16 01 2025

Tubimi në Fushë Kosovë-Cep më Cep 118

Fushë Kosova i bashkohet 500 mijë zemrave Cep më Cep.

Tubimi i sotëm në Fushë Kosovë filloi me një minutë heshtje për nder të masakrës së Reçakut.

Shpend Bardiqi, kandidati për deputet nga radhët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, e filloi fjalimin duke rikujtuar problemet e Fushë Kosovës, sidomos mungesën e ujit të pijshëm. Ai theksoi se Qeveria Kurti është e vetmja që është marrë seriozisht me këto probleme duke provuar t’i zgjidhë ato. Ajo ka inicuar ndërtimin e çerdheve në Fushë Kosovë, dhe projekte të tjera që prekin drejtpërdrejt jetën e banorëve të Fushë Kosovës. Kandidati Bardiqi bëri thirrje për mobilizim për ta siguruar secilën votë brenda 500 mijë votave që synojmë më 9 shkurt.

Në fjalën e saj, ministrja e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu, përshëndeti aksionin e sotëm të institucioneve të Kosovës për mbylljen e komunave paralele të Serbisë në qytete të ndryshme të Kosovës, përfshirë edhe Skenderajn. Ministrja Haxhiu theksoi se, pavarësisht përpjekjeve të ndryshme për ta penguar rrugën e progresit që ka marrë Kosova, institucionet tona nuk u ndalën asnjëherë dhe nuk do të ndalen asnjëherë në kryerjen e detyrave të tyre. Ajo shtoi se do të fitojmë përherë, duke u bazuar te drejtësia dhe barazia. Ministrja Haxhiu, bëri thirrje që të angazhohemi secili për ta mundësuar fitoren me mbi 500 mijë zemra dhe për të vazhduar punën e mirë të qeverisë më të suksesshme deri më tani.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, falënderoi qytetarët e Fushë Kosovës për mbështetjen madhështore në tubimin e sotëm. Ai theksoi se gjatë këtyre katër viteve si qeveri i kemi shtuar vendit zhvillimin ekonomik, sigurinë, kujdesin social dhe kemi shtrirë sovranitetin në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Kryeministri Kurti përmendi në detaje të arriturat dhe kujdesin shtetëror ndaj qytetarëve, duke theksuar se nuk ka pasur familje që nuk e ka ndjerë dorën ndihmëse të shtetit gjatë mandatit të tij. Prandaj, bëri thirrje që deri në ditën e votimit të angazhohemi secili në rrethet tona shoqërore e familjare, që ta mbërrijmë numrin e 500 mijë zemrave anë e mbanë Kosovës, në mënyrë që të vazhdojë puna e mirë për Republikën dhe qytetarin e Kosovës.

Me 9 Shkurt, përbashkohemi te numri 118, te numri i fitores ku jemi bashkë me 500 mijë zemra të tjera që rrahin si një.

Kontribo