23 12 2019

DIALOGU SHOQËROR “Bashkë me gratë për zhvillimin”

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti të premtën një tryezë me titullin DIALOGU SHOQËROR “Bashkë me gratë për zhvillimin”, ku folës kryesor për të bashkëbiseduar me gratë aktiviste dhe përfaqësuese të organizatave dhe institucioneve vendore mbi situatën e përgjithshme të grave në Kosovë ishte kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, kryeministri i ardhshëm Albin Kurti.

Tryezën e hapi aktivistja, udhëheqësja e Sekretariatit për Gruan Aktiviste në VETËVENDOSJE!, Nazlie Balaj, e cila theksoi rëndësinë e dialogut shoqëror për çështjen e grave në Kosovë duke shprehur njëherit bindjen se gjendja e grave në Republikën e Kosovës lë për të dëshiruar, por edhe hapësira për veprim dhe ndërtim të politikave që përmirësojnë pozitën dhe situatën e tyre në shoqëri.

Kryetari, Albin Kurti, në fjalën e tij përmendi të arriturat dhe tha se me qeverinë e re nuk do ketë më pengesa drejt synimit të barazisë dhe shtrimit të kërkesave për atë që na duhet.

Ai theksoi se pas 6 tetorit është garantuar pjesëmarrja e grave në qeveri e në pozita të larta me 30%, do të ketë ministre dhe zëvendësministre, por edhe punë që ky standard të përmirësohet në drejtim të 50%, ashtu siç edhe është shoqëria jonë. Deri te kjo, sipas tij, arrihet përmes politikave emancipuese nga lart që garantojnë ndryshimin poshtë dhe përmes organizimit dhe aktiviteteve nga poshtë për të jehuar sa më lartë e më gjerë.

“Duhet vepruar në secilin aspekt, nga arsimi i lehtësuar e pa pagesë te punësimi pa diskriminim, nga realizimi i të drejtës për trashëgimi e në pronë deri te lehtësimet në shërbimet shëndetësore publike”, tha Kurti i cili theksoi se në shtetin e ri zhvillimor nuk mund të ketë as drejtësi e as zhvillim pa barazi gjinore.

“Nëse ka pasur në të kaluarën pushtete që i kanë penguar organizimet dhe aktivitetet e atyre që janë të dominuar, në këtë rast gratë në përgjithësi e posaçërisht disa shtresa ose kategori të tyre, tash do të ngjajë e kundërta. Tek unë do ta keni njeriun i cili interesohet që t’iu ndihmoj të organizoheni sa më shumë. Sa më shumë solidaritet gjinor, sepse në burra mund të llogarisni, por jo edhe tepër. Gruaja duhet ta ndihmojë gruan. Duhet të ketë aktivitete dhe organizime në të cilat solidariteti gjinor është vepër. Unë besoj që edhe me kuotat që duhet të jenë aty, edhe me ligjet që janë e që do t’i bëjmë edhe më të mira, e fitojmë substancën e domosdoshme. Pra, organizim dhe aktivitete, solidaritet gjinor, e për këtë qëllim natyrisht që unë kam disa ide por me siguri ju keni edhe më shumë që t’i realizojmë bashkë në mandatin tonë”. potencoi ai.

Gratë pjesëmarrëse në këtë tryezë, aktiviste dhe përfaqësuese, prezantuan shqetësimet e tyre rreth situatës së grave në vend të cilat kalojnë nga papunësia e grave deri te shpërfillja e institucioneve të drejtësisë ndaj tyre, nga amvisëria që nuk njihet deri te gratë të cilave veçanërisht në vendet rurale nuk iu ofrohen shërbimet adekuate shëndetësore, nga gratë që përjetojnë dhunën sistematike deri te ato rrezikohen të mbesin jashtë strehimoreve për shkak të mungesës së fondeve publike.

Të pandashme janë vuajtjet dhe dhimbjet tona për këto çështje, andaj edhe bashkëveprimi duhet të jetë i bashkërenduar si në fuqizimin dhe kundërshtimin e pabarazisë ashtu edhe në solidaritet, ishte qëndrimi i përbashkët i shumë folësve të kësaj tryeze.

Pabarazitë, padrejtësitë e paragjykimet do t’i luftojmë së bashku dhe bashkarisht do të fitojmë, tha për fund kryeministri i ardhshëm Albin Kurti, i cili u zotua se tek ai dhe qeveria e re, gratë do ta gjejnë mbështetjen për organizim, aktivitet dhe fuqizim në të ardhmen.

Kontribo