28 11 2020

Takim me fëmijë, prindër dhe përfaqësues të shoqatës “Autizmi”

Në selinë e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, kryetari i saj, Albin Kurti, bashkë me deputetin e Lëvizjes, Fitim Uka pritën fëmijë, prindër dhe përfaqësues të shoqatës “Autizmi” të themeluar në vitin 2011, si dhe një pjesë të ekipit multidisciplinar të përbërë nga psikologët, logopedët dhe ergoterapeutët që ofrojnë për çdo ditë terapi individuale dhe grupore për këta fëmijë.

Autizmi nuk mund ta definojë një person. Secili fëmijë është unik dhe ata i definon vetëm puna dhe angazhimi i tyre. Por, autizmi mund ta bëjë jetën e një personi të vështirë. Prandaj, duhet mbështetja e të gjithëve për të lehtësuar këtë rrugëtim dhe për ta bërë të veçantë secilin hap të jetës së tyre.

Kryetari Kurti pranoi dhurata të veçanta të punuara nga fëmijët e shoqatës “Autizmi”. Ato që janë edhe dëshmia më e mirë se identifikimi i hershëm i autizmit dhe intervenimi profesional kulmojnë me punën e pavarur të fëmijëve dhe e nxjerrin në pah edhe kreativitetin e tyre unik. Përpos tyre, u shkëmbyen edhe urime për Ditën e Flamurit kombëtar e të Pavarësisë së Shqipërisë, 28 Nëntorin.

Sidoqoftë, përkundër punës së shkëlqyeshme që bëjnë shoqatat dhe organizatat që punojnë me fëmijët me autizëm, që të gjitha pa dallim ballafaqojnë sfida dhe vështirësi të ndryshme. Jo vetëm mungesa e financave të qëndrueshme, hapësirave të përshtatshme për punë, por edhe mungesa e kuadrove të trajnuara e specializuara janë nevoja urgjente që duhet të adresohen.

Ashtu siç kemi bërë në qeverisjen tonë do të vazhdojmë që të punojmë edhe në qeverinë e ardhshme dhe në Kuvend, që shoqatat dhe organizatat e personave me nevoja të veçanta të kenë gjithë përkrahjen e duhur institucionale.

Kontribo