25 02 2023

Fjala e Kryeministrit Kurti në mbledhjen e 50-të të Këshillit të Përgjithshëm

Fjalimi i Kryeministrit në mbledhjen e parë sivjet, të 50-tën me radhë, të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!:

Të dashur aktivistë të Lëvizjes,

Të nderuar anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm, shoqe dhe shokë bashkëveprimtarë,

E nderuar Kryesuese e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes, znj. Arbërie Nagavci,

Të nderuar të ftuar e pjesëmarrës, gazetarë, miq të Lëvizjes,

Si kryetar i Lëvizjes, ju uroj mirëseardhjen të gjithëve në këtë mbledhje të pesëdhjetë të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Për 11 vite e gjysmë kemi mbajtur 50 mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm. Kjo gjë tregon rregullsinë me të cilën jemi mbledhur, ca më shpesh se sa katër herë në secilin vit andaj është mbresëlënëse, sepse është triumf i demokracisë së brendshme. Jo vetëm në vendin tonë, por as në rajon, nuk ka subjekte që mblidhen kaq shpesh me organin e tyre më të lartë vendimmarrës. Jemi mbledhur në kohë të vështira, jemi mbledhur edhe në kohë të mira, dhe do të vazhdojmë të mblidhemi rregullisht, pavarësisht angazhimeve të tjera. Jo në mbledhje formale, por në mbledhje përmbajtësore, ku diskutojmë në frymë konstruktive e bashkëpunuese kur është nevoja edhe kritike për drejtimin që merr Lëvizja dhe për zbatimin e politikave të saj. Janë këto politika që po zbatohen në qeveri e në disa komuna ku drejton VETËVENDOSJE!, por edhe që po shtyhen përpara nga aktivitetet e strukturës sonë anembanë Kosovës.

Sot është data 25 shkurt, e nesër, në 26 shkurt është ditëlindja e dy personave të veçantë për të gjithë ne. Janë dy persona me shumë vite dallim nga njëri-tjetri, me histori jetësore e me kontribut shumë të ndryshëm, por që koincidojnë të kenë datëlindjen e njëjtë por edhe inicialet e njëjta, A. D. E kam fjalën për Tribunin e çështjes shqiptare, viganin e rezistencës shqiptare në burgjet jugosllave e serbe, Adem Demaçin, dhe për shokun e aktivistin tonë të dashur, Astrit Deharin, viktimë e padrejtësisë kriminale në burgjet e Kosovës së pavarur. Të dy janë busulla e Lëvizjes sonë, dhe për sa kohë që të jetojë kujtimi i tyre në zemrat tona, për aq kohë do të jehojë edhe Lëvizja. Nuk e humbim rrugën, për sa kohë që rruga jonë ndriçohet nga pishtarë si ata. Lavdi dhe nderim, për udhërrëfyesin kombëtar, Adem Demaçin. Kujtim dhe drejtësi, me çdo kusht e deri në fund, për shokun tonë, Astrit Deharin.

Të nderuar delegatë të Këshillit të Përgjithshëm,

Ky vit, pra viti 2023, është vit jubilar për Kosovën. Bëhen 15 vite prej shpalljes së Pavarësisë në Kuvendin e Kosovës në Prishtinë. Bëhen 25 vite, çerek shekulli, nga Epopeja e Jasharëve në Prekaz. Janë ngjarje me rëndësi historike për popullin tonë, të cilat si qeveri kemi nisur t´i përkujtojmë me një kalendar që aktualisht është në realizim e sipër, e që ka filluar prej 17 shkurtit, ditës së pavarësisë, e deri në 7 mars kur Ademi e Hamza, dhe 57 të tjerë ranë dëshmorë dhe vulosën me gjakun e tyre pashmangshmërinë e çlirimit të Kosovës. Sot Kosova ndërton forcat e saj të armatosura, policinë e ushtrinë, me vajza e djem që ëndërr e kanë të jenë trima e të guximshëm, të patrembur e idealistë si Jasharët tanë të mëdhenj.

Dje, në datën 24 shkurt, u shënua gjithashtu një vit nga agresioni rus mbi Ukrainën. Një vit tragjedi, që ka çuar në jetën tjetër mijëra civilë e ushtarë, për shkak të mizorisë pushtuese të Putinit. Por njëkohësisht, një vit rezistencë. Pakkush mendonte se Ukraina e vogël do të rezistonte me kaq sukses ndaj një gangsteri gjigand. Por dëshira e Ukrainasve për demokraci e liri, atdhedashuria e tyre e pakufishme, solli edhe një herë në histori një shembull të fitores së Davidit mbi Goliatin. Ka shumë shembuj të tillë historia. Dhe një nga shembujt është edhe ai i fitores së Kosovës përballë pushtuesit që i dukej vetja shumë i madh dikur, e që ëndërron edhe sot të rikthejë madhështinë në kurrizin e të tjerëve. Por siç ka thënë poeti i madh shqiptar, ish kryeministër i Shqipërisë, peshkopi ortodoks Fan Stilian Noli, «I vogli shtrin viganin dhe i shtypuri tiranin». Edhe në Ukrainë në fund do të fitojë i vogli, sepse është i drejtë, dhe e drejta trimëron më shumë se çdo armë. Kosova është krenare që qëndron pranë popullit Ukrainas, jo për ndonjë arsye interesi të drejtpërdrejtë, por për arsye të solidarizimit, kundër vendeve që në politikën ndërkombëtare veprojnë me gangsterizëm, kundër politikanëve shovinistë që nuk e durojnë pavarësinë e tjetrit dhe demokracinë. Urojmë të jetë ky vit, ashtu siç e shpalli dhe presidenti Zelenskyy, viti i çlirimit të Ukrainës.

Kosova ka hedhur hapa solidë përpara në forcimin e rolit tonë rajonal, si promovuese e paqes dhe të bashkëpunimit. Ne kemi kritikuar nismat si «Ballkani i Hapur», ku Kosova nuk pritej si e barabartë dhe ku tendenca për ta hapur ballkanin për autokratët e lindjes e verilindjes siç është hapur Serbia është e qartë. Por ne kemi qenë pro-aktivë për nismat si Procesi i Berlinit. Në Berlin, pas afër dy viteve negociata, në nëntor të vitit 2022 janë nënshkruar tri marrëveshje prej gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Dhe para dy ditësh Kuvendi i Kosovës i ratifikoi ato marrëveshje me propozim të qeverisë, duke treguar kështu seriozitetin tonë në raport me integrimin rajonal e atë evropian. Kosova është një vend i hapur e demokratik, që do të tregojë gjithnjë konstruktivitet dhe energji, me kushtin e vetëm që të trajtohet me respekt dhe si e barabartë. Ky kusht plotësohet nga Procesi i Berlinit, dhe nuk mund të lë pa falënderuar Gjermaninë që po i prin këtij procesi. Me tri marrëveshjet e nënshkruara qytetarët e Kosovës fitojnë të drejtën për lëvizje të lirë e vetëm me letërnjoftime në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshi edhe Bosnjën ku deri më tash ka pasur pengesa, e natyrisht edhe boshnjakët e fitojnë këtë të drejtë për udhëtim në Kosovë. Gjithashtu fitohet njohja e kualifikimeve dhe e arsimit të lartë në të gjitha këto vende, si dhe njohja e kualifikimeve profesionale të arkitektëve, mjekëve, dentistëve, sipas shembujve nga Bashkimi Evropian. Këta hapa janë shumë të rëndësishëm për konsolidimin e një tregu rajonal, që do të jetë me përfitim për ekonomitë e vendeve tona dhe për qytetarët tanë. Por do të jetë edhe në funksion të paqes, nëse do ta kuptojë secili shtet që Rusia nuk është opsion. Kosova e ka pasur të qartë gjithnjë se opsioni i vetëm është Evropa. Të mos harrojmë se edhe kancelari gjerman, edhe presidenti francez, e kanë bërë të qartë se pa njohur pavarësinë e Kosovës, nuk do të ketë integrim evropian as për fqinjët tanë. Sa më shpejt që e kuptojnë, aq më mirë është edhe për ta.

Pas tri javësh bëhen dy vite ç´prej se kemi filluar të qeverisim, pra po arrijmë gjysmën e mandatit tonë, të dashur aktivistë. Janë dy vite plot me punë, pavarësisht vështirësive që po kalon gjithë bota, fillimisht si pasojë e pandemisë, pastaj si pasojë e krizave ekonomike, tregtare e energjetike që prodhoi pandemia por edhe lufta ruse në Ukrainë. Mund të thuhet se asnjë qeveri gjatë Kosovës së lirë nuk është përballur me vështirësi të tilla të natyrës globale. Natyrisht vështirësitë nuk e kanë zvogëluar përpjekjen dhe punën tonë, madje statistikisht mbledhjet e qeverisë e vendimet e marra janë 19% më shumë se sa ato të dy viteve të para të qeverisë paraprake.

Gjatë këtyre dy viteve nuk e kemi asnjë skandal korruptiv, dhe jemi ngritur për 20 vende në Indeksin e Transparency International, për luftën kundër korrupsionit, si dhe 17 vende në lirinë e medieve sipas World Press Freedom Index. Për herë të dytë radhazi Kosova është renditur e para në rajon për sundimin e ligjit sipas World Justice Project. E për herë të parë kemi qenë të dytët në botë për përmirësim të sundimit të ligjit.

Kemi ngritur mekanizimin për fonde për Luginën, duke mbështetur në mënyrë të dinjitetshme dhe të pakrahasueshme me qeveritë e shkuara bashkatdhetarët tanë. Kemi dhënë 78 grante për ta, me vlerë totale mbi 1 milion €; kemi dhënë përkrahje për 107 studentë nga Lugina në shumë prej 1.000 € secilit me vlerë totale 107 mijë €; Dhe, për herë të parë kemi siguruar libra në gjuhën shqipe për Luginën në vlerë prej 255 mijë €. Kemi mbështetur aktivitetet e tyre diplomatike e lobuese për ndërkombëtarizimin e çështjes së të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në trojet e tyre në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, nën shtetin e Serbisë. Kjo është një çështje shumë e rëndësishme për neve por edhe obligim i yni institucional, shoqëror e kombëtar.

Kemi hedhur hapa të rëndësishëm sa i përket integrimit tonë evropian dhe euroatlantik. Themeluam Grupin Punues për anëtarësim në NATO, më 9 mars 2022. Aplikuam në Këshillin e Evropës, më 12 maj 2022. Aplikuam për anëtarësim në BE, më 15 dhjetor 2022. Ratifikuam marrëveshjet e Procesit të Berlinit, më 23 shkurt 2023. Dhe, nga 1 janari 2024 presim heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, siç na është premtuar publikisht në datën 20 dhjetor 2022.

Sa i përket diplomacisë, diçka e re ka qenë nisma jonë për programin e Diplomacisë Qytetare, ku kemi angazhuar 10 të rinj nga mërgata jonë e në të ardhmen do të angazhojmë edhe shumë të tjerë. Kemi filluar si qeveri “Dialogun me Mërgatën”, deri më tash në 16 lokacione të ndryshme. Kemi investuar në blerje të objekteve dinjitoze dhe funksionale për ambasadat e Kosovës në ShBA dhe Mbretërinë e Bashkuar. Kemi vendosur për herë të parë Marrëdhënie Diplomatike me Timorin Lindor dhe Konsullore me Poloninë. Në raport me Serbinë kemi marrë pjesë në takimet e bisedime ne Bruksel sa herë që jemi ftuar. Kemi mirëpritur emisarët special nga perëndimi sa herë që kanë ardhur. Kemi qenë e do të jemi të përkushtuar, parimorë, konstruktiv e kreativ. Dialogu në Bruksel është dialog për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është dialog për statusin e marrëdhënieve. Statusi aktual i marrëdhënieve nuk është normal, e status normal është ai i fqinjësisë së mirë evropiane, pra njohje reciproke si thelb dhe reciprociteti si princip.

Të dashur aktivistë, fusha ku ndërhyrjet tona janë ndier më së shumti, sidomos për shkak të krizave ekonomike globale, ka qenë mbështetja sociale e ekonomike, nxitja dhe forcimi i punësimit, dhe gjithëpërfshirja.

Theksoj këtu se gjatë qeverisjes sonë kemi filluar të shpërndajmë shtesat për lehonat, duke ndihmuar deri në fund të vitit 2022, 30 mijë nëna, e në të njëjtën kohë kemi shpërndarë shtesat për fëmijë deri në moshën 16 vjeçare, e që janë rreth 260 mijë përfitues. Kemi dyfishuar asistencën sociale për muajin prill dhe shtator duke ndihmuar rreth 26 mijë familje. Kemi shpallur vitin 2022 – “Vit për personat me aftësi të kufizuara” dhe kemi punësuar 239 persona nga kjo pjesë e shoqërisë – 119 burra e 120 gra. Kemi dhuruar në prillin e kaluar nga 100 euro për rreth: 300 mijë pensionmarrës; 240 mijë punëtorë të sektorit privat; 74 mijë punëtorë të sektorit publik; 50 mijë studentë, pra për gjithsej 664 mijë vetë. Kemi ndarë 37 mijë pako ushqimore për familjet në nevojë. Nga pakot tona për mbështetje ekonomike në total kanë përfituar 800 mijë persona, që do të thotë se shumica e familjeve ka përfituar jo vetëm për një person por për disa prej anëtarëve. Përveç këtyre, kemi subvencionuar faturën e energjisë elektrike për ata që kursejnë, e edhe kjo politikë ka prodhuar mbi 200 mijë përfitues. Në shtatorin e kaluar sërish dhuruam nga 100 euro shtesë për rreth: 290 mijë pensionmarrës; 12 mijë punëtorë të ndërmarrjeve publike; 51 mijë studentë. Ndërsa për 76 mijë punëtorë të sektorit publik dhuruam nga 50 euro shtesë në periudhën shtator-dhjetor; si dhe subvencionuam 50% të rritjes së pagës për punëtorët e sektorit privat për 3 muaj. Vetëm gjatë vitit 2022 janë punësuar afër 5000 gra e vajza, në përputhje me masën 1.3 të pakos sonë të mbështetjes. Është rihapur thirrja për biznese për mbështetje të 50% të pagës për 3 muajt e parë nëse ndërmarrjet punësojnë gra. Përveç kësaj kemi aplikuar skemën e punësimit “Qeveria për Familjet” e cila ka ndihmuar punësimin e 770 personave nga familje që nuk e kishin asnjë të punësuar më parë. Për të rinjtë kemi nisur skemën e punësimit superpuna, e cila po pritet shumë mirë dhe po sjell rezultate të shpejta në rritjen e punësimit të personave në moshat 18-25 vjeç. Paga e rritur minimale si bonus page për secilin të ri që do punë. Superpuna – supersukses.

Por mbështetja sociale nuk mund të realizohet pa rritjen ekonomike dhe atë të ndërmarrësisë. E pra, viti i sivjetmë ka buxhetin më të lartë që ka pasur ndonjëherë Kosova: mbi 3.2 miliardë €, që është 17% më i lartë se buxheti paraprak, dhe 11% më i lartë se sa ai i rishikuar në mesvitin e vitit që lamë pas. Nga këto: 811 milionë euro në “Shpenzime Kapitale”, 296 milionë euro për shëndetësinë; 300 milionë euro për sigurinë e ushtrinë; 11 çerdhe të reja; 87 milionë euro për bujqësinë; 60 milionë euro për shtesat për fëmijë e lehona; 40 milionë euro për investime në ndërmarrje publike; 6 milionë euro për terminalet shtetërore; 5 milionë euro për rezervat shtetërore; 20 milionë euro për punësim; 240 inspektorë të rinj; 243 pozita të reja për staf për çerdhet; 300 pozita shtesë për policinë; 400 pozita për staf mjekësor.

Në vitin e kaluar kemi patur rritje të ndjeshme në disa tregues të rëndësishëm për ekonominë dhe shtetin tonë. Vlera e mallrave në eksportet është rritur për 23%, janë eksportuar mbi 801 milionë €; nga doganat kemi patur 1 miliard e 381 milionë € të hyra, në krahasim me vitin e kaluar me rritje për 11.4%, apo 141 milionë €; të hyrat tatimore nga ATK (673.6 milionë € gjithsej) janë rritur 121.1 milionë € apo 21.9% më shumë në krahasim me vitin paraprak. Është tejkaluar plani prej diku 2.6%.

Këto suksese të ekonomisë sonë, që kanë ardhur si pasojë e rritjes së punës dhe e zvogëlimit të korrupsionit, kanë prodhuar menjëherë benefite për qytetarët dhe ndërmarrësit tanë. Pra paratë që nuk po vidhen siç ndodhte dikur, sot ne ia shpërndajmë shoqërisë dhe ekonomisë sonë.

Kemi subvencionuar kredinë – bizneseve prodhuese: mbi 200 biznese ku vlera e kreditimit të mundësuar është 87 milionë €; kemi 21 marrëveshje financiare në ndihmë të bizneseve tona: afro 350 milionë € në total, ku afro 140 milionë € grante, me rreth 20 milionë € që janë bashkëfinancim; dhe funksionalizuam Gjykatën Komerciale duke e mbajtur fjalën që i kemi dhënë bizneseve e duke ua lehtësuar shumë punën.

Njëkohësisht, kemi rritur aktivitetin inspektues që të sigurojmë zbatimin e ligjeve sa i përket çmimeve, cilësisë së produkteve e respektimit të punëtorëve. Rritje për 67% të numrit të inspektimeve, gjatë mandatit të tanishëm qeverisës, në krahasim me periudhat paraprake, me gjithsej 5.432 inspektime tek operatorët ekonomik dhe 2.830 inspektime gjatë vitit 2022.

Kemi shtuar rezervat shtetërore të mallrave, si: gruri, vaji, sheqeri dhe nafta me 1.600% rritje prej viteve të kaluara. Kjo na bën më të sigurt përballë të papriturave.

Investimet e huaja gjatë periudhës janar-shtator 2022 kanë arritur për herë të parë në 566.9 milionë euro ose 43.6% rritje, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021, ndërkaq gjatë periudhës janar-tetor të vitit 2022, eksporti i mallrave ka arritur për herë të parë në 774.4 milionë euro apo 26% rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.

Nënshkruam marrëveshjen e bashkëfinancimit me Programin Kompakt të Sfidave të Mijëvjeçarit me vlerë rreth 237 mil. dollarë: për ndërtimin e kapaciteteve për rezerva prej 340 MWh; Inauguruam Parkun e Erës në Selac, investim 170 milionë euro me kapacitet prej 105 MW; Solar4Kosovo: financimi KfW dhe BERZh – 64 milion € total prej tyre grant 26 milionë € apo mbi 40%. Termocentrali diellor ndër më të mëdhenjtë në Evropë, do të shtohen edhe 70 MW, për 60 mijë banorë; deri në fund të vitit 2022, kemi shpërndarë 95 milionë € për të ndihmuar qytetarët e bizneset në përballje me krizën energjetike; kemi subvencionuar mbi 8,000 familje për të blerë pajisje efiçente për ngrohje; Kemi trajnuar 1.500 të rinj në fushën e TIK; kemi arritur digjitalizimin e rreth 130 shërbimeve elektronike; siguruam qasje në internet pa pagesë për 105 shkolla dhe 43 institucione shëndetësore.
Prioritetet tona në fushatë siç dihet kanë qenë puna dhe drejtësia. E sa i përket drejtësisë, funksionalizimit të institucioneve shtetërore dhe reformimit të administratës kemi patur disa arritje të rëndësishme.

Kemi miratuar Strategjinë e Sundimit të Ligjit; miratuam Strategjinë Kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje dhe Plani i veprimit për vitet 2022-2026; kemi futur në fuqi Protokollin Shtetëror për Trajtimin e rasteve të Dhunimeve Seksuale; kemi bërë ndryshime në Kodin Penal për dënime plotësuese ndaj atyre që shpallen fajtor për dhunim seksual dhe dhunë në familje; kemi miratuar Koncept dokumentin për procesin e vettingut në sistemin e drejtësisë, bartës i të cilit tani është Kuvendi i Republikës; kemi miratuar ligjin për Byronë për konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme; është miratuar në Kuvend Projektligji për KPK dhe janë miratuar në lexim të parë Projektligjet për Prokurorin e Shtetit dhe për Prokurorinë Speciale;

Është miratuar në lexim të parë Themelimi i Institutit për adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës; kemi miratuar Planin e Veprimit për zbatimin e projektit “Memoriali për fëmijët e vrarë gjatë luftës 98-99 në Kosovë”.

Janë miratuar dy nga projektligjet më të rëndësishme të reformës së administratës: ai për Paga në Sektorin Publik dhe ai për Zyrtarët Publikë. Dallimin në mes pagës më të lartë dhe asaj më të ulët e kemi nivelizuar nga 20 herë sa ka qenë, në vetëm 4.78 herë. Dallimi mes nivelit më të lartë, që është Presidentja dhe ushtari i FSK-së është 3.21 herë; e dallimi mes të pagës së Kryeministrit dhe ushtarit të thjeshtë është vetëm 2.93 herë. Dallimi mes të Ministrit dhe policit të lartë është 2.77 herë, ndërsa dallimi mes Kryeministrit dhe policit të lartë është 2.88 herë. Dallimi në mes të kreut të shtetit, pra Presidentes dhe mjekut specialist është vetëm 1.5 herë. Mjeku specialist në institucionet shëndetësore është në të njëjtin raport me sistemin e drejtësisë në Gjykatën dhe Prokurorinë Themelore, dhe të përafërt me Profesorin e rregullt. Kjo pra është politika jonë e luftimit të pabarazive dhe e vendosjes së meritokracisë.
Përveç këtyre, iu kemi shpallur luftë korrupsionit, krimit të organizuar, trafiqeve dhe kontrabandës. Janë mbyllur 16 rrugë ilegale në veri të vendit; kanë filluar patrullimet e rregullta ujore në Liqenin e Ujmanit; kemi zhvilluar 854 operacione policore kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës; 3202 të arrestuar, prej tyre gati 10% apo saktësisht 301 kanë qenë zyrtarë publikë.
Kemi shkatërruar 69 grupe kriminale, e janë konfiskuar në total rreth 1.8 ton substancë narkotike në dy vitet e fundit; janë shkatërruar 8 laboratorë të drogës dhe 3 për prodhimin e kriptovalutave në veri; kemi ndërtuar po atje 4 objekte dhe stacione të reja policore; është bërë shtrirja e rrjetit kabllor në veri; zgjedhjet dhe referendumi i Serbisë, që më përpara mbaheshin në kundërshtim me Kushtetutën e ligjet e vendit tonë dhe praktikat ndërkombëtare, nga qeveria jonë nuk u lejuan të mbaheshin në Kosovë; mbi 14 milionë € i kemi ngrirë, dhe janë në hetim nën dyshimin e keqpërdorimeve dhe shpëlarjes së parave; Është bërë mbyllja e selive të strukturave ilegale në Komunën e Shtërpcës.
Sa i përket politikave të mbrojtjes, kemi miratuar Strategjinë e Sigurisë 2022-2027 dhe kemi dyfishuar buxhetin për ushtrinë e Kosovës krahasuar me vitin 2021, ndërkaq, në vitin 2023 do të ketë rritje për 20%; Ministria e Mbrojtjes ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Mbretërinë e Bashkuar, Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Kroacinë; në proces janë marrëveshjet SOFA me Gjermaninë, Turqinë dhe Kroacinë.

