26 01 2021
Avni Dehari
Shkrime
Emri i plotë
Avni Dehari
Avni Dehari ka lindur më 3 maj 1947, në fshatin Sllupçan, rrethi i Kumanovës. Shkollën fillore e ka kryer në vendlindje, kurse gjimnazin në Preshevë. Më 1974 është diplomuar në Fakultetin e Filologjisë ‒ Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, në Universitetin e Prishtinës.
Nga viti 1969 deri më 1981 ka qenë mësimdhënës i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në Ferizaj, Gjilan dhe në Kumanovë.
Në nëntor të vitit 1981, për shkak se i ka kundërshtuar masat për mohimin e së drejtës së shkollimit të mesëm në gjuhën shqipe, është përjashtuar nga gjimnazi i Kumanovës dhe është përndjekur politikisht nga pushteti. Që nga viti 1981 deri më 1999 ka jetuar në Zvicër.
Në vitet 80-të është anëtarësuar në Lëvizjen Popullore të Republikës së Kosovës. Ka qenë anëtar i Redaksisë së “Zërit të Kosovës”, kryeredaktor (më 1991), anëtar i Këshillit të Përgjithshëm dhe anëtar i Kryesisë së kësaj organizate.
Veprimtarit të çështjes kombëtare, Avni Dehari, në vitin 1999 iu ka mundësuar kthimi në vendlindje. Për disa muaj ka redaktuar lajmet në radiostacionin “Kosova e Lirë” në Prishtinë. Nga 2001 deri në vitin 2007 ka punuar në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit – Departamenti i Çështjeve Jorezidente. Në vitin 2007 ka qenë redaktor i rubrikës së kulturës në të përditshmen “Lajm”. Nga viti 2008 deri në pension, më 2012, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ka bërë punën e korrektorit gjuhësor.
Që nga fillimi ka mbështetur aktivitetin e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Avni Dehari deri më tash ka botuar 33 libra letrarë për fëmijë dhe për të rritur.