07 11 2018

Takim me delegacionin francez nga Ministria e Punëve të Jashtme

Dje, në selinë e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Kryetari Albin Kurti, bashkë me Kryetarin e Grupit Parlamentar, Glauk Konjufcën, Sekretarin për Marrëdhënie me Jashtë, Boiken Abazin, dhe zyrtaren nga Sekretariati për Marrëdhënie me Jashtë, Diona Budimën, pritën në takim Drejtoreshën për Evropën Kontinentale në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës, znj. Florence Mangin, Ambasadorin e Francës në Kosovë, z. Didier Chabert, Zyrtaren përgjegjëse për Kosovën, znj. Fanny Sebban, dhe përfaqësuesin e Zyrës Politike, z.Timothée Barbier.

Në këtë takim, përfaqësuesit e delegacionit francez shprehën interesimin për të mësuar më shumë mbi qëndrimet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për situatën politike në Kosovë dhe propozimet në lidhje me dialogun me Serbinë.

Kryetari Kurti e falenderoi delegacionin francez për mbështetjen e Francës prej intervenimit të NATO-s dhe njohjes së pavarësisë së Kosovës e deri te përkrahja për konsolidimin e sovranitetit të jashtëm të Kosovës përmes anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Më tej ai theksoi nevojën e madhe për drejtësi, përmes shtetndërtimit demokratik me sundim të ligjit, dhe, për progres shoqëror përmes zhvillimit ekonomik me mbrojtje sociale. Për këtë Lëvizja ka paraqitur në Alternatieven e saj Qeverisëse dhe Prioritet e saj per Republikën edhe zgjidhjen nëpërmjet Fondit Sovran dhe Bankës Zhvillimore. Sa i përket dialogut, u prezantuan 4 hapat e nevojshëm: (1) vlerësimi në Kuvend i 33 marrëveshjeve të dialogut gjashtëvjeçar dhe i (mos)zbatimit të tyre; (2) përcaktimi i qëllimeve të Kosovës dhe i kërkesave tona ndaj Serbisë; dhe, më tej, pas zgjedhjeve të parakohshme: (3) platforma negociatore me parime; dhe (4) ekipi negociator me udhëheqës e strategji.

Përmes një alegorie, Kryetari Kurti foli për Presidentin e Kosovës duke thënë se: “Thaçi duket sikur një astronaut i vetmuar në një anije kozmike që fluturon larg Tokës, e prej nga propozon shkëmbim territoresh, duke u orvatur të zbarkojë në stacionin rus MIR. Atij i duhet ndalur e ndaluar kjo aventurë e rrezikshme, ai duhet të zbres në Kosovë e të shkojë në shtëpi.”

Glauk Konjufca shpjegoi koordinimin e opozitës për rezolutën për dialogun, dhe nga ana tjetër shpjegoi taktikën absurde të një koalicioni qeverisës të delegjitimuar, që braktisë seancat e thirrura nga Opozita për të prishur kuorumin edhe pse pretendon se ka shumicën. Republika parlamentare nuk e duron që qeveria e pakicës ta sulmojë opozitën duke bojkotuar Kuvendin, prandaj nevojiten zgjedhjet e reja për legjitimitet të ri dhe politikanë kredibilë.

Përfaqësuesit e Lëvisjes theksuan se për normalizim e Kosovës, Kosova duhet ndryshuar shumë. Ndërkaq, për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, Serbia duhet të ndryshojë shumë. Zgjidhjet e problemeve mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të arrihen përmes një qasjeje patriarkale dhe autoritare, siç është vepruar nga dyshja Thaçi-Vuçiq.

Diskutimet ishin të hapura dhe të përzemërta, dhe palët u dakorduan të shtojnë bashkëpunimin dhe takimet.

Prishtinë, 7 nëntor 2018

Kontribo