi pra që një projekt jetik për shëndetin e qytetarëve për të cilin janë dhënë mbi 7 milionë euro (nga donatorë dhe qeveria) nga 2009 deri me 2015 kur dhe duhet të fillonte nga puna nuk ka dhënë asnjë efekt tek përmirësimi i marrëdhënies me pacientët në Kosovë. Ministria po hesht. Prokuroria po ashtu. Teksa jetët e pacientëve po vihen në rrezik për çdo ditë.

Tash në vend të hetimeve e përgjigjeve lidhur me këtë përgjegjësi të madhe ndaj qytetarëve kemi fillimin e një kontrate të re në Ministrinë e Shëndetësisë me mbi 9 milionë euro ku përfshihet edhe Studimi i fizibilitetit për Sistemin informativ shëndetësor me një shumë prej 250 mijë euro. Pra do të presim e do të paguhet sërish deri në 2018 nëse gjithçka shkon mirë që të funksionalizohet Sistemi informativ e që më pastaj të fillojnë Sigurimet Shëndetësore.

Duhet të kemi parasysh se sistemi nuk nënkupton vetëm hardware dhe software por edhe modulet e caktuara që janë licencimi i mjekëve, edukimi i vazhdueshëm, regjistri i barnave, udhërrëfyesit, klinik, etj. Por për këto nuk ka tenderë. Këto bëhen me vendime politike e profesionale të qeverisjes si dhe me guximin për t’i prerë fijet e krimit të organizuar në sektorin e shëndetësisë.

Në vend të këtyre ne kemi para vetes një qeveri që përbëhet nga individë të cilët direkt dhe indirekt janë pjesë e kësaj skeme korruptive.

Në ndërkohë nga Ministria e Shëndetësisë ka tentativa për të filluar me mbledhjen e primit nga pagat e qytetarëve të Kosovës për Fondin e Sigurimeve. Ne paralajmërojnë qytetarët që pas vjedhjes disa vjeçare lidhur me infrastrukturën e Sistemit Informativ po përgatitet edhe vjedhja e radhës në emër të sigurimeve shëndetësore.

Ligji për Sigurimet Shëndetësore kërkon që paraprakisht të sigurohen shërbimet, çmimorja, pajisja me kartela e 75% të të punësuarve dhe 75% e kategorive që lirohen nga pagesa për sigurim shëndetësor. Asnjë nga këto nuk mund të bëhet pa e pasur të kompletuar Sistemin informativ Shëndetësor. E për ta pasur Sistemin informativ, duhet së pari të mos vidhen e keqpërdoren tenderët për këtë infrastrukturë, të licensohet i gjithë personeli shëndetësor në Kosovë, të hartohet e zyrtarizohen protokollet për trajtimin dhe për barnat. Asnjë nga këto nuk është bërë dhe as nuk është në plan për t’u bërë.

Ne ftojmë dhe njëherë prokurorinë të hetojë. Ne jemi të bindur se kjo nuk është vetëm një skemë korruptive e tenderëve por është një përpjekje për ta penguar rimëkëmbjen e shëndetësisë. Vetëm kështu pa regjistra e pa sistem monitorimi kushdo e kurdo përfiton miliona euro nga buxheti i shtetit dhe donacionet të cilat kurrë përgjatë gjithë këtyre viteve nuk kanë mbërritur tek pacientët.

19 prill 2016
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

LAJMET E FUNDIT