11 07 2015

VAZHDOJNË TAKIMET E Z.YMERI, ME KONGRESMENË NË SHBA

Në vazhdën e takimeve me përfaqësuesit e Legjislativit në ShBA, delegacioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, i përbërë nga kryetari Visar Ymeri, dhe anëtari i Këshillit të Përgjithshëm Florin Krasniqi, është pritur nga kongresmeni Reid Ribble, anëtar i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë, si dhe kongresmeni Jim McGovern, Bashkëdrejtues i Komitetit për të Drejtat e Njeriut dhe anëtar i Grupit të Çështjeve Shqiptare (“Albanian Caucus”) në Kongresin e SHBA-së. Kryetari Ymeri dhe zoti Krasniqi po ashtu u pritën në zyrën e kongresmenit Paul Cook, që shërben në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë dhe në atë të Forcave të Armataosura në Kongresin e ShBA-ve.

Gjatë këtyre takimve u diskutuan zhvillimet e fundit politike dhe ekonomike në vend. Delegacioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE! e vuri theksin te rëndësia e sovranizimit të Republikës së Kosovës në rrafshin politik, ekonomik dhe në gjyqësor, të gjitha këto të dëmtuara nga negociatat me Serbinë, tentim-themelimi i Gjykatës Speciale, dhe keqtrajtimi dhe uzurpimi i vazhdueshëm i burimeve ekonomike të Kosovës për interesa të veçanta. Po ashtu kryetari Ymeri i shtjelloi qëndrimet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! karshi procesit shtetndërtues në Kosovë, duke u përqendruar në domosdoshmërinë e ndërtimit të Republikës së barazisë për qytetarët, moslejimin e formalizimit dhe zgjerimit të ndikimit të Serbisë në Kosovë përmes krijimit të “Zajednicës”, funksionalizimin dhe çlirimin nga kapja e sistemit të gjyqësorit për të garantuar barazi para ligjit për të gjithë qytetarët, dhe vendosjen e burimeve minerare dhe strategjike të Kosovës në funksion të mirëqenies së qytetarëve.

Delegacioni i VETËVENDOSJE!-s po ashtu kërkoi nga kongresmenët që ta mbikëqyrin punën e Departmentit të Shtetit në Kosovë që të sigurohen që Republika e Kosovës me sovranitet të plotë, e njohur nga ShBA-të, të jetë baza e partneritetit mes ShBA-ve dhe Republikës së Kosovës.

11 korrik 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo