Tubimi në Podujevë-Cep më Cep 118
PodujeVVa me pa fund zemra për VETËVENDOSJE!-n
E vendosur si përherë, e qartë si gjithmonë – Podujeva jonë, Cep më Cep 118.
Salla e sporteve “Hakif Zejnullahu” ishte e pamjaftueshme për numrin e pafund të pjesëmarrësve sonte. Akustikë e papërshtatshme për brohorimat e mëdha mbështetëse për qeverinë më të suksesshme të pasluftës së Kosovës dhe për kryeministrin Albin Kurti.
Tubimi në Podujevë filloi me një minutë heshtje për nderë të viktimave të masakrës së Reçakut.
Në Podujevën e zemrave pa fund, fjalën hyrëse e pati Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, i cili, duke kujtuar arritjet e komunës dhe të qeverisë qendrore gjatë katër viteve të fundit, theksoi se në Republikë dhe në Podujevë është bërë më shumë sesa gjatë të gjitha qeverisjeve qendrore e lokale të së kaluarës. Në frymën e kësaj të vërtete dhe për rrugën përpara, Kryetari Bulliqi kërkoi nga llapjanët mbështetje edhe më të fuqishme për Qeverinë Kurti 3, për 500 mijë vota “cep më cep” Podujevës.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, përshëndeti aksionin e sotëm të Policisë së Kosovës dhe të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për mbylljen e të gjitha komunave paralele të Serbisë në Kosovë. Ajo falënderoi qytetarët e Podujevës për mbështetjen e pashoq, duke theksuar se kjo përkrahje na motivon edhe ne si qeveri për vazhdimin e qeverisjes së mirë. Ministrja Haxhiu kërkoi një rekord të ri për datën 9 shkurt, duke theksuar se ashtu siç kemi ecur bashkë me qytetarët si qeveri, duhet të vazhdojë ky përbashkim që nga cepi në cep, të mblidhet çdo zemër e të mundësohet fitorja rekord e Qeverisë Kurti 3.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, pas brohoritjeve të gjata mbështetëse, e nisi fjalimin duke kujtuar punën e jashtëzakonshme që ka mundësuar shtrirjen e sovranitetit në të gjithë territorin e Kosovës, mbylljen e institucioneve ilegale, shkatërrimin e laboratorëve të drogës dhe mbylljen e rrugëve ilegale—gjë që, sipas tij, dikur ishte e pamundur. Lidhur me akuzat e opozitës se sulmet terroriste në Bajnskë dhe Ibër–Lepenc ishin të orkestruara nga qeveria, ministri Sveçla tha se, megjithëse kundërshtarët politikë mund të mos japin llogari ligjërisht, ai është i bindur se ata do të japin përgjegjësi në ditën e zgjedhjeve, para qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti, në fjalën e tij hyrëse, u shpreh se shqiptarët në Ballkan jetojnë prej aty ku e kanë ndalur okupatorin e fundit. Në Llap, gjithmonë ka ngecur Serbia, e në Llap gjithmonë ka ecur Lëvizja, e cila në shekullin XXI mban emrin VETËVENDOSJE!. Këtë emër e mbajmë me zemër, emër që ishte parulla kryesore e demonstratave të vitit 1968, të cilat sollën Universitetin e Prishtinës, ku në ballë ishin veprimtarët Ilaz Pireva dhe Xheladin Rekaliu. Ne të gjithë e dimë mirë se gjatë luftës, Prishtina ishte në zonën operative të Llapit, ndërsa tash, në paqe, do ta bëjmë Llapin zonë operative të Prishtinës.
Mes brohoritjeve, Kryeministri Kurti përmendi edhe të arriturat e shumta gjatë qeverisjes katërvjeçare, ku theksoi se me ne në qeverisje fitojnë kategoritë shoqërore, e jo personat privat:
“Kur japim 118 mijë subvencione për bujqit, ne ndihmojmë zhvillimin e qëndrueshëm të Republikës, e jo pasurimin e disa personave privat. Kur kemi ofruar më shumë se 1 mijë grante, kemi menduar deri në detaje për naftë, plehërim, shtalla, solare, për studentët e bujqësisë dhe për partneritet zhvillimor. Kemi ndarë 300 milionë euro subvencione për bujqësinë dhe mbi 300 milionë euro për armatimin e ushtrisë, sepse buka dhe pushka janë dy siguritë më urgjente, më prioritare e më të domosdoshme për një shtet dhe një komb.”
Në fund, Kryeministri Albin Kurti uroi fitoren e pakontestueshme të Lëvizjes VETËVENDOSJE! për qytetarët e Podujevës dhe të gjithë Kosovës, duke ftuar që të votojmë bashkë cep më cep, të fitojmë bashkë cep më cep dhe të festojmë bashkë cep më cep të Llapit, cep më cep të Republikës së Kosovës e cep më cep të shqiptarisë.


