29 11 2016

VENDIM TJETËR I PADREJTË NDAJ PESË AKTIVISTËVE

Gjykata themelore në Prishtinë ka vendosur që të ndërmarrë edhe një veprim arbitrar ndaj aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! që tash e tre muaj po mbahen padrejtësisht në burgje dhe arreste shtëpiake, duke iu vazhduar masat e mbajtjes në paraburgim, përkatësisht në arrest shtëpiak, edhe për një muaj.

Edhe përkundër faktit që secili nga ta akuzohet për veprën e njëjtë, të gjithë këta padrejtësisht nën akuza të montuara e të paprovuara, ndaj tyre janë vazhduar masa të ndryshme të sigurisë. Atdhe Arifi e Egzon Haliti do të vazhdojnë të mbahen në burg, kurse Adea Batusha e Frashër Krasniqi vazhdojnë të mbahen nën arrest shtëpiak, teksa Petrit Ademit i është caktuar masa e paraqitjes në Polici.

Ky vendim është kryekëput politik e arbitrar. Arbitrariteti në këtë rast përcillet më shkelje flagrante të procedurave penale e gjyqësore. Gjatë këtyre 3 muajve nuk është paraqitur asnjë provë kredibile që i lidh aktivistët me veprën për të cilën po akuzohen e hetohen. Ndërkohë që pavarësisht kësaj gjykatësi ia pranon secilën kërkesë të prokurorit të rastit Avdurrahman Islami që 5 aktivistët të mbahen nën arrest për të katërtin muaj. Ky prokuror që i kërcënon aktivistët duke ua shprehur dëshirën e tij sadiste që të gjithë të mbahen në burg, edhe pse nuk ka se si ta argumentojë këtë dëshirë të tijën, e shpërfaq më së miri se si funksionon regjimi autoritar, zaptues i organeve shtetërore, ndaj kundërshtarëve politikë, e konkretisht Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Kujtojmë po ashtu se nga ky proces i padrejtë gjyqësor, brenda ambienteve të burgut, aktivisti Astrit Dehari ka humbur jetën në rrethana të pasqaruara, e për çfarë deri më tani askush nuk ka marrë përgjegjësi. Pas vdekjes së tij të dyshimtë, institucionet përkatëse gjithashtu kanë bërë një sërë shkejesh procedurale, duke problematizuar edhe më shumë zbardhjen e këtij rasti.

Ky vendim sikurse i tërë procesi është i padrejtë, i pabazuar, dhe shkelje flagrante e të drejtave qytetare, dhe lirisë politike e kolektive. Shteti i kapur është vënë kundër Republikës. Dhe po e sulmon atë vazhdimisht, duke ia sulmuar popullin Republikës me vendime arbitrare gjyqësore, me cenim të lirisë, e mos garantim as të sigurisë minimale në [elitë e burgut. Kjo është përndjekje klasike. Si e tillë bëhet dëshmi e gjallë e ndërtimit të një aparati autoritar shtetëror. Këtë nuk duhet ta lejojmë. Këtë nuk do ta lejojmë. Drejtësia do të vijë në vend. Krimi nuk mund e nuk do të fitojë.

Kontribo