18 12 2018

Tryezë me dy odat ekonomike shqiptare

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, organizoi sot një tryezë në Prizren për prodhimin vendas dhe hapat drejt tregut të përbashkët Shqipëri-Kosovë, me Drejtuesin e Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, Kryetarin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Shqipëri, Nikolin Jaka, dhe me Kryetarin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! (LV) Albin Kurti. Ndër të tjerë, në këtë tryezë morën pjesë përfaqësuesit e shoqatave afariste dhe të zejtarëve të Prizrenit bashkë me afaristë të tjerë nga Kosova e Shqipëria.

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, e hapi këtë tryezë duke folur për faktin se mes Kosovës dhe Shqipërisë janë nënshkruar mbi 10 marrëveshje për bashkpunim ekonomik dhe tregun e përbashkët, sakaq tregtia mes dy shteteve ka mbetur mbrapa për shkak të barrierave të shumta jotarifore e pengesave të shtuara.

Të dy kryetarët e odave ekonomike të Kosovës dhe Shqipërisë treguan, se edhe pse ka patur 5 mbledhje të përbashkëta qeveritare, gjendja sa i përket koordinimit dhe tregut të përbashkët nuk është përmirësuar, radhët në kufi janë shtuar, ndërsa pengesat vazhdojnë të jenë të shumta. Ata shprehën vullnetin për t’u angazhuar maksimalisht për transformimin e kësaj situate.

Kryetari i LV, Albin Kurti, tha se të gjithë në këtë tryezë kanë shprehur dëshirën për më shumë bashkëpunim e koordinim, për të hequr pengesat që e ndalin krijimin e një tregu të përbashkët, pengesa këto që mirëmbahen jo rastësisht, por sepse dikujt i levërdisin. Ai theksoi se këto dëshira duhet të kthehen në plane e koordinim që me vullnet jetësohen. Kryetari Kurti tha se ndryshe nga dëshirat e planet e kësaj tryeze, mbledhjet mes dy qeverive duket se janë të fiksuara në rendin e fantazisë. Ato luajnë me simbolikat kombëtare dhe ndjenjat e shqiptarëve, por nuk pasohen me zbatim politikash që këtë ndjenjë e kthejnë në vetëdije kombëtare e plan ekonomik për zhvillim e bashkim.

Pjesëmarrësit në Tryezë e pasuruan diskutimin me shembuj dhe kërkesa konkrete, në drejtim të rritjes së bashkëpunimit drejt një tregu të përbashkët. Kryetari Mytaher Haskuka e mbylli këtë tryezë duke ofruar gjithë ndihmën e Komunës së Prizrenit në funksion të synimit për shfrytëzimin maksimal të mundësive të bashkërendimit të dy odave për mbështetjen e prodhimit vendas shqiptar.

Prizren, 18 dhjetor 2018
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo