28 08 2019

VETËVENDOSJE! e dënon sulmin ndaj një autobusi me udhëtarë nga Kosova në afërsi të Krushevcit

Edhe një akt barbarie anti-shqiptare në Serbi. Burracakëria shoviniste kësaj radhe u shfaq në sulmin me gurë e mjete të forta ndaj një autobusi me udhëtarë nga Kosova dje në afërsi të Krushevcit, që shkonin drejt vendeve të BE-së.

Është retorika zyrtare e shtetit dhe pushtetit në Serbi, e riprodhuar nga kisha, shkolla e media, ajo që i mbush qytetarët e Serbisë me urrejtje ndaj shqiptarëve. Kjo ideologji ka shkaktuar spastrime, vrasje e dhunime në të shkuarën, dhe ende mund ta bëjë të njëjtën nëse nuk ndryshohet. Duhet një përpjekje e bashkërenduar, ndërkombëtare, për ta defashistizuar politikën e Serbisë, dhe për ta ndalur urrejtjen e retorikën shoviniste.

Nga ana tjetër është edhe joserioziteti i shtetit tonë në raport me këtë Serbi haptazi anti-shqiptare. Me deklarata jodinjitoze diplomatët dhe pushtetarët e Kosovës bëjnë përpjekje për të mbuluar dhjetëra marrëveshje që i kanë nënshkruar me Serbinë, pa e kushtëzuar asnjëherë. Sa deklarata janë bërë se po sigurohet lëvizja e lirë, por gjendja mbetet e njëjtë: qytetarët e Kosovës lëvizin me frikë, dhe kohë pas kohe sulmohen. Përveç se mërgata jonë dhunohet duke pritur me orë të tëra në kufi duke hyrë e dalur nga vendi ata me vete bartin edhe frikën nga sulmet që mund t’i marrin.

Lëvizja VETËVENDOSJE! e dënon ashpër sulmin, dhe i bëjmë thirrje institucioneve të vendit që të bëjnë presionin e duhur ndaj Serbisë, si dhe që ta ngrejë këtë çështje në nivel ndërkombëtar, që të sigurohet liria e lëvizjes për çdo qytetar të Republikës së Kosovës, që të mos rrezikohet jeta e askujt dhe kryerësit e këtij akti vandal të ndëshkohen. Si çdo politikë diskriminuese, edhe anti-shqiptarizmi është i papranueshëm, e sidomos për ne shqiptarët.

Kontribo