23 12 2019

Takim me përfaqësuesit e Sindikatës së Punëtorëve të Postës së Kosovës

Dje, anëtarët e Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albulena Haxhiu dhe Kreshnik Ahmeti, pritën në takim përfaqësuesit e Sindikatës së Punëtorëve të Postës së Kosovës, kryetarin e Sindikatës z. Etrit Hoti dhe kryetarin e degës në Prishtinë, z. Faton Morina.

Përfaqësuesit e Sindikatës njoftuan mbi problemet me të cilat përballet Posta e Kosovës dhe punëtorët e saj. Ata u shprehën që ka mungesë të mbështetjes së ndërmarrjeve publike nga aksionari i saj, që ua pamundëson dhënien e shërbimeve të tjera Postës së Kosovës, nga të cilat ajo do të gjeneronte të hyra dhe fitim. Për shembull, nëpërmjet udhëzimeve administrative, qeveritë e kaluara ia kanë pamundësuar Postës së Kosovës shpërndarjen e pagesave publike. Posta e Kosovës e bën vetëm shpërndarjen e asistencës sociale, dhe atë e realizon nëpërmjet një banke private, me ç’rast qytetarët që marrin asistencë sociale rëndohen me tarifa të dyfishta. Po t’i merrte përsipër Posta e Kosovës shpërndarjen e të gjitha të ardhurave, buxhetet familjare të qytetarëve të Kosovës do të lehtësoheshin dukshëm.

Zyrtarët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! njoftuan përfaqësuesit e sindikatës me qëndrimet dhe programin që ka ajo në raport me ndërmarrjet publike. Përgjatë tërë historisë së saj, Lëvizja është angazhuar për mbrojtjen e ndërmarrjeve publike nga korrupsioni dhe privatizimi, dy duart nëpërmjet të cilave u shtri sistemi neoliberal në vendin tonë.

Në fund, të dyja palët u pajtuan që ta vazhdojnë bashkëpunimin e tyre në të mirë të punëtorëve dhe për ta ngritur ndërmarrjen e Postës së Kosovës në një ndërmarrje që ofron shumëllojshmëri të shërbimeve për qytetarët, e nëpërmjet të cilave ngritë përformancën e saj dhe gjeneron të hyra financiare.

Kontribo