31 10 2019

Vizitë në panairin ndërkombëtar të Agrobiznesit dhe Ushqimit “AGROKOS” që po mbahet në Prishtinë.

Dje, Kryetari Kurti së bashku me një delegacion nga Lëvizja,VETËVENDOSJE!, z. Ismail Ferati, z. Namik Durmishi, z. Mergim Mestani, znj. Magbule Hyseni, z. Tahir Tahiri, z. Mufail Salihaj, z. Bashkim Demolli, z. Arsim Ademi dhe z. Fadil Sadikaj, vizituan panairin ndërkombëtar të Agrobiznesit dhe Ushqimit “AGROKOS” që po mbahet në Prishtinë.

Në këtë panair ku po marrin pjesë kompani dhe biznese nga bota, rajoni, dhe vendi, Kryetari Kurti së bashku me ekipin profesional nga Lëvizja u njoftuan për së afërmi me cilësinë e produkteve, kushtet e punës, si dhe me kërkesat që prodhuesit vendor dhe bizneset kanë për qeverinë e re.

Kompanitë vendore kërkuan lehtësira për të bërit biznes në Kosovë dhe shprehën nevojën që qeveria e ardhshme të angazhohet më shumë në aftësimin e fuqisë punëtore në vend, dhe në krijimin e kushteve më të përshtatshme për importimin e lëndës së parë për prodhim.

Kryetari Kurti i siguroi ata se me qeverinë e re dora e shtetit nuk do të jetë për ta penguar prodhimin vendor por për ta ndihmuar e mbrojtur atë, sepse vetëm kështu zhvillohet e përparon procesi i prodhimit, rritet ekonomia e punësimi si dhe zëvendësohet importi. Ai theksoi se me qeverinë e re do t’i kushtohet rëndësia e duhur bujqësisë, tokës, prodhimit, dhe lidhjes midis tyre në fabrikë, ashtu sikurse edhe lidhjes midis arsimit dhe ekonomisë, që do e largoj barrën e aftësimit të punëtorëve nga bizneset.

Kontribo