03 10 2021

Bashkë qeverisim për Klinën

Mbrëmë, në praninë e zv. Ministrit të Ekonomisë, z. Mentor Arifaj, kandidati ynë Prof. Dr. Lulzim Dragidella, bëri shpalosjen e zotimeve për komunën. Ky është fjalimi i plotë i tij: Të dashur kandidatë për asambleistë, të dashur aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, të dashur qytetarë të mirë të Komunës time shumë të dashur – Klinës, mirë se takohemi këtu në këtë ambient të ngrohtë.Klina është vend i luftëtarëve e trimave të mëdhenj si Sadik Rama që ishte bashkëluftëtar i Bajram Currit e Isa Boletinit.

Është vend i Ndue Përlleshit e Ymer Berishës. Klina është vend i çlirimtarëve si Mujë Krasniqi, e vend i sakrificës e rezistencës si të Ismet Racit.Klina është komunë paqësore, është komunë e qytetarëve aktivë, të dashur e të ndershëm. Klina është qytet i bashkëjetesës e bashkëpunimit fetar, si dhe bashkëveprimit qytetar. Klina është vend i produkteve natyrore e bujqësore. E gjithë Kosova di për gurët e bukur të Gllarevës, lakrat e Gremnikut e vishnjet e shijshme të Dollcit. Klina është vend i bujqësisë, andaj bujqësia do të jetë prioritet për ne. Klina është shumë shekuj e mileniume e vjetër ngase Dresniku ishte ndër qendrat e farefisit dardan.

Për këto e shumë arsye tjera ne themi që Klina meriton më shumë.Ne jemi këtu për të bërë ndryshimet që Klina i meriton. Në Klinë kalojnë gjashtë lumenj: kalon Drini i bardhë, Lumbardhi i Pejës, Lumi Klina, Lumi Mirusha, Lumi i Istogut dhe Lumbardhi i Deqanit. Por, pavarësisht të gjithë këtyre lumenjëve, problemi kryesor e esencial i Komunës sonë është mungesa e ujit.Por, me ne do të ketë ujë 24 orë për Klinën. E di që ky premtim është dhënë në të gjitha zgjedhjet lokale që 22 vite në Klinë, andaj për mua është e vështirë që ta premtoj sot, por pasi është problem esencial jemi të obliguar ta përmendim.

Ne zotohemi që problemi i ujit do të zgjidhet në këtë mandat timin dhe ju garantoj që në vitin 2025 nuk do të përmendet ky problem sepse atëherë nuk do të ekzistojë si problem, sepse unë personalisht zotohem këtu publikisht që nëse nuk e rregulloj problemin e ujit të pijshëm nuk do të garoj më në zgjedhje, ASNJËHERË.Në Administratë ne do të lehtësojmë procedurat e tërheqjes së dokumentave përmes digjitalizimit dhe aplikimit online në të gjitha proceset që mund të përfundohen online dhe dokumentet do të dërgohen me postë në shtëpinë e secilit qytetar të Klinës.

Kjo do të lehtësojë procedurat, si dhe do t’i përshpejtojë ato për qytetarët.Në Shëndetësi do të organizojmë vizita të rregullta shëndetësore e stomatologjike për nxënësit e shkollave fillore në çdo shkollë të Komunës sonë. Sepse nxënësit e rinj janë e ardhmja jonë, ndërsa shëndeti i tyre është primar për ne. Përmes vizitave shëndetësore të rregullta do të rritën gjenerata të shëndosha dhe çdo problem eventual do të evidentohet me kohë.

Pensionerëve do t’i ofrojmë ambiente të qeta që të organizojnë takime mes vete e të kalojnë momente të ndejave, lojës dhe rekracionit. Pensionerët janë përvoja jonë që na duhet, pensionerët janë e kaluara jonë që na e solli lirinë, andaj ua kemi borxh dhe kjo është më e pakta që mund të bëjmë për ta.Në Arsim do të realizojmë riorganizimin i sistemit arsimor, në shkolla ku ka më pak nxënës të organizohet procedurë e transportit të nxënësve në shkolla me më shumë persona. Kurse, për nxënësit duke filluar nga arsimi parafillor e deri në klasën e 9 do të ketë shujta ditore falas.

Arsimit në Klinë ne do t’i ofrojmë i arsim profesional në sistemin dual për një profil të kërkuar në ekonominë lokale, për ta replikuar këtë model edhe më tutje në të ardhmen. Ky sistem i arsimit do të jetë model gjerman, ku nxënësit vijojnë shkollimin, përderisa janë të punësuar në drejtimin e njëjtë.

Në Mbrojtje të Mjedisit do të bllokojmë projektin e Fabrikës së Çimentos në Gremnik. Sepse ajo fabrikë është e dëmshme për banorët dhe është aty pa dëshirën e tyre, andaj ne Bashkë do të Qeverisim dhe fabrika nuk do të vazhdojë punën asnjëherë aty. Për këtë ju garantoj ngase për këtë e kam mbështetjen e plotë edhe nga niveli qëndror.Ne do të ndërtojmë rrugën e tranzitit (udhëkryqin e rrugës Gjakovë – Pejë për Klinë, Skenderaj dhe Istog), në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës së Republikës së Kosovës. Udhëkryqi aty është shumë i nevojshëm ngase kemi vështirësi dhe krijim të komunikacionit për shkak të mungesës së tij.

Aty jo rrallëherë bëhen edhe aksidente për shkak të organizimit jo të duhur urbanistik.Në Bujqësi do të organizojmë Tregun Lokal të bujqëve të Klinës në sheshin “Mujë Krasniqi” së paku një herë në javë, ku tregtarët lokal mund të shesin produktet e tyre. Do të investojmë në Serra, Bletari, dhe Blegtori. Si dhe do të organizojmë trajnime profesionale nga ekspertët e fushës për kultivimin e kulturave bujqësore.

Do ta krijojmë sistemin e Ujësjellësit për ujitje të tokave bujqësore nga Liqeni i Sferkës për fshatrat Sferkë e Volljakë, si dhe do të bëjmë ndërtimin e pendave për ujitje nëpër vendet rurale, ku ekzistojnë mundësitë dhe ku ka ujë të mjaftueshëm.

Në qeverisjen tonë katër vjeçare qyteti i Klinës do të ketë më shumë gjelbërim, kurse secili fshat do të ketë ndriçim përmes enërgjisë së ripërtëritshme.Me ne do të bëhet depolitizimi i çdo sektori, me ne do të ketë meritokraci, me ne do të ketë shpresë, SEPSE KLINA MERITON MË SHUMË!Ju, qytetarët e Komunës sime e keni mundësinë të bëni zgjedhjen tuaj dhe unë jam i gatshëm të jem shërbyes i juaji në Komunë, dëgjues i secilës ankesë që keni dhe zbatues i secilës kërkesë që ma bëni.

17 tetori është dita e juaj, 17 tetori do të jetë dita e ndryshimit, 17 tetori do të jetë dita e Klinës.Votoni 144 për ndryshim, votoni 144 për të ardhmen tuaj, votoni 144 që të Qeverisim Bashkë!

144 SEPSE KLINA MERITON MË SHUMË!

Kontribo