Kemi rekrutuar 820 ushtarë të rinj dhe 31 oficerë dhe në proces të rekrutimit janë edhe 612 ushtarë të tjerë të rregullt dhe 388 rezervë; e kemi rritur kufirin e moshës së rekrutimit duke e ngritur nga 23 në 25 vjeç; kemi trajnuar jashtë vendit 2547 ushtarakë, 3 herë më shumë se në vitin 2020, 16 herë më shumë se në vitin 2019; lënda ‘’Edukim në Siguri’’ me qeverisjen tonë do të jetë pjesë e kurrikulës shkollore.

Nuk kanë munguar as investimet infrastrukturore, e vetmja gjë që ka munguar ka qenë vjedhja në projekte e punë publike.
Kanë filluar punimet e fazës së dytë për rehabilitimin e linjës së 10-të hekurudhore Fushë Kosovë – Mitrovicë; janë përfituar më shumë se 100 milionë euro grante nga Bashkimi Evropian dhe Gjermania për trajtimin e ujërave të zeza dhe menaxhimin e mbeturinave; kemi përfunduar asfaltimin e rrugëve në veri të vendit, në Jasenovik, Syriganë, Cerajë, Koshtovë, Bistricë e Vllahisë, Dedi dhe Magjerë; kemi nënshkruar marrëveshje ndërqeveritare për ndërtimin e rrugës Pejë-Rozhajë dhe atë Deçan-Plavë; kemi miratuar marrëveshjen për bashkëfinancim të hartimit të projektit për rrugën Prizren-Tetovë; kemi miratuam Planin Hapësinor të Kosovës, Planin Hapësinor për Parkun Kombëtar “Sharri”, dhe atë për “Bjeshkët e Nemuna”.

Sa i përket Arsimit, si sektor publik i rëndësisë së veçantë, dua të vë në dukje se për dy vjet e kemi shtuar buxhetin për 26%, kemi angazhuar 100 asistentë më shumë për fëmijët me nevoja të veçanta (viti 2023 përmbyllet me 500 asistentë); kemi arritur një marrëveshje me Francën për bashkëfinancim të bursave për arsimin e lartë; Kosova u bë anëtare në programin Horizon Europe, 5 projekte të fituara në vlerë prej 600 mijë euro; dyfishuam bursat në STEM nga 1 milionë € për 1.000 bursa në 2 milionë për 2.000 bursa (krahasimi 2021 me 2022); kemi liruar nga pagesa afër 43 mijë studentë duke e bërë arsimin universitar falas siç ka qenë kërkesa e kamotshme e studentëve; janë ndarë mbi 1,968 bursa për studentët e dalluar për studime brenda dhe jashtë vendit; 106 bursa për nxitjen e vajzave dhe djemve për profile deficitare; 300.000 € bursa për nxënësit e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian; 300.000 € për qendrat mësimore të fëmijëve rom, ashkali dhe egjiptian; si dhe 350.000 € për punë me fëmijë me talente dhe fëmijë me nevoja të veçanta.

Botuam tekstin e gjuhës shqipe, niveli i parë për fëmijët në mërgatë; është bërë unifikimi i Abetares Kosovë – Shqipëri; nga shtatori ka filluar pilotimi i arsimit dual për 4 profile (kuzhinier, asistent i mikpritjes hoteliere, floktar, murator) në 5 shkolla profesionale dhe 3 komuna; Rikthyem Agjencinë e Kosovës për Akreditim në ENQA si anëtare e asocuar.

Në fushën e kulturës, sportit e trashëgimisë, kanë përfunduar 8 ndërtesa të infrastrukturës sportive, kulturë dhe rini, dhe 17 tjera janë në proces ndërtimi; është dyfishuar mbështetja për skemën e granteve për komunitetin e artit dhe trashëgimisë kulturore; 65 monumente kanë shpëtuar falë ndërhyrjeve emergjente dhe restaurimeve; viti 2022 ishte vit i Manifestës: 37% e artistëve ekspozues ishin vendas, me 800 mijë vizita në 25 lokacione për 100 ditë; është themeluar institucioni Opera e Kosovës; mbi 100 vepra të artit të blera nga MKRS nga artistët vendor; kemi filluar programin “Kosova Shtet i Xhudos”; në 2022 buxheti i QKK u ngrit në 1 milion e 540 mijë euro, ngritje prej 100%, me 15 filma të përfunduar në 2022, ku mbështetja e MKRS për këto projekte ishte mbi 900 mijë euro; jemi në fazën finale për shpalljen e konkursit për masterplanin Kompleksi Memorial ‘’Adem Jashari’’; mbi 300 aktivitete sportive të zhvilluara në Kosovë, e me pjesëmarrje në mbi 200 aktivitete ndërkombëtare janë po ashtu rezultat i MKRS, kontributit dhe angazhimit të saj.

Në politikat tona bujqësore kemi ndarë mbi 70 milionë € për 28 mijë fermerë nga 27 sektorë të bujqësisë; për herë të parë kemi subvencionuar naftën për bujqit tanë, me vlerë 5 milionë €, si dhe kemi ndarë 8 milionë € subvencione për plehërimin pranveror për grurin, misrin, pataten e fasulen; rezultat direkt i politikave tona mbështetëse ka qenë rritja me 44% e eksportit të produkteve bujqësore e ushqimore; përmes investimeve kapitale kemi mundësuar rehabilitimin dhe ndërtimin e sistemit të ujitjes për 7.750 hektarë tokë bujqësore, me vlerë prej 4.1 milionë €, si investim në 8 komuna; kemi pyllëzuar 111 hektarë të rinj dhe kemi mbjellë 1 milion fidanë.

Sa i përket shëndetësisë, kemi përmirësim të ndjeshëm në aspektin e furnizimit me barna. Përqindja e furnizimit nga barnat e Listës Esenciale tashmë është 70%, dhe por ritet, ajo me material shpenzues është 90%, ndërsa me insulina tashmë është 100%. Shumë shpejt do të arrijmë 100% për të gjithë listën; kemi funksionalizuar Qendrën Kombëtare të Mjekësisë Sportive, si dhe Klinikën e Mjekësisë Fizikale me Rehabilitim Mjekësor, dhe kemi hapur depon e re qendrore për vaksinat.

Të nderuar delegatë të Këshillit të Përgjithshëm, nuk po zgjatem më shumë, pasi me siguri që të arriturat e qeverisë të drejtuar nga Lëvizja e nga programi ynë qeverisës do të kenë vendin e tyre dhe do të publikohen muajin e ardhshëm.

Por le t´i kthehemi rëndësisë së mbledhjes së sotme. Ju të gjithë e keni marrë Rendin e Ditës dhe e dini se sot do të diskutojmë e do të votojmë për propozimet që do të jepen për anëtarët e disa komisioneve shumë të rëndësishme për organizimin demokratik të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Sot do të zgjidhen anëtarët e komisionit statutor, komisionit disiplinor, komisionit për shqyrtimin e ankesave si dhe komisionit të përgjithshëm zgjedhor. Ne tashmë i kemi kryesitë e reja të pikave e të qendrave, kemi delegatë të rinj në këshillet e qendrave e në këtë këshillin e sotëm, si dhe kemi një kryesi të re. Pasi në vjeshtën e vitit 2022 ne kaluam procesin e zgjedhjeve të brendshme demokratike për herë të katërt prej se jemi regjistruar si subjekt elektoral tash duhet të kompletohemi edhe me këto komisione të reja.

Zgjedhjet e brendshme do të konsiderohen të përmbyllura me sukses vetëm pasi t´i zgjedhim së bashku anëtarët e këtyre komisioneve, që mundësojnë dhe lehtësojnë punën tonë si subjekt politik me mbi 60 mijë anëtarë.

Po flas disa fjalë shkurt për këto komisione.
Komisioni statutor është trupi i cili na ndihmon për interpretimet e statutit, sa herë që mund të lindin diskutime. Jeta politike dhe aktivizmi brenda subjektit tonë është i rregulluar me ligj e me statutin e Lëvizjes. Po të mos respektohet ligji dhe statuti nuk kemi demokraci, por rrëmujë. Prandaj është hapi i parë i kulturës qytetare, politike e demokratike të kuptojmë e të respektojmë statutin tonë, gjë për të cilën Komisioni Statutor është trupi i domosdoshme.

Mandej është edhe Komisioni Disiplinor, i cili funksionon njësoj si në shumë subjekte demokratike të vendeve demokratike, një trupë ku secili anëtar mund të ngrejë çështje kundër secilit anëtar të Lëvizjes, nëse mendon që ai ose ajo ka shkelur etikën qytetare e organizative, apo ka abuzuar me pozitën hierarkike që mund të mbajë dikush brenda VETËVENDOSJE!-s. Nuk bëhet fjalë për shkelje të ligjit, sepse për shkelje të ligjit menjëherë duhen njoftuar organet e drejtësisë.

Duke qenë se vendimet e Komisionit Disiplinor mund t´i duken të padrejta dikujt, ne gjithmonë e kemi patur edhe Komisionin për Shqyrtim të Ankesave, që me objektivitet e duke pasur parasysh praktikat demokratike dhe statutin e Lëvizjes, merr vendimin përfundimtar kur çështjet janë të diskutueshme.

E Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm do të jetë përgjegjës për mbarëvajtjen dhe organizimin e proceseve të shumta zgjedhore që ndodhin vazhdimisht brenda subjektit tonë demokratik, si në nivelin e pikave në lagje të qyteteve apo në fshatra të Komunave, ashtu edhe në qendrat tona në të gjitha qytetet e Kosovës, e deri edhe në zgjedhjet për pozita të caktuara brenda Grupit tonë Parlamentar, apo Kryesisë, e trupave të tjera të përhershme a të përkohshme që zgjidhen.

Demokracia, të dashur aktivistë nuk është vetëm parim, nuk është vetëm fjalë, por është përpjekje dhe betejë e përditshme. Angazhohemi kur nuk e kemi, e mbrojmë kur e kemi. Puna organizative, strukturimi, statuti, komisionet, jeta politike e qytetare, këto që të gjitha bashkë janë demokracia. E ne si subjekt, si aktivistë, si anëtarë të organit më të lartë që është Këshilli i Përgjithshëm, e kemi vendosmërinë që të kontribuojmë e ta promovojmë demokracinë, brenda e jashtë subjektit tonë.

