27 02 2019

Takim me Mark Gjonajn dhe përfaqësues të mërgatës shqiptare në ShBA

Në Selinë e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prishtinë u prit një delegacion me përfaqësues të politikës, biznesit, medias dhe shoqërisë civile nga mërgata shqiptare në ShBA, i udhëhequr nga z. Mark Gjonaj, i cili ka qenë përfaqësues i Asamblesë së Shtetit të New York-ut dhe është aktualisht Këshilltar i Komunës së Qytetit të New York-ut. Delegacioni nga mërgata u prit nga Kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes, Glauk Konjufca, bashkë me deputetët Liburn Aliu dhe Fitore Pacolli, si dhe Sekretaren Organizative, Vlora Haxhimemedi, dhe Sekretarin për Marrëdhënie me Jashtë, Boiken Abazi.

Glauk Konjufca theksoi në këtë takim rolin vendimtar të shqiptarëve në ShBA për çlirimin e Kosovës, nga përfshirja e drejtpërdrejt në radhët e UÇK-së, duke rënë dëshmorë për liri, e deri te ndihma materiale dhe avokimi e lobimi në ShBA. Ai shprehu mirënjohjen e thellë të Lëvizjes për gjithë kontributin që ka dhënë e vazhdon të japë mërgata shqiptare për zhvillimin dhe përparimin e atdheut. Më tej, ai shpjegoi situatën e rëndë socio-ekonimike në Kosovë, si dhe shkaqet e kësaj situate, të lidhura me politika e politikanë që kanë ndikuar shumë negativisht në rëndimin e situatës. Konjufca gjithashtu theksoi kundërshtimin e Lëvizjes ndaj çdo plani për copëtimin e territorit të Kosovës.

Ishte e lehtë të gjendej gjuha e përbashkët me delegacionin e mërgatës nga SHBA-ja, pasi në fjalën e tij z. Gjonaj theksoi të parën rëndësinë jetike të çështjes shqiptare, dhe gatishmërinë e mërgatës për të kontribuar maksimalisht për çështjen kombëtare. Ai foli për nevojën e madhe që ka mërgata shqiptare për lidership nga dy shtetet shqiptare në rrugën drejt zgjidhjes së çështjes kombëtare.

Përfaqësuesit e Lëvizjes gjithashtu folën për “Projekt-Ligjin për Diasporën” dhe mangësitë e tij, si dhe për faktin se në zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë, 71% e votave nga mërgata ka qenë për Lëvizjen, fakt ky që ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si Qeveria e ka zvarritur lehtësimin e procedurave të votimit për bashkatdhetarët.

Të gjithë u dakorduan se kemi para shumë punë për të bërë, dhe se duhen intensifikuar dhe koordinuar sa më shumë përpjekjet për të realizuar zhvillimin e kombit dhe aspiratën historike të shqiptarëve për bashkim.

 

Kontribo

LAJMET E FUNDIT