06 05 2022

Treyzë e organizuar nga Grupi i Grave Deputete

Sfidat e shumta të gjidhënies u diskutuan sot në treyzën e organizuar nga Grupi i Grave Deputete. Zbatueshmëria dhe rëndësia e Ligjit për Mbrojtjen e të Ushqyerit me Qumësht Gjiri ishte tema kyçe e këtij debati për më shumë se dy orë. Kryetarja e Grave Deputete Tinka Kurti theksoi rolin që politika duhet të marrë në këtë aspekt kurse Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi Fatmire Mulhaxha – Kollçaku për rëndësinë shëndetësore e të mirëqenies.

Këshillimoret, kufizimi i reklamave për qumështin formulë, pauzat e garantuara sipas ligjit deri në ditëlindjen e dytë të fëmijës që ushqehet me qumësht gjiri, dhomat e përshtatshme brenda vendeve të punës, harmonizimi me Ligjin e Punës dhe ligje të tjera, por edhe aspektet socio kulturore u diskutuan sot. Të gjitha rekomandimet do të dërgohen te Komisioni për Shëndetësi pas formalizimit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë kërkon nga ligjvënësit hartimin e politikave të përshtatshme për këtë çështje por edhe promovimin e vazhdueshëm. Gjidhënia pos që ndikon në mirëqenie, në disa raste shpëton jetë të fëmijës apo edhe nënës. Prandaj, mirëqenia është gjithmonë politike.

Zv. ministrja e Shëndetësisë Dafina Gexha Bunjaku shprehu gatishmërinë për lehtësimin e këtyre sfidave, gjithashtu njoftoi me atë çka është bërë në këtë drejtim, duke u bërë pjesë e strategjive nacionale.

Në këtë takim pjesmarrës ishin edhe përfaqësues të institucioneve dhe organizatave që ndërlidhen me të drejtat dhe mirëqenien e fëmijës dhe nënës.

Pos MSH-së, pjesëmarrës kishte edhe nga Zyra E Kryeministrit Të Kosovës, Ministria e Financave / Republika e Kosovës, UN Women Kosovo, Unicef Kosovo Programme, UNFPA Kosovo, NDI Kosovo, Save the Children Kosova/o, Komf Kosova, Shoqata e Mamive të Kosovës, Balkan Sunflowers Kosova, Iniciativa Kosovare per Stabilitet – IKS, Komisioni i Pavarur për Media i Kosovës, e të tjera. Gjithashtu, Inspektororati i Veterinës dhe Ushqimi, Inspektorati i Punës dhe Shëndetësisë si tri institucione puna e të cilëve ndërlidhet me mbikëqyrjen e këtij ligji.

Lëvizja VETËVENDOSJE! angazhohet për politika të mirëqenies dhe të favorshme për gratë e fëmijët. Për lehtësim të sfidave të nënave të punësuara gjatë periudhës së gjidhënies, njëjtë edhe atyre punëkërkuese.

Kontribo