21 08 2019

Tubime në Bakshi e Sibovc të Kastriotit

Lëvizja VETËVENDOSJE! po vazhdon tubimet me qytetetarë. Mbrëmë, Kryetari Albin Kurti, së bashku me Kryetarin e Qendrës së Lëvizjes në Kastriot, Halil Thaçin, Donik Sallovën si dhe veprimtarin Aziz Bicin vizituan fshatin Sibovc dhe Bakshi të komunës së Kastriotit, ku u mirëpritën nga banorë të shumtë që kishin ardhur për të dëgjuar dhe folur rreth zhvillimeve të fundit politike në vend.

Kryetari Kurti tha se janë dy probleme themelore që qeverisja e Lëvizjes do t’i adresojë qysh në fillim të mandatit. “E para ka të bëjë me prokurorët. Neve na duhen prokurorë të aftë dhe të guximshëm që e gjurmojnë dhe e ndalin krimin e lartë financiar. Atyre do t’u ofrohet mbrojtje dhe asistencë shtetërore për ta hetuar dhe ndalur krimin. Dhe e dyta ka të bëjë me dekriminalizimin e prokurimit. Në Kosovë janë mbi 170 autoritete të prokurimit që blejnë mallra dhe shërbime me para të buxhetit dhe ku tenderë fitojnë kompanitë e njëjta rregullisht. Nuk është e thënë të bëhet një autoritet i vetëm i prokurimit, por edhe 170 janë shumë. Le të kemi më pak që ta kontrollojmë më mirë paranë publike”.

Kryetari Kurti tha se qeverisja e re do të krijojë kushtet që diaspora të faktorizohet në ekonomi. “Ne jemi të interesuar që diaspora jonë të bëhet faktorë në ekonomi, por çfarë i bie kjo? Ta zëmë, në vend se një familje nga Shtutgarti ta blejë një banesë në Prishtinë, më mirë do të ishte t’i investojë 0.01% në Telekom, të blejë aksione, dhe shteti do të ishte garantues, ose në Trepçë, ose KEK, dhe jo të investojnë në një banesë në të cilën nuk dihet se a qëndrojnë një javë përgjatë gjithë vitit, e për të cilën nuk ka as llogari ta lëshojë me qira. Pra, më mirë është që diaspora të bëhet aksionare në zhvillimin ekonomik sesa mirëmbajtëse e mbijetesës sociale”.

Për ta rritur ekonominë duhet edhe një bankë zhvillimore tha kryetari Kurti. “Në Kosovë operojnë 10 banka, 8 prej të cilave janë të huaja dhe vetëm 3 prej tyre e kanë 75% të kapitalit – që i bie se tre veta mund të pinë kafe një ditë dhe të dakordohen për kamata dhe për interesat në depozita. 3.2 miliardë janë depozitat, pra shuma që qytetarët ua kanë dhënë bankave ku interesi është më pak se 1%, kurse 2.7 miliardë janë kreditë, paratë që ata na japin neve e ku interesi është 7%. Neve na duhet një Bankë Zhvillimore, një BQK tjetër, që i zbret kamatat për bujqit, për industrinë nën 3% dhe periudhën e pagesës së kamatës e rrit në 7-8 vite”, tha ai duke theksuar se në Kosovë përveç shtetit edhe populli është i kapur nëse i referohemi statistikave të BQK-së, ku 350 mijë janë të punësuar, kurse 600 janë në kredi bankare.

Kurti foli edhe për rëndësinë e lidhjes së arsimit me ekonomi duke përmendur sistemin dual ekonomik Zviceran-Gjerman, ku 2/3 e shkollave të mesme janë profesionale, kurse 1/3 Gjimnaze. “Ndërmarrjet prodhuese duhet që bashkë me administratën e universitetit t’i shkruajnë planprogramet. Tek ne nuk ndodhë që ndërmarrjet të shkojnë në universitet për të pyetur se çfarë kuadro prodhojnë, dhe as nuk ndodhë që universiteti t’i pyes këto ndërmarrje se çfarë kuadro ju duhen. 4.3% të prodhuesve vendor në Kosovë kanë deklaruar (në anketën e përgjithshme të 5 mijë ndërmarrjeve) që punëtorin që e marrin në punë, pas një muaji aftësohet. 166 mijë biznese janë të regjistruara në Kosovë, vetëm 50 mijë janë funksionale, prej tyre vetëm gjysma janë të fiskalizuara, pra që paguajnë tatime me rregull, dhe prej tyre vetëm 5 mijë janë prodhuese dhe numri mesatar i punëtorëve te ato është 6. Te këto 50 mijë ndërmarrje 90% i kanë më pak se 10 punëtorë, edhe për vite të tëra, neve na duhet që ky sektor të rritet, pra qasje më të lehtë në kapital dhe shkolla që e furnizojnë jo me fuqi punëtore më të lirë, por më të shkathët.”

Kontribo