04 02 2025

Tubimi në Prishtinë-Cep më Cep 118

Prishtina e bashkuar në rrugëtimin drejt 500 mijë zemrave

Salla e Kuqe në Prishtinë u mbush plot gjatë tubimit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, me një energji frymëzuese dhe mbështetje të fuqishme që garanton fitoren madhështore të numrit 118 më 9 shkurt.

Në këtë tubim madhështor, Kryeministri i Republikës së Kosovës e hapi fjalën e tij duke lexuar tekstin e betimit të deputetit të Kuvendit të Republikës, tekst ky që shpreh besnikërinë ndaj Kushtetutës dhe ligjeve, thekson mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve, kujton rëndësinë e përkushtimit ndaj interesit publik dhe kërkon veprime të ndershme.

Pikërisht për shkak se parlamenti është kaq i rëndësishëm për funksionimin e shtetit, përfaqësuesit tanë – idealisht – duhet të jenë njerëzit më të përgatitur e më të merituar të shoqërisë, në mënyrë që parlamenti të pasqyrojë vlerat tona më të larta, tha Kryeministri Albin Kurti.

Tutje, Kryeministri foli për të arriturat e qeverisë që ka drejtuar dhe për programin e ri qeverisës.

Sot, në Kosovë, nga aspekti socio-ekonomik, kulturor, i sigurisë, i sovranitetit dhe i tërësisë territoriale, nuk ka qenë kurrë gjendja më e mirë. Asnjëherë nuk kemi pasur përmirësim më të madh sesa në këto katër vjet të qeverisjes sonë, tha ai.

“E kemi gjetur ekonominë me më pak se 7 miliardë euro, ndërsa tani ka mbi 10 miliardë. Eksportet, vitin e kaluar, kanë kaluar 1 miliardë euro; të hyrat tatimore kanë kaluar 3 miliardë; ndërkaq investimet e huaja direkte janë rritur për më shumë se 130%. Gjatë mandatit tonë kemi pasur afër 700 milionë euro investime të huaja direkte, ndërsa para nesh, mesatarja vjetore nuk kishte arritur as 300 milionë euro. Kjo është një rritje prej mbi 2.3 herë.”

“Jo vetëm kaq, rritja jonë ekonomike ka ndikuar drejtpërdrejt në shtimin e punësimit. Nga 350 mijë të punësuar, sa kishim gjetur në pranverën e vitit 2021, sot kemi 430 mijë, pra një rritje gati 23%. Kjo rritje është shprehur kryesisht tek gratë dhe tek të rinjtë, pasi ky ka qenë synimi ynë: gratë dhe të rinjtë të punojnë sa më shumë, në çdo cep të Kosovës.”

“Pagën minimale e gjetëm 130 dhe 170 euro, ndërsa ne e kemi bërë 350 euro. Në mandatin e ardhshëm, paga minimale do të bëhet 500 euro. Programin “Superpuna” për të rinjtë do ta zgjerojmë me “Superpuna për gratë”. Pra, për gratë që duan të punojnë në sektorin privat, në ndërmarrje të ndryshme, për 6 muaj si bonus do ta marrin pagën minimale mbi pagën që ia jep punëdhënësi.”

Kryeministri Kurti kujtoi edhe investimet në bujqësi, në arsim, në shëndetësi, si dhe në mbrojtje e siguri.

“Në bujqësi, para katër vjetësh, çmimi në pika grumbulluese për qumështin ishte 18 centë për litër. Ne premtuam se gjatë mandatit tonë do të bëhet 28 centë, ndërsa sot është 45 centë për litër, prej të cilave 7 centë i jep Ministria e Bujqësisë. Po ashtu, toka e lavruar vitin e kaluar ishte 50% më shumë sesa në vitin 2019.”

“Në arsim, buxhetin e kemi rritur për 30% dhe kemi bërë falas nivelin universitar për Bachelor dhe Master. Universiteti i Prishtinës ka përparuar për mbi 400 vende në Webometrics. Janë ndarë mbi 11 mijë bursa, me vlerë mbi 15 milionë euro, kryesisht për të rinjtë dhe sidomos për vajzat. 36 milionë euro i kemi ndarë për mbi 65 çerdhe, që janë ndërtuar, rinovuar ose adaptuar. Nuk ka kërkesa të komunave për çerdhe që nuk i kemi trajtuar.”

“Në mbrojtje dhe siguri kemi investuar më së shumti. Mbi 2500 zyrtarë të rinj policorë, prej të cilëve rreth 8% janë serbë. Njëkohësisht, buxhetin për ushtri e kemi shtuar si asnjë qeveri tjetër më parë: 2018-2020 për armatim dhe municion ishin dhënë më pak se 4 milionë euro, ndërsa nën qeverisjen tonë mbi 319 milionë euro për katër vjet. E kemi dyfishuar numrin e ushtarëve dhe kemi hequr tavanin e moshës nga 23 në 25 vjet për rekrutët e rinj. Synojmë që në fund të mandatit të ardhshëm të kemi 1 mijë vajza ushtare në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Nga 300 milionë euro buxhet vjetor do të kalojmë në 1 miliard euro investim në FSK.”

“Buxhetin e barnave esenciale e kemi rritur nga 25 milionë në afër 70 milionë euro, pra gati trefish. Këto 70 milionë euro në mandatin e ri do t’i bëjmë 100 milionë. Për herë të parë do të ketë rimbursim për barna jashtëspitalore, si dhe gjashtë klinika specialistike në gjashtë komuna, përfshirë edhe njërën në Drenas, që i përket rajonit të Prishtinës.”

Në këtë tubim madhështor, Kryeministri Kurti prezantoi kandidatët nga lista jonë fituese 118: Avni Dehari, Albulena Haxhiu, Xhelal Sveçla, Artane Rizvanolli, Ejup Maqedonci, Fitore Pacolli, Bylbyl Sokoli, Shqipe Mehmeti-Rexhepi, Mefail Bajqinovci, Adriana Matoshi, Daulina Osmani, Ilir Kërqeli, Leonora Bajraktari-Shabani, Edona Llalloshi, Enver Dugolli, Egzona Tërdevci, Blerim Gashani, Vlora Limani-Hajnuni, Shpend Bardiqi, Triera Kasumi-Berisha, Halil Thaçi, Adnan Rrustemi, Arben Vitia, Jeta Statovci dhe Glauk Konjufca.

Në fund, Kryeministri Kurti tha se, nëse para katër vjetësh u kemi bërë thirrje qytetarëve të Kosovës ta ndalim keqqeverisjen, tash u bëjmë thirrje ta vazhdojmë mirëqeverisjen. Zgjedhjet e vërteta parlamentare janë në vitin 2029. Më 9 shkurt nuk ka zgjedhje, më 9 shkurt ka referendum. E në referendum, siç dihet, janë dy përgjigje: “po” ose “jo”. Ne themi “po e po”; këto dy shkronja të arta i kanë tri shifra: një numër – 118. Më 9 shkurt, njëqind e tetëmbëdhjetë!

Kontribo