Të dashur delegatë, ju uroj punë të mbarë dhe diskutime të frytshme në mbledhjen e pesëdhjetë të Këshillit dhe ju falënderoj për vëmendjen. Së bashku do të punojmë për sukseset e subjektit tonë e të Kosovës sonë, të shoqërisë e të kombit tonë.
Ju falemnderit.

Kontribo

21 02 2023

Kryetarja e organizatës Gratë për VETËVENDOSJE!, Albulena Haxhiu, ka zhvilluar një vizitë në Studime të Vushtrrisë

Sot, Kryetarja e organizatës Gratë për VETËVENDOSJE!, njëherazi ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka zhvilluar një vizitë në Studime të Vushtrrisë.

Shoqëruar nga kryetarja e GVV-së në Qendrën e Vushtrrisë, Selvete Gërxhaliu, ajo u prit nga Nexhmedin Gërxhaliu dhe motrat e tij, dhe nga zonja Fevzije Gerxhaliu.

Masakra e Studimes së Vushtrrisë është një prej krimeve më të rënda të kryera ndaj shqiptarëve në Kosovë prej forcave ushtarake dhe policore serbe. Krimet e regjimit të Millosheviqit janë krime të shumëfishta dhe të rënda sepse ishin brenda idesë së spastrimit etnik të shqiptarëve.

Një bashkëbisedim i afërt me familjarët na ktheu në vitin 1999, ku dhembja dhe kujtimet vazhdojnë të jenë të forta. Nexhmedin Gërxhaliu, i mbijetuari i masakrës së Studimes kujtoj tmerrin që ka përjetuar familja e tij ku 13 anëtarë në mesin e të cilëve nëna, bashkëshortja, djali, vëllai me bashkëshorten e tij dhe 7 fëmijë, si dhe djali i axhës së tij, u masakruan nga forcat serbe. Gjithashtu vizituam zonjën Fevzije Gerxhaliu të cilës i vranë bashkëshortin dhe kunatin.

Çdo takim me familjet që i kanë dhënë Kosovës dëshmorë e martirë na rikujton përgjegjësin që kemi në angazhimin tonë për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës.

Kontribo

13 02 2023

Fjala e plotë e Kryeministrit Albin Kurti në seancën e Kuvendit të Kosovës: Debat parlamentar për zhvillimet në dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë

I nderuari Kryetar i Kuvendit z. Glauk Konjufca,

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës,

Të nderuar zëvendëskryeministra dhe ministra të kabinetit qeveritar,

Të dashur qytetarë,

Qeveria e Republikës së Kosovës e ka ndërtuar qasjen e saj strategjike përballë Dialogut me Serbinë të lehtësuar nga Bashkimi Evropian mbi bazën e dy qëllimeve fillestare:

  1. Ndërprerjen e praktikës së përfshirjes së çdo çështjeje potencialisht kontestuese ndërmjet palëve në fushëveprimin e Dialogut; qëndrimi ynë ishte që maksimumi që mund të diskutohej në Bruksel ishin problemet e zbatueshmërisë së marrëveshjeve ekzistuese, pra atyre që ishin nënshkruar para ardhjes sonë në Qeveri, dhe,
  • Hapja e kapitullit të një procesi të bisedimeve për ndërtimin e raporteve të jashtme të fqinjësisë së mirë, parimeve të së drejtës ndërkombëtare si dy shtete të pavarura që e bazonin marrëdhënien e tyre mbi premisën e njohjes së dyanshme të shtetësisë.

Si rezultat i qasjes sonë fillestare, dhe kujdesit tonë ndaj precedentit të vitit 2013 e tutje, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian dhe zv.Presidenti i Komisionit Evropian Josep Borrell, për herë të parë, në më shumë se 12 vite dialog, pranoi të bëjë hapin e madh, atë të ftesës së datës 18 gusht 2022, ku e kornizoi takimin e nivelit të lartë mbi dy pika qëndrore:  1. ‘Korniza e përgjithshme e marrëveshjes’, dhe, 2. ‘Çështjet aktuale’. Për herë të parë u vendos përfshirja e kornizës së përgjithshme, pra të asaj që i rregullon marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nga jashtë (ndërkombëtarisht), në formatin e dialogut të Brukselit. Takimi i datës 18 gusht ishte qartazi rezultat direkt i presionit të Qeverisë sonë që dialogu të kalojë në fazën e rregullimit ndërkombëtar të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të përqëndruar në njohje reciproke e të bazuar në të drejtën ndërkombëtare, e jo më në çështje të brendshme siç ishte praktika nga viti 2011 e deri në ardhjen tonë në Qeveri. Dialog për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes, pra, jo dialog për dialog, jo dialog për thjeshtë menaxhim krize.

Në takimin e datës 18 gusht ia bëra të qartë Përfaqësuesit të Lartë Borrell dhe Presidentit Vuçiq që Kosova nuk do të pranojë më një Dialog që nuk është për një marrëveshje përfundimtare mbi njohjen e ndërsjelltë. Edhe pse takimi përfundoi pa një rezultat specifik në planin bilateral, ai e dha efektin e tij të menjëhershëm. E kjo është vizita e emisarëve me datë 9 shtator 2022 apo Prezentimi i propozimit franko-gjerman.

Më 9 shtator 2022, në Prishtinë erdhën dy emisarët e lartë të Gjermanisë dhe Francës, Jens Plotner dhe Emmanuel Bonne, bashkë me lehtësuesin evropian të dialogut, Miroslav Lajcak. Ata prezantuan para meje një propozim për normalizimin e ndërmjetëm të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të bazuar në parimin e njohjes de facto dhe mbështetjen e saj në parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara (dhe parimet e qarta ndër-shtetërore të së drejtës ndërkombëtare). Emisarët dhe lehtësuesi i dialogut më kërkuan që t’i respektojë dy parime procedurale përderisa nuk ka një qartësim nga të dyja palët në ecjen përpara:

1.Respektimin e konfidencialitetit të dokumentit të propozuar nga ta derisa të ketë një avancim të procesit negociator; më lejoni të ritheksoj që kërkesën për konfidencialitet e kanë kërkuar në kuptim të një detyrimi bilateral që unë si kryeministër kam ndaj shteteve të emisarëve, dhe,

2.Që ta konsideroja atë seriozisht, në kuptimin që mos-pranimi i tij do të ndikonte seriozisht në raportet diplomatike e politike të Republikës së Kosovës me shtetet sponsorizuese.

Edhe pse u kërkua respekt rigoroz ndaj konfidencialitetit të dokumentit të tyre, unë pata vendosur për t’i ftuar kryetarët e tri partive opozitare për t’i njoftuar me përmbajtjen e propozimit.    

Propozimin franko-gjerman, që më tutje do e duhet ta quajmë evropian, e konsiderova me kujdes. Pas një analize të thelluar, konstatova që Propozimi ngërthen disa karakteristika, si në vijim:

  1. Propozimi bazohet në modelin e marrëveshjes Gjermano-Gjermane të vitit 1972 dhe të shumë modeleve tjera të ngjashme të njohjeve de-facto të shtetësisë në historinë e marrëdhënieve ndër-shtetërore (psh. marrëveshja Japoni-Kore Jugore). Vetë Gjykata Kushtetuese e Republikës Federative të Gjermanisë e kishte konstatuar (në vitin 1973) që atëherë që Marrëveshja Gjermano-Gjermane ngërthente në vete njohjen de-facto të shtetësisë së njëra-tjetrës dhe njohjen e integritetit territorial nga prizmi i të drejtës ndërkombëtare;
  2. Propozimi ngërthente në vete pranimin nga palët të parimit të barazisë në sistemin ndërkombëtar, i cili është parimi kyç i Kartës së Kombeve të Bashkuara sa i përket marrëdhënieve ndërmjet shteteve të pavarura;
  3. Propozimi gjithashtu përcaktonte njohjen nga palët të parimeve të barazisë së sovranëve, integritetit territorial, zgjidhjen paqësore të konfilikteve, në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë;
  4. Propozimi përfshinte heqjen dorë të Serbisë nga pengimi i anëtarësimit të Kosovës në çdo organizatë ndërkombëtare, që përfshin jo vetëm organizatat në kontinentin evropian por edhe ato me shtrirje universale (OKB, UNESCO) apo të sigurisë (NATO);
  5. Propozimi përfshinte njohjen e palëve ndaj njëra-tjetrës të së drejtës së përfaqësimit shtetëror në terrenin e marrëdhënieve ndërkombëtare;
  6. Propozimi përfshinte shkëmbimin e zyreve të përhershme diplomatike, në formën e legatave (që janë ambasada faktike, e që përbënin formë normale të marrëdhënieve ndër-shtetërore para luftës së dytë botërore);
  7. Propozimi gjithashtu përmbante normën e njohjes së dokumenteve shtetërore që kanë efekt ndërkombëtar të shtetësisë për shtetasit, përfshirë të pasaportave, nga njëra-tjetra.
  8. Propozimi megjithatë përmbante edhe dy norma që lidheshin me të drejtat e komunitetit serb në Kosovë, 1. Normën që përcaktonte që komuniteti serb do të ketë një të drejtë të vetë-menaxhimit ‘në përputhje’ me instrumentet/konventat e Këshillit të Evropës, ashtu siç ka cdo komunitet minoritar në shtetet anëtare të Këshillit të Evropës; dhe, 2. Formalizimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe, gjë që ne veçse e kemi bërë përmes njohjes së ekzistencës së Kishës në ligjin tonë për komunitetet fetare në Republikën e Kosovës.
  9. Pika 10, e fundit, parashihte rregullën që të gjitha marrëveshjet e Brukselit do të duhej të zbatoheshin nga palët.

Qeveria e komentoi verzionin e parë të Propozimit, dhe kërkoi avancim të tij drejt një marrëveshjeje finale me njohjen de iure në qendër të saj. Ne gjithashtu kërkuam përfshirjen e elementit të drejtësisë tranzicionale për krimet e kryera në Kosovë dhe respektin e të dyja palëve ndaj vlerave të Bashkimit Evropian, përfshirë harmonizimin e palëve me politikën e sanksioneve ndaj Rusisë (konvergjencën me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së Bashkimit Evropian), që është e rëndësishme për shkëputjen e Serbisë nga kontrolli i Moskës zyrtare.

