21 10 2016

VIZITË E SUKSESSHME E LËVIZJES VETËVENDOSJE! NË BRUKSEL

Delegacioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, i përbërë nga Visar Ymeri, Shpend Ahmeti, Albin Kurti dhe Gurjeta Zeka, e ka kryer me sukses vizitën në Bruksel gjatë punimeve të Konferencës së Social Demokratëve të Aleancës Progresive Evropiane. Nga partitë e ndryshme evropiane që morën pjesë në këtë konferencë, delegacioni është takuar me zyrtarë të lartë të Partisë Social Demokrate Gjermane, Partisë Laburiste Britanike, Partisë Social Demokrate Suedeze, Partisë Laburiste Norvegjeze, etj. Më tej takime janë zhvilluar edhe më përfaqësues të lartë të Partisë Eurosocialiste si Giacomo Fillibeck dhe Maria Freitas, dhe me kryetarin e Unionit Ndërkombëtar të Rinisë Socialiste, Howard Lee. Në të gjitha këto takime Lëvizja VETËVENDOSJE! ka synuar forcimin e marrëdhënieve bilaterale me partitë e qendrës së majtë evropiane dhe anëtarësimin e plotë në grupacionet ndërkombëtare partiake të formuara prej tyre, dhe ka gjetur një interes reciprok në këtë drejtim.

Gjatë kësaj vizite u organizua edhe një takim i përbashkët me Zv. Presidenten e Parlamentit Evropian, Znj. Ulrike Lunacek, dhe me Europarlamentaren raportuese për Kosovën, Znj. Tanja Fajon. Në këtë takim u diskutua lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave për Republikën e Kosovës si dhe lidhur me zhvillimet e fundit politike. Delegacioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE! ka treguar edhe një herë pesë hapat e propozuara nga Visar Ymeri për zgjidhjen e çështjes së demarkacionit si dhe ka diskutuar për zgjedhjet në Kosovë si e vetmja zgjidhje për krizën ekonomiko-politike nëpër të cilën po kalon vendi.

Delgacioni ka vazhduar gjithashtu takimet me përfasues të lartë të qeverisë së Belgjikës (Valoni), si Ministri i Buxhetit André Flahaut. Sakaq, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, me rastin e kësaj vizite shfrytëzoi mundësinë për t’u takuar me Kryetarin e Komunës së Namurit (Kryeqyteti e Valonisë), Maxime Prevot. Komuna e Prishtinës dhe ajo e Namurit kanë nënshkruar më herët një bashkëpunim për binjakëzim dhe, pas shkëmbimeve të para kulturore, së shpejti do të zhvillojnë edhe projektin e parë të restaurimit të trashigimisë kulturore në Prishtinë.

21 tetor 2016
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo