Të shtunën në nivelin teorik, e të martën në nivelin politiko-organizativ mbajtëm ligjëratat e radhës
Në Nivelin Teorik, së bashku me nënkryetaren Mrika Limani Myrtaj, biseduam për historinë e kolonializmit dhe u përqendruam në konjuktura specifike të historisë gjatë së cilave kanë buruar nuancat specifike të kolonializmit ekstraktiv ekonomik, e që më vonë pasuan me hegjemoni politike e kulturore. Në këtë kuptim, diskutimi rrodhi natyrshëm në zhvillimin e lëvizjeve anti-koloniale dhe ndikimin e tyre në historinë globale dhe vendore.
Në Nivelin Politiko-Organizativ, me zëvendësministren Liza Gashi, mbajtëm ligjëratën e fundit për këtë cikël. Zëvendësministrja Liza Gashi foli për rolin historik të mërgatës ndër vite. Ajo paraqiti historikun e valëve të emigrimit nga Kosova, të popullit shqiptar prej viteve 1960 deri në aktualitet. Po ashtu, zonja Gashi na foli për nismat e qeverisë, reformat në MJPD, angazhimin e anëtarëve të diasporës shqiptarë në jetën politike, etj. Mërgata ka pasur dhe vazhdon të ketë rol shumë të rëndësishëm në jetën shoqërore e politike të Kosovës.