10 06 2016

Vazhdimi i misionit të EULEX-it, heqje dorë nga drejtësia

Misioni i EULEX-it erdhi në Kosovë me premtimet për luftim të krimit dhe korrupsionit si dhe forcim të sistemit vendor të drejtësisë. Asnjëra nga këto dy premtime nuk u realizua ngase qëllimi i vërtetë i EULEX-it asnjëherë nuk ka qenë drejtësia në Kosovë. Kjo trupë që nga fillimi ka pasur për qëllim menaxhimin e krizave dhe ruajtjen e stabilitetit. E ruajtja dhe stabilizimi i situatës për realitetin kosovar nënkupton stabilizim të krimit e korrupsionit që rrënjët i ka në majën e piramidës shtetërore. Si rezultat i kësaj paradigme, EULEX-i u përfshi edhe vetë në menaxhimin e politikës ditore, duke ndërtuar raste sipas porosive dhe interesave të partive në pushtet. Kjo e bëri EULEX-in pjesë të organizimit kriminal të pushtetit në Kosovë.

Institucionet e Kosovës kanë nevojë për EULEX-in sepse autoriteti ekzekutiv i tij u shërben atyre si alibi për mungesën e përgjegjësisë, kurse EULEX-i e do Kosovën pafundësisht me krim e korrupsion sepse kështu ndërtohet justifikimi për t’ia zgjatur vetes jetën.

EULEX-it nuk duhet t’i zgjatet jeta sepse prania e tij nuk mund të jetë e dobishme në asnjë rrethanë. Kosova duhet të pushojë se trajtuari nga BE si çështje e sigurisë në kuadër të menaxhimit të krizave. Nga kjo paradigmë duhet kaluar tek nevoja për drejtësi, zhvillim e mirëqenie. E drejtësia nuk vjen asnjëherë nga jashtë dhe vetë EULEX-i është dëshmi për këtë.

Kontribo