Që në komentin e parë të Qeverisë, ne e vlerësuam Propozimin si ‘bazë e mirë’ për një diskutim të mëtejshëm. Arsyet që na shtyen të konstatonim ashtu ishin:

  1. Propozimi për herë të parë vendoste në fokus marrëdhëniet e jashtme, ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë; të gjitha marrëveshjet e mëparshme kishin të bënin me çështje të brendshme të Kosovës, dhe marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe punëve të brendshme të Republikës së Kosovës.
  2. Propozimi bazohej në parimin e reciprocitetit të të drejtave dhe detyrimeve të palëve, pra Kosovës dhe Serbisë. Reciprociteti, që ka qenë kryefjala e Marrëveshjes origjinale gjermano-gjermane, nënkuptonte një premisë ndërkombëtare të barazisë dhe trajtimit të dinjitetshëm të palëve ndaj njëra tjetrës. Propozimi adreson pothuajse në çdo normë të saj reciprocitetin në detyrime dhe të drejta, përfshirë, psh. sa i përket të drejtave të pakicave kombëtare (preambula e Propozimit);
  3. Propozimi ka një gjuhë të qartë, vlerore dhe universale, që reflekton standardin e rregullimit ndër-shtetëror të raporteve politike e juridike ndërmjet shteteve të pavarura;
  4. Propozimi për herë të parë ngërthente në vete njohjen de facto të shtetësisë së palëve ndaj njëra-tjetrës. Njohja de facto juridikisht por edhe politikisht (ashtu siç është interpretuar e ofruar zyrtarisht nga emisarët dhe shtetet sponsorizuese të Propozimit) është e pakontestuar në tekstin e Propozimit.
  5. Propozimi përmbante obligimin që një marrëveshje finale me njohjen de jure do të realizohet në të ardhmën e afërt, dhe ajo do të jetë një detyrim për Serbinë përpara anëtarësimit të saj në Bashkimin Evropian.
  6. Propozimi gjithashtu i referohej të drejtave të serbëve në Kosovë në kuptim të konventave të Këshillit të Evropës, më kryesorja prej tyre Konventa Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave, e cila tashmë është pjesë e Kushtetutës së Republikës së Kosovës (neni 22). Pra, maksimumi që do të mund të nënkuptonte një vetë-menaxhim i tillë është ajo që tashmë Kushtetuta e parasheh në nenin 22 të saj. Propozimi kryesor nuk ka asnjë referencë specifike se çfarë do të nënkuptojë një vetë-menaxhim i tillë, por përderisa tavani i lartë është Konventa Kornizë e Këshillit të Evropës, kjo nënkupton që rezultati duhet të jetë një format i garancave për të drejtat individuale (joterritoriale) të pakicave, që bazohet në individin me të drejta edhe sipas përkatësisë e jo në institucionet a monopolin territorializues të tyre.
  7. E vetmja pikë shumë kontestuese është ajo që lidhet me pranimin e zbatimit të marrëveshjeve të kaluara të Brukselit, shumica nga të cilat fatkeqësisht janë marrëveshje që kanë në përmbajtje elementin mono-etnik, atë territorial dhe atë të monopolizimit të përfaqësimit të komunitetit serb në duart e Listës Serbe që kontrollohet nga Beogradi.

Unë gjykova të nderuar deputetë që Plani përmbante parime të qarta të së drejtës ndërkombëtare sa i përket marrëdhënieve ndërmjet shteteve të pavarura, i referohej Kartës së Kombeve të Bashkuara si një dokument që i adresohet vetëm akterëve shtetëror të pavarur, dhe, për herë të parë, përfshinte koncepte universale e civilizuese të së ardhmes demokratike të palëve në kontinentin Evropian.

Dhe, tash më lejoni të kaloj edhe tek vizita e emisarëve me datë 20 janar 2023 te Plani Evropian, verzioni përfundimtar.

Lehtësuesi i dialogut Lajcak, ofroi një verzion të dytë të Propozimit më 6 dhjetor 2022. Verzioni i dytë i ka adresuar dy nga komentet tona, por nuk ka lëvizur mbrapa në asnjë nga parimet që i ngërthente dokumenti i parë. Megjithatë, dokumenti kryesor kësaj radhe shoqërohej edhe me një Plan Zbatimi që kishte referencë të qartë tek një statut që do ta hartonte Ekipi Menaxhues, obligim që rrjedh nga Marrëveshja e vitit 2013, e që është një tregues i një hapi drejt krijimit të një asociacioni të komunave me shumicë serbe. Me datë 20 janar 2023, emisarët që e shoqëruan lehtësusesin Lajcak, pra emisarët amerikan, gjerman, francez dhe italian i dhanë disa qëndrime në këtë takim të dytë dhe të fundit:

  1. Ata ma bënë të qartë që Propozimi kryesor këtë herë është fare pranë formatit ‘merre-ose-leje’. Nuk do të lejohet praktikisht hapja apo negocimi i tij. Qëndrimi i tyre ishte që i tërë aparati diplomatik e politik i shteteve nga vinin emisarët është vënë në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, dhe nuk mund të pritet një ‘jo’ nga Kosova sepse do të hynim në një rrugë të konfrontimit me ta;
  2. Ata gjithashtu ma bënë të qartë që çfarëdo refuzimi i Propozimit do të shoqërohet me hapa kundërshtues e ndëshkues diplomatik për Kosovën, dhe do të krijojë dobësim serioz të mirëbesimit ndërmjet nesh dhe shteteve të tyre.

Unë ua dhashë edhe komentet e mia në verzionin e dytë qysh në fillim të atij takimi që e kemi pasur me 20 janar këtu në Prishtinë, dhe sërish në formë të shkruar, edhe herëne parë edhe herën e dytë komentet e mija i kanë në formë të shkruar. Qëndrimi im në atë takim ishte që Propozimi kryesor është parimisht i pranueshëm por duhet përfshirë më shumë elementë garantues dhe siguresa të efektivitetit sa i përket anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, shtimin e numrit të njohjeve dhe një sekuencim të ngjarjeve në formë të tillë që të ketë kuptim normalizimi ndërmjet dy shteteve.

Pas vizitës së lehtësuesit të dialogut, Miroslav Lajcak, me datë 6 shkurt 2023, dhe qartësimit të disa prej mekanizmave dhe elementeve të sekuencimit që do të negociohen në kuadër të Planit të Zbatimit, unë ia konfirmova që Propozimi i Bashkimit Evropian është bazë e mirë për bisedime të mëtejme dhe platformë solide për të ecur përpara. Kjo nënkupton që pranimi i dokumentit kryesor është pa paragjykim nga negocimi i Planit të Zbatimit i cili do të duhej të përfshijë elementë që kanë të bëjnë me mekanizmat zbatues, sekuencimin dhe kuptimin e disa prej parimeve që përmenden në Propozimin kryesor.

Mbi këtë bazë theksoj si në vijim:

  1. Pranimi i Propozimit kryesor përbën një avancim serioz në raportet ndërkombëtare me Serbinë, si dy shtete që i njohin shtetësinë njëra-tjetrës de facto;
  2. Plani kryesor nuk ka asnjë referencë te një Asociacion, megjithëse i referohet marrëveshjeve të Brukselit në tërësinë e tyre;
  3. Tash, hapi kryesor e ku do të lindin pyetjet më serioze në ndërlidhje me Asociacionin do të jetë në procesin e negocimit të Planit të Zbatimit. Aty, qëndrimi im është që Asociacioni mund të konsiderohet nëse plotësohet 6-pikëshi apo 6 kushtet/parimet që i kam paraqitur para jush një javë më parë.

Ju faleminderit!

Kontribo

11 02 2023

Vizitë në familjen e aktivistes dhe dëshmores Shukrije Obërtinca, si dhe familjen Krasniqi

Kryetarja e organizatës Gratë për VETËVENDOSJE!, Albulena Haxhiu, njëherësh ministre e Drejtësisë, së bashku me kryetarin e Qendrës së Fushë Kosovës, Shpend Bardiqi, si dhe kryetaren e GVV-së së Qendrës, Avnore Gashi-Berisha, kanë vizituar sot familjen e aktivistes dhe dëshmores Shukrije Obërtinca, si dhe familjen Krasniqi.

Në familjen Obërtinca u pritën nga motra dhe babai i Shukrijes, të cilët ndanë kujtimet për angazhimin e saj për liri dhe pavarësi. Ajo është një nga dëshmoret më reja të rënë për liri. Shukrija, si 16 vjeçare ishte vrarë nga forcat serbe më 1989 teksa protestonte kundër shtypjes së popullit shqiptar.

Po ashtu vizituan edhe familjen Krasniqi e cila shquhet për kontribut të madh gjatë luftës se fundit. Aty u pritën nga vëllai dhe dy motrat e Dr. Fatmirit. Kontributi i tij profesional e patriotik në një kohë aq të vështirë është i jashtëzakonshëm. Sot, Qendra e Mjekësisë Familjare në Fushë Kosovë mban emrin e tij.

Historia jonë ka shumë dëshmorë, aktiviste e aktivistë që nuk kanë kursyer as jetën e tyre për çlirim, liri e pavarësi të vendit. Ato/a mbeten inspirim për ne që sot gëzojmë lirinë, dhe na kujtojnë se sa e shtrenjtë është ajo dhe duhet ruajtur me çdo kusht.

Kontribo

10 02 2023

Fjala e plotë e Kryeministrit Albin Kurti, mbajtur para pllakës përkujtimore të Arben Xheladinit dhe Mon Balajt në bulevardin “Nëna Terezë”

Të nderuar familjarë të Arben Xheladinit dhe Mon Balajt,

të nderuar deputetë e ministra,

Kryeparlamentar Konjufca,

qytetarë të Republikës,

anëtarë të Lëvizjes,

15 vjet të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës mbushen sot 1 javë por 16 vjet të demonstratës së 10 shkurtit janë mbushur sot.

Ka qenë ditë e shtunë 10 shkurti i vitit 2007. U nisëm nga rruga “Perandori Justinian” në rrugën “Garibaldi” dhe mandej në këtë “Nëna Terezë” e para “Skënderbeut” na ndali kordoni i policisë.

8 ditë më herët me 2 shkurt u pat publikuar paketa e ndërmjetësit Ahtisaari për të cilën ne kishim shumë kritika e që i shpalosëm në tubime publike me qytetarë anë e kënd Kosovës. Ishim të pakënaqur sepse të bindur që Kosovës i takon shumë më tepër, që populli i Kosovës meriton më shumë dhe që padrejtësitë e reja nuk i durojmë.

Me të drejtë e kritikuam dhe e kundërshtuam Paketën e Ahtisaarit sepse aty kishte komuna të reja mbi baza etnike, zona të veçanta serbizuese rreth kishave e manastireve ortodokse, shuarje përfundimtare të Trupave Mbrojtëse të Kosovës, pjesëmarrje të Kosovës në borxhin e jashtëm të Serbisë, e drejta e vetos për deputetët serb me ulëse të rezervuara e të garantuara në Kuvendin e Kosovës, dhe vazhdimi i sundimit ndërkombëtar në Kosovë me fuqi ekzekutive mbi neve e pa llogaridhënie ndaj neve.

Dhjetëra mijëra qytetarë demonstruan para 16 vjetëve e në ballë të tyre ishte baca Adem Demaçi në moshën 71 vjeçare.

232 plumba gjithsej u shkrepën në trupat dhe kokat e qytetarëve nga policia e UNMIK-ut në një situatë ku asgjë s’shihej prej gazit të shumtë lotsjellës. Arben Xheladini dhe Mon Balaj u vranë kurse 80 demonstrues të tjerë u plagosën rëndë e lehtë. Hysni Hyseni Doda e humbi syrin, Mustafë Nerjova e ka ende sot një pjesë plastike në kafkën e kokës kurse Zenel Zeneli e mbanë plumbin akoma afër zemrës sepse nuk do të arrinte t’i mbijetonte operacionit kirurgjik. Doda i Prizrenit ka vdekur para tri vjetëve kurse Zenel Zeneli dhe Mustafë Nerjova janë këtu sot me neve.

