05 11 2019

Takim me Kryetarin e Aleancës për Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, z. Ziadin Sela të shoqëruar nga kryetari i komunës së Gostivarit, z. Arben Taravari.

Sot, Kryetari Albin Kurti, së bashku me anëtarin e kryesisë, z. Glauk Konjfuca, dhe anëtarin e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes, z. Bekim Qoku, takoi Kryetarin e Aleancës për Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, z. Ziadin Sela të shoqëruar nga kryetari komunës së Gostivarit, z. Arben Taravari.

Z. Sela e uroi kryetarin Kurti për procesin dhe rezultatin zgjedhor. Ai tha se zgjedhjet e 6 tetorit treguan bindjen e qytetarëve se politika është vendi ku arrihen ndryshimet e rëndësishme shoqërore. Z. Sela shprehu bindjen se me formimin e institucioneve të reja, me qeverinë e re, do e kemi një sy dhe mendje më aktive për shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve të Republikës së Kosovës.

Z. Kurti e falënderoi për urimin dhe mbështetjen e dhënë për Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Ai e njoftoi z. Sela se prioritet i qeverisë së re do të jetë zhvillimi ekonomik që sjell punësim, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë institucional dhe zbutja e pabarazisë në shoqëri përmes politikave sociale. Kryetari Kurti foli edhe për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, marrëdhëniet e shteteve dhe popujve në Ballkan, si dhe mundësitë e obligimin që të bashkëpunojmë e të bashkërendohemi.

Në fund, u tha se fitorja e Lëvizjes i jep kuptim e shpresë përpjekjeve historike të shqiptarëve për një politikë barazimtare me dinjitet dhe këtë po e ndjejnë shqiptarët kudo që janë.

Kontribo