Ish shefi i shtyllës së parë të UNMIK-ut, i shtyllës së drejtësisë atëbotë, Robert Dean, pat bërë një hetim atë pranverë nga i cili doli konkluzioni që për menaxhimin e asaj demonstrate vrasjet e Monit dhe Arbenit kanë qenë edhe të panevojshme edhe të evitueshme.

Policët e UNMIK-ut shfrytëzuan imunitetin ndërkombëtar, ndërkaq Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka ngelur t’i përgjigjet ministrisë sonë të drejtësisë.

Një javë para demonstratës sonë u pat publikuar Paketa e Ahtisaarit ndërkaq 6 javë pas asaj demonstrate Ahtisaari e shtoi rekomandimin për pavarësi të mbikëqyrur si faqe të parë të propozimit të tij.

Të dashur qytetarë, kurrë nuk ka qenë me e diskutueshme gjithandej, nëse ja kanë vlejtur komunat mbi baza etnike. Prandaj Beogradi zyrtar me kaq nervozë kërkon asociacion të tyre. Si “Zajednicë” komunash pat nisur edhe Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë. Jam i bindur që këtë nuk e duan serbët e Kosovës por jam i bindur që mu këtë e do Serbia.

Kosova ka nevojë për më shumë demokraci e ndër aspektet e rëndësishme të demokracisë është pluralizmi politik. Te komuniteti serb në Kosovë njëmend nuk ka pluralizëm politik. Mirëpo ai megjithatë po lind me qeverisjen tonë demokratike e progresiste. Prandaj Serbia është në panik. Duan që t’i bëjnë bashkë sa më parë 10 kryetar komunash të së njëjtës parti që i dirigjojnë ata, ta shpallin një president zajednice dhe me atë ta shkelin ministrin tonë të qeverisë tonë, ministrin nga radhët e komunitetit serb. E padrejtë dhe e gabueshme, e dëmshme dhe e papranueshme.

Të dashur aktivistë e anëtarë.

Vetëvendosja si ide te ne i ka tri burime.

Së pari, rilindjen tonë kombëtare aty sidomos Lidhjen e Prizrenit. Së dyti, programin 14 pikësh të ish presidentit amerikan Woodroë Wilson i cili jo më pak është i famshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për amendamentin 19 të Kushtetutës që u dha grave të drejtën e votës si dhe për ligjet që e kufizuan orarin e punës në 8 orë. Dhe së treti, burim për vetëvendosjen si ide janë lëvizjet e ndryshme antikolonialiste e çlirimtare anembanë globit e përgjatë historisë moderne të njerëzimit.

Kjo ide e vetëvendosjes e lansoi Lëvizjen tonë me 12 qershor 2005. Mirëpo, pikërisht me 10 shkurt 2007 gërshetohet kjo ide me ngjarjen e asaj demonstrate dhe prodhon organizatën tonë të përbashkët të Lëvizjes si dhe besnikërinë e anëtarit të veçantë të VETËVENDOSJE!-s.

Vetëvendosja edhe gjetiu, edhe te ne, paguhet edhe me jetë. Por edhe jeta që ja vlen është ajo me vetëvendosjen.

Rruga jonë është e vështirë sepse është rrugë përpjetë por edhe kjo rrugë e jona është e qartë sepse është rrugë e drejtë.:

Lavdi Monit dhe Arbenit. Lavdi gjithë dëshmorëve të kombit.

Kontribo

10 02 2023

Homazhe në nderim të Mon Balajt dhe Arben Xheladinit

Lule të freskëta te varri i Monit dhe Arbenit për të kujtuar që brezat e shqiptarëve e bartin pishtarin e lirisë nga njëri te tjetri duke mundësuar kështu ecjen e popullit tonë.

Kryeministri, Albin Kurti, bashkë me Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, Nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci, Kryetarin e Podujevës, Shpejtim Bulliqi, familjarë e miq të Monit dhe Arbenit, ministra, anëtarë të kryesisë dhe deputetë e aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, bënë sot homazhe te varri i Mon Balajt në Podujevë dhe te varri i Arben Xheladinit në Prishtinë.

16 vjet më parë, 10 shkurt 2007, Arben Xheladini dhe Mon Balaj krahas mijëra demonstruesve të tjerë që po kundërshtonin në formë të marshimit paqësor padrejtësitë e Pakos së Ahtisaarit, u qëlluan nga policia rumune e UNMIK-ut, që siç edhe dëshmuan përplot raporte të organizatave që merren me të drejta të njeriut, përfshi vetë Panelin Këshillëdhënës për të Drejtat e Njeriut të UNMIK-ut (2 mars, 2015) kishte përdorur forcë absolutisht të panevojshme për t’i shpërndarë demonstruesit.

16 vjet më vonë ende nuk ka drejtësi për Arben Xheladinin dhe Mon Balajn.

Nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi për Monin dhe Arbenin. Drejtësia për ta dhe liria e vetëvendosja e popullit të Kosovës janë të lidhura bashkë në këtë shekull.

Lavdi jetës dhe veprës së Mon Balajt dhe Arben Xheladinit.

Kontribo

03 02 2023

3 dhe 4 shkurti 2000 – Masakra dhe dëbimi i shqiptarëve nga Mitrovica

23 vite më parë, 8 muaj pas përfundimit të luftës, në natën mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, formacioni kriminal serb “Rojat e Urës” filloi aksionin për spastrimin etnik të veriut të Mitrovicës nga shqiptarët. Ngjarjet ndodhën para syve të pjesëtarëve francezë të KFOR-it.

10 shqiptarë u vranë. Më i riu 13 vjeç. Më e moshuara 65 vjeç. Mbi 100 të tjerë u torturuan e plagosën. 11,364 shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre. Të gjithë të pambrojtur nga askush. Mijëra shqiptarë ende nuk janë kthyer në shtëpitë dhe trojet e tyre.

Kjo masakër, ky dëbim i shqiptarëve civilë e të paarmatosur, nga shtëpitë e tyre në pjesën veriore të Mitrovicës përmbysi demografinë aty në favor të asaj që kërkonte Serbia.

Ndarja e qytetit të Mitrovicës do të bëhej e mundur pas kësaj masakre dhe dëbimi duke krijuar artificialisht një gjoja shumicë serbe në pjesën veriore.

Kjo u arrit përmes këtij krimi makabër në sy të forcave të KFOR-it dhe u fashit përmes ish drejtuesve politikë të atyre viteve.

Frazat e thënë ato ditë se së shpejti do të kthehen në shtëpitë e tyre dhe se Mitrovica nuk do të ndahen mbeten vetëm video. Realiteti e dërgoi diku tjetër. Plani i Ahtisaarit e formalizoi këtë ndarje që në thelb e ka një masakër dhe dëbimin masiv të shqiptarëve.

Për qytetarët shqiptarë që përjetuan dhe i mbijetuan masakrës duke humbur më të dashurit e tyre presin ende vendosjen e drejtësisë nga Prokuroria dhe Gjykatat në Kosovë.

Në vitin 2013, 13 vite pas masakrës së 3-4 shkurtit, mazhoranca e asaj kohe bashkë me disa nga partitë opozitare hartuan e miratuan ligjin për amnistinë e kriminelëve në veri të vendit tonë.

Atë botë Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe deputetët kundërshtuan dhe rezistuan për të mos ta miratuar këtë akt të turpit. Për fat të keq ligji kaloi dhe amnistia ndodhi.

Sot 23 vite pas ne jemi para një padrejtësie të pa adresuar. E njëjtë nuk mund dhe nuk duhet të vijojë pafundësisht.

Për ata që u flijuan vetëm pse ishin shqiptarë nga lagjet e veriut të Ibrit në Mitrovicë, për ata që sot gjenden nëpër Kosovë por jo në shtëpinë e tyre në Mitrovicë, për të sotmen e shqiptarëve që jetojnë aty dhe për të ardhmen e të gjithë vendit tonë drejtësia duhet vënë në vend.

Lëvizja VETËVENDOSJE përkujton me nder dhe respekt të rënët e 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 dhe vijon të jetë e përkushtuar që drejtësia për ta të gjejë dritë.

Kontribo

30 01 2023

Vizitë te Zoje Prendi dhe Nevzete Luzha

Sot, ministrja Albulena Haxhiu, njëherazi kryetarja e organizatës Gratë për VETËVENDOSJE!, së bashku me deputeten Tinka Kurti, kryetaren e GVV-së në Gjakovë, Afërdita Kumnova, dhe asambleistet e Qendrës së Lëvizjes në Gjakovë, vizituan familjen e të ndjerës Zoje Prendi, nënës që ju vranë pesë fëmijët në masakrën e Mejës, dhe shtëpinë e zonjës Nevzete Luzha, nënës që humbi dy djem në luftë.

Te familja e zonjës Zoje Prendi ato përkujtuam jo vetëm humbjen e Viktorit, Sokolit, Markut, Robertit dhe Gjergjit por edhe vetë dhimbjen e madhe të nënës Zoje. Ajo sot nuk është më por sakrifica e saj do të jetë e paharrueshme.

Kurse te zonja Nevzete Luzha, nëna që ka humbur Albertin dhe Armendin, dy djem të mitur në luftë, bashkëndjemë si me dhimbjen ashtu edhe me luftën e saj ndaj padrejtësisë për kaq gjatë.

Në qendër të bashkëbisedimit të përzemërt me zonjën Kristina, Flora Prendi dhe nënë Nevzete, në qendër ishte mungesa e drejtësisë për krimet që ka kryer Serbia në Kosovë dhe rezistencën e grave tona gjatë luftës. Gratë në forma të ndryshme kanë kontribuuar në luftën tonë çlirimtare, ato kanë rezistuar pa kursim.

Theksuam bindjen që nuk i harrojmë krimet, do jemi pranë tyre edhe fizikisht dhe duke insistuar bashkë me to për vënien e drejtësisë.

Kontribo

30 01 2023

Takim me drejtorin e FES për Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, René Schlee

Sot, në zyrën e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Sekretari Organizativ, Alim Rama dhe Sekretari për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Hajrulla Çeku mirëpritën në takim drejtorin e FES për Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, René Schlee.

Gjatë këtij takimi u vlerësua bashkëpunimi i mirë mes LV dhe FES ndër vite. U dakordua për koordinimin e bashkëpunimit për vitin 2023, me theks të veçantë në fuqizimin e kapaciteteve organizative, politikën publike dhe qeverisjen lokale. Bashkëpunimi në mes LV dhe Partisë Social Demokrate të Gjermanisë do të jetë një nga objektivat kryesore gjatë këtij viti në kuadër të rritjes së koordinimit me familjen Social Demokrate në BE dhe në botë.

Veç tjerash në këtë takim u ritheksua qëndrimi i LV kundër themelimit të një asociacioni dhe çdo marrëveshje tjetër mbi baza etnike.

Republika e Kosovës ka një nga sistemet më të mira në botë për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve jo shumicë, brenda kornizave ligjore/kushtetuese, thanë përfaqësuesit e LV gjatë takimit.

Ata ftuan FES që të bëjnë një studim krahasimor për respektimin e të drejtave të komuniteteve në Kosovë dhe në vendet e tjera përfshirë Serbinë.

Kontribo

29 01 2023

Përfunduan punimet e Kongresit të 80 të Partisë Socialiste të Francës

Sot përfunduan punimet e Kongresit të 80 të Partisë Socialiste të Francës, që u mbajt në Marsejë. Midis shumë partive socialdemokrate dhe progresiste nga e gjithë bota, morën pjesë edhe një delegacion nga Lëvizja, i përbërë nga Arbër Zaimi, anëtar i kryesisë, dhe Sebastien Gricourt, aktivist e këshilltar.

Në aktivitetet shoqëruese përfaqësuesit e Lëvizjes e uruan për rizgjedhjen z. Olivier Faure, sekretarin e parë të PS, dhe patën takime miqësore me përfaqësues e veprimtarë nga vende të ndryshme të botës. Me një pjesë prej tyre që vijnë nga vende të cilat ende nuk e njohin Kosovën, u vunë kontakte të mira për të punuar drejt afrimit të vendeve.

Në këtë aktivitet për herë të parë në 13 vitet e fundit morën pjesë së bashku edhe drejtuesit e dy organizatave të mëdha ndërkombëtare të socialdemokratëve. Me këtë rast përfaqësuesit e Lëvizjes u takuan me znj. Benedicta Lasi, sekretaren e përgjithshme të Internacionales Socialiste, si dhe me z. Conny Reuter, koordinatorin global të Aleancës Progresive, me të cilët diskutuan edhe për aktivitete rajonale e ndërkombëtare që do të mund të organizohen në Kosovë.

Pjesëmarrja dhe afirmimi i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në aktivitete të tilla, midis partive simotra, është një pjesë e rëndësishme e politikës sonë partiake, pasi nuk mund të krijohet e të çohet përpara një vizion politik, pa i diskutuar e pa i kuptuar edhe zhvillimet globale. Internacionalizmi është element i rëndësishëm i të majtës progresiste e reformiste.

Kontribo

29 01 2023

Takim me përfaqësuesit nga Mali i Zi

Në zyret e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Kryeministri, njëherit Kryetari i LV-së, Albin Kurti së bashku me Nënkryetaren e Dytë, Mrika Limani Myrtaj, Sekretarin Organizativ, Alim Rama dhe Sekretarin për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Hajrulla Çeku pritën në takim deputetin dhe Kryetarin e Partisë Forca e Re Demokratike Genc Nimanbegu, i cili ishte i shoqëruar nga Ardian Mavriqi, Sekretar i Pergjithshëm – aktualisht Kryetar i Kuvendit të Komunës së Ulqinit dhe Nënkryetarët e Partisë: Ilir Çapuni dhe Arbin Çapriqi.

Përgjatë takimit Kryeministri Kurti njoftoi përfaqësuesit e partisë shqiptare nga Mali i Zi për situatën politike dhe ekonomike në vend. Në kuadër të diskutimit u theksuan edhe marrëdhëniet e Republikës së Kosovës me Malin e Zi me ç’rast u përmend edhe ndërtimi i rrugëve Pejë-Rozhajë dhe Deçan-Plavë çka do të lehtësojë qarkullimin e qytetarëve dhe forcojë lidhjen ekonomike dhe tregtare.

Në anën tjetër, përfaqësuesit nga Mali i Zi njoftuan me situatën politike atje me theks të veçantë ndërhyrjen e Kishës Ortodokse Serbe në jetën politike e institucionale çka ka tensionuar edhe më shumë raportet etnike dhe ndërhyrjet e Serbisë në shtetin e Malit të Zi.

Në fund pjesë e diskutimeve ishte edhe bashkëpunimi në fushën e kulturës dhe trashëgimisë kulturore në mes të të dy vendeve.

Kontribo

29 01 2023

Takim me përfaqësuesit e International Republican Institute

Përfaqësuesit e organizatës International Republican Institute, drejtoreshën rezidente të kësaj organizate për Kosovë, znj. Marta Onorato dhe znj. Edona Bajrami Shala, dje në zyret tona i mirëpritën Sekretari Organizativ, Alim Rama, Sekretari për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Hajrulla Çeku dhe anëtarja e këtij sekretariati, Anila Vrajolli.

Në këtë takim miqësor u njoftuam për punën dhe projektet e deritashme të International Republican Institute, për planet e mëtejme të kësaj organizate, si dhe diskutuam për mundësinë e bashkëpunimit në çështje na bashkojnë. Dy drejtime ku kemi interes të ndërsjellët kanë të bëjnë me fuqizimin e rinisë dhe grave. Ne i njoftuam znj. Onorato dhe znj. Bajrami Shala, për dy organizatat e reja që i kemi formuar Rinia për VETËVENDOSJE! dhe Gratë për VETËVENDOSJE!, për strukturat e tyre që janë ndërtuar tashmë në secilën pjesë të vendit.

Në fund të këtij takimi ndamë bindjen e përbashkët për shtim të bashkëpunimit në të ardhmen.

Kontribo

25 01 2023

2022: Qeveria për komuna dhe zhvillim rajonal

– Granti i performancës komunale në vlerë 8 milionë euro;

– Ndamë 1.5 milion euro për “Programin Komunal për zhvillim të infrastrukturës socio-ekonomike dhe bashkëpunim ndërkomunal”;

– Zbatuam:

– Projektin “Municipality 4 Youth” me vlerë 2,7 milionë dollarë;
– Programin për Zhvillim Rajonal: 17 projekte të investimeve kapitale në 16 komuna, në vlerë prej 1,4 milion euro;
– Programin për Zhvillim Rajonal të Balancuar në vlerë 3 milionë euro. Përfituan 335 biznese dhe gjeneruam 770 vende të reja pune;
– Programin për bashkëpunim me OShC, në vlerë prej 107 mijë euro. Nga 38 projekte, përfituan 200 të rinj dhe gra;

– Avancuam bashkëpunimin ndërkufitar me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. Janë paraparë mbi 25 milionë euro;

– Inicuam zhvillimin e portalit E-Komunat për digjitalizim në nivel lokal;

– Mbështetëm komunitetet nëpërmjet Fondit prej 1 milion euro;

– Forcuam të drejtat e komuniteteve nëpër komuna;

– Hartuam Planin Kombëtar të Veprimit për Partneritetin për Qeverisje të Hapur – PQH me qëllim të anëtarësimit në organizatën ndërkombëtare PQH;

– Miratuam Strategjinë Kombëtare për menaxhimin dhe kontrollin e qenve me dhe pa pronar. 

Kontribo

23 01 2023

2022: Qeveria për gjithëpërfshirje dhe barazi

– Vitin 2022 e shpallëm Vit të Personave me Aftësi të Kufizuar;

– Në kuadër të masës 1.6 të Pakos së Ringjalljes Ekonomik – Mbështetja e Personave me Aftësi të Kufizuara, u punësuan 239 veta (119 burra dhe 120 gra).

– Përfshimë në platformën për konsultime me publikun qytetarët që nuk dëgjojnë dhe qytetarët e verbër duke u mundësuar atyre kontributin në ligje, politika dhe dokumente që hartohen prej Qeverisë përmes shërbimeve në gjuhën e shenjave dhe zërim;

– Proceduam në Kuvend propozimin për përfshirjen e Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara në Kushtetutën e Kosovës;

– Zyra e Kryeministrit ofroi gjithsej 4868 orë shërbime të interpretëve në gjuhën e shenjave për qytetaret që nuk dëgjojnë;

– Miratuam Strategjinë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhunën ndaj Grave 2022-2026;

– Për shpërndarje të barabartë të burimeve dhe mundësi të barabarta, miratuam koncept dokumentin për Buxhetimin e Përgjegjshëm Gjinor;

– Mbështetëm me 400,000 euro 10 strehimore për viktimat e dhunës në familje;

– Miratuam Strategjinë për Avancimin e të Drejtave të Komunitetit Rom dhe Ashkali 2022-2026;

– Themeluam Ekipin ndërinstitucional për nxitjen dhe promovimin e punësimit për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në Republikën e Kosovës;

– Lansuam Platformën Kombëtare për Raportimin e Rasteve të Diskriminimit ndaj Komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian;

– Mbështetëm 123 projekte për biznese të vogla dhe start-up për komunitetet joshumicë

– Ndamë 300,000 € për bursa për nxënësit e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, 300,000 € për qendrat mësimore te fëmijëve rom, ashkali dhe egjiptianë dhe 350,000€ për punë me fëmijë me talente dhe fëmijë me nevoja të veçanta;

– Ndamë 96 grante për organizata për projekte nga të cilat përfitojnë komunitetet jo shumicë.

Kontribo

21 01 2023

Mbledhja me kryetarët e Qendrave të Rinisë për VETËVENDOSJE!

Sot, në zyrën e Sekretariatit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE! u mbajt mbledhja me kryetarët e Qendrave të Rinisë për VETËVENDOSJE!.

Bashkëbisedim i hapur për punën e deritanishme të strukturave tona në terren, për situatën politike dhe planet për të ardhmen.

U diskutua mbarëvajtja e kampanjës “Bojkoto produktet e Serbisë”, e cila u zhvillua nga aktivistët e Rinisë për VETËVENDOSJE! gjatë muajit të kaluar. Jemi krenar me rezultat e vërejtëshme të kësaj kampanje, e në të njëjtën kohë diskutuam për çka na pret në muajt ne vijim.

Lëvizjes, ashtu si popullit tonë, përherë i kanë prirë të e rinjtë, të rejat e studentët. Ata kanë qenë prijës të zhvillimeve e të ndryshimeve të mëdha, siç po vazhdojnë të jenë edhe sot.

Viti 2023 do të jetë i jashtëzakonshëm për RVV-në me planet e aktivitetet që na presin. Entuziazmi e vullneti i aktivistëve po kanalizohet në intensifikim të punës gjithandej vendit.

Kontribo

20 01 2023

Në solidaritet dhe mbështetje me qytetarët e zonave të vërshuara!

Lëvizja VETËVENDOSJE! shprehë gatishmërinë vullnetare të aktivistëve e anëtarëve të saj për të ndihmuar bashkëqytetarët në zonat e vërshuara.

Të shqetësuar kemi përcjellë situatën me vërshimet e djeshme nëpër qytetet dhe fshatrat tona.

Teksa institucionet qendrore e komunale, emergjencat civile, Policia e FSK, mjekët, Instituti i shëndetit publik, punëtorët e ujësjellësve, po vazhdojnë të jenë në terren duke ndihmuar qytetarët që kanë pësuar nga kjo fatkeqësi, Lëvizja VETËVENDOSJE! shprehë gatishmërinë vullnetare të aktivistëve gjithandej komunave për të ndihmuar në rast nevoje.

Ndërkohë, ftojmë të gjithë qytetarët e vendbanimeve të prekura nga vërshimet që të qëndrojnë të informuar, t’i përcjellin dhe ndjekin udhëzimet e institucioneve tona e sidomos ato të IKSHPK-së lidhur me sigurinë e cilësinë e ujit të pijes.

T’i shmangemi zonave me rrezik të vërshimeve gjatë orëve në vijim. Atyre me potencial të rrëshqitjes së dheut. Të njoftojmë autoritetet sapo të vëmë re se dikush gjendet në rrezik dhe të lehtësojmë njoftimin e institucioneve për t’i dhënë sa më parë ndihmë atyre në nevojë.

E mbi të gjitha të sigurohemi që të jemi prezent në rast të kërkesës për ndihmë nga institucionet.

Qendrat Operative Emergjente janë prej ditës së djeshme të aktivizuara dhe për çdo urgjencë duhet të kontaktojmë në numrin emergjent 112.

Kontribo

20 01 2023

2022: Qeveria për integrim ndërkombëtar dhe diplomaci


Viti i kaluar ishte vit i hapave historik për agjendën tonë integruese dhe i konfirmimit të aleancave dhe orientimeve tona diplomatike:

– Në maj, aplikuam në Këshillin e Evropës;
– Në dhjetor, aplikuam për anëtarësim në BE;
– Nga 1 janari 2024, më së voni, hiqet regjimi i vizave për qytetarët e Republikës;
– Nënshkruam tre marrëveshje në kuadër të Procesit të Berlinit: për lëvizjen e lirë me letërnjoftime; njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë; dhe njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve;
– Themeluam Grupin Punues për anëtarësim në NATO;
– Vendosëm Marrëdhënie Konsullore me Poloninë, Marrëdhënie Diplomatike me Timorin Lindor dhe avancuam statusin e Zyrës së Kosovës në Greqi;
– Rreshtuam politikën tonë të jashtme me BE-në, ShBA-në dhe Britaninë e Madhe duke dënuar agresionin ushtarak rus ndaj Ukrainës dhe vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse;
– Mirëpritëm 12 gazetarë ukrainas dhe ndamë mjetet për pesë tjerë afganë;
– Finalizuam reformën e brendshme dhe kthyem ligjshmërinë në ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës
– Lansuam programin e parë për Diplomaci Qytetare në kuadër të së cilit janë përzgjedhur 10 profesionistë të rinj nga mërgata që po angazhohen në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës;
– Blemë objektin e ambasadës në ShBA, ndërkaq jemi në proces të blerjes së objektit të ambasadës së Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar;
– Zhvilluam platformën “Dialogu me Mërgatën” në 16 lokacione të ndryshme jashtë vendit, dhe lansuam programin për mërgimtarë “Shijo Kosovën” në 15 komuna të Republikës së Kosovës;
– Organizuam Samitin Digjital për Ballkanin Perëndimor “Prishtina 2022”, ngjarja më e madhe rajonale në sektorin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, me rreth 500 pjesëmarrës dhe më shumë se 60 folës;
– Së bashku me Presidencën, lansuam edicionin e parë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë;
– Prishtina u bë nikoqire e Samitit të Ballkanit Perëndimor 2022, organizim ky i revistës prestigjioze “The Economist”, në bashkëpunim me Zyrën e Kryeministrit.

Kontribo

19 01 2023

Nënshkruhet Memorandum Bashkëpunimi mes Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Partisë Socialdemokrate zvicerane

Të vetëdijshëm për lidhjen e ngushtë mes popujve tanë dhe duke synuar ngritjen e bashkëpunimit shumë të mirë mes dy partive tona në një nivel të ri brenda frymës së bashkëpunimit dhe në interes të drejtësisë, solidaritetit dhe paqes, palët dakordohen për një sërë çështjesh thuhet në fillim të Memorandumit të Bashkëpunimit që u nënshkrua sot mes Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Partisë Socialdemokrate zvicerane.

Bashkëpunimi mes dy partive tona do të jetë në nivel të organizimit, politikës së jashtme, udhëheqjes, dhe diasporës. Do të ndajmë dije dhe përvojë që lidhen me këto fusha njëherazi duke synuar politika promovuese dhe zhvillimore mes dy vendeve tona në ekonomi, përfshirje më të madhe të diasporës në jetën politike dhe institucionale, përshpejtim të proceseve integruese në institucione të BE-së, dhe mbështetje të ndërsjellë për zgjedhjet nacionale në të dy vendet tona.

Këtë memorandum në nivelin e liderëve partiak, e nënshkruan Kryetari i PS zvicerane, z. Cédric Wermuth dhe Kryetari i LVV, z. Albin Kurti, i cili ishte i shoqëruar nga Sekretari i Organizativ i LVV, z. Alim Rama dhe Drejtuesi i Sekretariatit për Marrëdhënie Ndërkombëtare nga LVV, z. Hajrulla Ceku.

Kontribo

18 01 2023

2022: Qeveria për sektorin publik dhe shëndetësi


Kemi miratuar dy nga projektligjet më të rëndësishme të reformës së administratës:

– Projektligji për Zyrtarët Publik; dhe
– Projektligji për Paga në Sektorin Publik.

Me Ligjin për Zyrtarët Publik kemi krijuar, ndër të tjera, të gjithë mekanizmat e duhur për:

– Rekrutime të hapura për të gjithë nga jashtë dhe brenda administratës publike;
– Rigjenerim dhe përforcim të kapaciteteve njerëzore (mërgata, praktika për të rinjtë e të rejat);
– Hapja e sistemit për pjesëmarrjen e grave dhe vajzave në pozitat drejtuese;
– Përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në çdo kategori;
– Mundësi të barabarta për punësimin e personave me aftësi të kufizuara;
– Jetësim i konceptit të karrierës;
– Mundësi reale për ngritje në karrierë përmes mekanizmit të mandateve me kohë të caktuar në nivelet menaxheriale;
– Matje e drejtë e performancës dhe cilësisë.

Me Projektligjin për Paga në Sektorin publik:

– Dallimin mes pagës më të lartë dhe asaj më të ulët e kemi nivelizuar nga 20 herë, në vetëm 4.78 herë;
– Dallimi mes koeficientit më të lartë që është Presidentja, dhe ushtarit të FSK-së është vetëm 3.21 herë; dallimi mes pagës së Kryeministrit dhe ushtarit të thjeshtë është vetëm 2.93 herë;
– Dallimi në mes të Ministrit dhe policit të lartë është vetëm 2.77 herë, ndërsa dallimi mes Kryeministrit dhe policit të lartë është vetëm 2.88 herë;
– Dallimi në mes të kreut të shtetit, Presidentes dhe mjekut specialist është vetëm 1.5 herë;
– Mjeku specialist në institucionet shëndetësore është në të njëjtin raport me sistemin e drejtësisë në gjykatën dhe prokurorinë themelore, dhe të përafërt me Profesorin e rregullt.

Kemi përmirësuar furnizimin me barna: përqindja e furnizimit me barna nga Lista Esenciale e Barnave është rreth 70%, ajo me material shpenzues rreth 90% kurse furnizimi me insulina arriti në 100%.

Zgjeruam mbulimin e trajtimit me terapi nga lista komplementare (për fibrozë cistike).

Funksionalizuam Qendrën Kombëtare të Mjekësisë Sportive.

Funksionalizuam Klinikën e Mjekësisë Fizikale me Rehabilitim Mjekësor.

Hapëm depon e re qendrore të vaksinave.

Për herë të parë siguruam vaksinat kundër HPV.

Miratuam:

-Ligjin për sëmundjet ngjitëse;
– Koncept dokumentin për sëmundjet e rralla dhe atë për shëndetin mendor.

Me udhëzimin administrativ për licencimin e profesionistëve shëndetësorë të huaj lehtësuam procedurat e licencimit të profesionistëve të mërgatës, si dhe të atyre të trojeve të banuara me shqiptarë.

Kontribo

17 01 2023

Qeveria për bujqësi dhe infrastrukturë

Të udhëhequr nga parimi se për një ekonomi të qëndrueshme nevojitet rritje e prodhimit vendor dhe përmirësim i infrastrukturës, gjatë vitit 2022:

Kemi ndarë mbi 70 milionë euro për 28 mijë fermerë nga 27 nën-sektorë të ndryshëm;

Kemi ndarë 8 milionë euro për plehërimin pranveror për grurë, misër, patate dhe fasule;

Për herë të parë kemi subvencionuar naftën për bujqit në vlerë prej 5 milionë euro;

Hartuam dhe miratuam Strategjitë dhe Planet e Veprimit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, dhe për Zhvillimin e Pylltarisë;

Kemi mbjellë 1 milion fidanë;

Kemi pyllëzuar 111 ha sipërfaqe të tokave pyjore;

Kemi rehabilituar dhe ndërtuar sistemin e ujitjes për 7,750 ha tokë bujqësore në vlerë prej 4.1 milionë euro për 8 komuna;

Më shumë se 100 milionë euro grante nga BE dhe Gjermania për trajtimin e ujërave të zeza dhe menaxhimin e mbeturinave;

Filluam punimet e fazës së dytë për rehabilitimin e linjës së 10-të hekurudhore Fushë Kosovë – Mitrovicë;

Nënshkruam marrëveshjen për ndërtimin e rrugës Pejë-Rozhajë dhe asaj Deçan-Plavë;

Miratuam marrëveshjen për bashkëfinancim të hartimit të projektit për rrugën Prizren-Tetovë;

Kemi përfunduar asfaltimin e rrugëve në veri të vendit, në Jasenovik, Syriganë, Cerajë, Koshtovë, Bistricë e Vllahisë, Dedi dhe Magjerë;

Miratuam Planin Hapësinor të Kosovës; Planin Hapësinor për “Parkun Kombëtar Sharri”, si dhe atë për “Bjeshkët e Nemuna”.

 

Kontribo

15 01 2023

Homazhe në Reçak

Në 24 vjetorin e Masakrës së Reçakut, Kryeministri, Albin Kurti, bashkë me presidenten, znj. Vjosa Osmani, Kryetarin e Kuvendit, z. Glauk Konjufca dhe ambasadorin z. William Walker, bënë sot homazhe tek Kompleksi Përkujtimor në Reçak.

Pas homazheve u mbajt Akademia Përkujtimore për Masakrën e Reçakut.

Kryeministri Albin Kurti në fjalën e tij drejtuar akademisë tha se ata të cilët e mohojnë gjenocidin ëndërrojnë përsëritjen e tij.

Kryeministri Kurti kujtoi se një krim i tillë nuk mund të fshihet e as të amnistohet.

“Ata të cilët e mohojnë gjenocidin, ata ëndërrojnë për përsëritjen e tij. Por, një krim kundër njerëzimit, e një gjenocid si ai që kryen forcat e Serbisë në Reçak me 15 janar, nuk mund të fshihet, nuk mund të mjegullohet dhe nuk mund të amnistohet.”

Ai tha se janë lëshuar fletarreste ndërkombëtare për 18 persona serbë që dyshohet për pjesëmarrje në kryerjen e masakrës së Reçakut.

“Duke u thirrur në dëshmitë e kohës në deklaratat e 63 dëshmitarëve të intervistuar dhe në provat e tribunalit të Hagës, Prokuroria Speciale e Kosovës ka lëshuar fletarreste ndërkombëtare për 18 persona serbë që dyshohet për pjesëmarrje në kryerjen e masakrës së Reçakut”, tha ai.

Tutje, Kryeministri Kurti u shpreh se shteti ynë nuk i amniston kriminelët dhe nuk i harron krimet e luftës.

“Sot në 24-vjetorin e masakrimit të 45 shqiptarëve nga forcat e Serbisë në Reçak, teksa kujtojmë dhe nderojmë të gjitha viktimat e asaj kohe të errët, më lejoni që para jush, nga pozita e Kryeministrit të Republikës së Kosovës t’iu them që shteti ynë demokratik nuk i amniston kriminelët dhe nuk i harron krimet e luftës.

Lavdi të gjithë dëshmorëve dhe martirëve tanë!

Gjaku i tyre është udhërrëfyes në rrugëtimin tonë politik.

Kontribo